Në mes të Prishtinës kërkoi leje ta ketë vëlla kriminelin Vuçiq/ Edi Rama kritikohet për vizitën në Kosovë – ja çfarë tentoi të bëjë!

Politika

Në mes të Prishtinës kërkoi leje ta ketë vëlla kriminelin Vuçiq/ Edi Rama kritikohet për vizitën në Kosovë – ja çfarë tentoi të bëjë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 qershor 2022 Në ora: 11:15
Pamje nga mbledhja e fundit e dy qeverive shqiptare

Gjatë kësaj jave u mbajt mbledhja mes dy qeverive shqiptare, të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo mbledhje, nxiti debate, reagime dhe komente të shumta, marrë parasysh raportet e tensionuara mes dy kryeministrave shqiptar, Edi Rama dhe Albin Kurti.

Këtyre reagime, u ‘hodhi’ zjarrë edhe më shumë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili erdhi një ditë para mbledhjes në Kosovë dhe takoi të gjithë kundërshtarët politik të Albin Kurtit.

E për t’i hequr 'dyshimet' në lidhje me raportimet se Rama po tenton ta rrëzojë Kurtin nga qeveria, kryeministri i Shqipërisë erdhi me një paraqitje qesharake në mbledhjen e dy qeverive dhe në konferencën me Kurtin.

Temë kryesore e tij ishin batutat ku përmes tyre tentonte ta zbuste situatën, pse jo edhe ta merrte vëmendjen mediatike dhe të paraqitej si superior ndaj Kurtit.

Mirëpo, siç u pa Kurti ishte shumë gjakftohtë dhe racional, ku për asnjë moment nuk ra pre e provokimeve të Ramës dhe batutave të tij.

Edi Rama u mundua edhe dje të fliste me batuta pas takimit në samitin e BE-së, të rezervuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se edhe ashtu shqiptarët e shohin si një njeri serb, por i tha Vuçiqit se nuk mund ta përdorte si të donte.

Por, kjo e bëri të ditur se më në fund ai është kompleksuar nga akuzat se vërtetë ka një imazh proserb, veçanërisht në projektin “Ballkani i hapur”.

Mehazi: Batutat e Ramës në Prishtinë, ishin nënçmuese, perverse, jo politike, më shumë ishin skenike!

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” komentoi vizitën e Edi Ramës në Kosovë dhe qasjen e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Image
Sulejman Mehazi

Fillimisht, ai tha se kryeministri Rama nuk sjelli diçka të re në Kosovë, përveç batutave nënçmuese, perverse.

“Përveç batutave asgjë të re nuk solli kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Kosovë, u pa dhe u vërejt se batutat e Edi Ramës me Kovaçevskin e RMV-së në Prespë, e kallën opozitën maqedonase me protesta, kurse batutat e tij në Prishtinë, ishin nënçmuese, perverse, jo politike, më shumë ishin skenike të praruara me ironi e sarkazëm, "për të futur xixa" jo në mes Kosovës e Shqipërisë, por në mes Vuçiqit të Serbisë e Kurtit të Kosovës”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Mehazi kritikoi fjalorin e kryeministrit të Shqipërisë, ku në mes të Prishtinës kërkoi leje që ta ketë vëlla edhe armikun më të madh të Kosovës, Aleksandar Vuçiqin.

“Fjalori politik i Edi Ramës: "Kërkojnë të futin xixa mes nesh" a s'është batutë e mprehtë xixash e shpotish për Kosovën dhe Kurtin, ku Rama në mes të Prishtinës para gazetarëve kërkon leje që ta ketë vëlla edhe armikun më të madh të Kosovës, Aleksandar Vuçiqin.

A s'janë batuta cinike fjalët e Edi Ramës i cili për “Ballkanin e hapur” tërësisht është i përfshirë në jetën politike e ekonomike të Serbisë, kurse në anën tjetër "tërësisht i papërfshirë dhe i painteresuar për jetën politike të Kosovës””, theksoi ai.

Më tej, analisti potencoi se është taktik e Ramës që në Prishtinë bëhet dashamirës i Kosovës, kurse sa largohet prej Kosovës me Vuçiqin bëhet më serb se serbët.

“A nuk janë batuta të mprehta politike kur në Ohër kryeministri i Shqipërisë kishte premtuar rrëzimin e Qeverisë së Kurtit, kurse në Prishtinë thotë se: "vetëm Albin Kurti mund ta rrëzojë Albin Kurtin me anë të protestave. Batutaxhiu politik Edi Rama në Prishtinë bëhet dashamirës i Kosovës e flet si shqiptar, kurse sa largohet prej Kosovës me Vuçiqin bëhet më serb se serbët”, nënvizoi Mehazi.

Ndër të tjera, ai tha se Rama qëllimisht me anë të fjalorit të zi përqeshës po tenton t’ia mbyll gojën Kurtit, por kjo tregon se nuk është kryeministër i batutave shqiptare, por i projekteve serbo-ruse.

“Edi Rama, duke i ditur principet serioze politike të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, qëllimshëm përdori fjalorin e batutave për t'ia mbyllur gojën e për ta lënë nën hije, Albin Kurtin, me anë të fjalorit të zi, përqeshës e kurrsesi të bardhë e dashamirës. Kjo tregon se Edi Rama nuk është kryeministër i batutave shqiptare, por i projekteve serbo-ruse”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Tirana dhe Prishtina kërkohen të jenë të bashkuara në çështjen e madhe kombëtare

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli për raportet Kurti-Rama dhe ndikimin e tyre në politikat e dy shteteve shqiptare.

“Në politikë ka pikëpamje unifikative dhe kundërshtime të ndryshme. Bashkimi i masave në një subjekt realizohet në bazë të një ideologjie të njëjtë politike.

Me atë platformë realizohet bashkimi politik, dhe ndërtohen marrëdhëniet ndërpartiake e ndërshtetërore. Tash kemi dy politika që zhvillohen në hapësirën shqiptare. Këtu nuk e futi fare politikën e shqiptarëve në Maqedoninë veriore. Ajo nuk ka asnjë ideologji dhe ndërtohet mbi bazat e përcaktuara nga qendrat e jashtme”, deklaroi ai.

Sipas tij, politika që po e bën PS-janë Shqipëri është shume e paqartë, nuk mund të definohet nëse është e djathtë apo e majtë, prandaj edhe politika e Ramës vështirë të përcaktohet.

Ai përmendi raportet me Serbinë e kriminelit Vuçiq, ku nuk po arrin ta marrë assesi edhe Kosovën në gjirin e projektit të “Ballkanit të hapur”.

“Në Tiranë kemi një politikë që po bëhet nga Edi Rama nëpërmjet PS-së në Shqipëri. Kjo politikë është e paqartë dhe nuk mund të futet në politikë të majtë a të djathtë, të qendrës së majtë apo të asaj të djathtë. Është një politikë e të gjitha përcaktimeve ideologjike. Këtej nuk mund të përcaktohet z.Rama me punën që bënë qoftë brenda, qoftë në raport me jashtë. Sidomos në raport me Serbinë e kriminelit Vuçiq dhe me “Ballkanin e hapur", z. Rama nuk po arrin të marrë me vete Republikën e Kosovës.

Në këtë çështje kemi ndarje të ashpër midis Tiranës dhe Prishtinës. Zaten, ndarje ka edhe në shumë fusha të bashkëpunimit, mirëpo ka edhe dakordime dhe këtu kemi edhe shumë marrëveshje që u nënshkruan dhe për të cilat nuk dihet fati i tyre. Bashkëpunimi midis Tiranës dhe Prishtinës është shumë i ulët”, theksoi profesori.

Kurse, edhe sa i përket politikës në Prishtinë Kelmendi kishte disa kritika, ku tha se ka luhatje dhe mungesë të konsistencës, ku edhe më pas lindin fërkimet e ashpra ndërmjet Ramës dhe Kurtit.

Ai vlerëson se Kurti dhe Rama po ‘luftojnë’ për vendin e parë, ku të dy duan të jenë të parët.

“Prishtina po bënë një politikë jo konsistente dhe me luhatje të mëdha. Nuk ka qëndrime për shumë çështje jo vetëm në Ballkan dhe në Evropë, por edhe përtej oqeanit. I mungon një platformë qeverisëse, mbështetur në këtë gjendje kemi fërkime të ashpra midis z.Rama dhe z Kurti.

Kjo vjen nga shumë çështje të ndryshme dhe nga mos bashkëpunimi midis dy qeverive. Tirana dhe Prishtina vuajnë nga pozita e të parit që tërheq dëgjueshmërinë e të dytit. Tamam si fjala popullore: "Dy atllarë nuk lidhen në një mullar".

Tirana e ka atllarë Edi Ramën, ndërsa tash e ka atllarë Prishtina Albin Kurtin. Të dy këto qeveri udhëhiqen në mënyrë autoritative. Atë që e përcakton z.Rama e merr PS-ja dhe qeveria në Tiranë, sikundër edhe ajo që caktohet nga z.Kurti, e që në mënyrë autoritative e merrë qeveria dhe VV-ja në Prishtinë. Këtu është burimi i fërkimeve. Të dy duan të jenë të parët”, konsideroi ai.

Tutje, profesori nuk e mohoi se këtë përçarje të madhe mes kryeministrave shqiptar e ka sjell projekti i “Ballkanit të hapur”, por ndarja e tyre vjen edhe nga pretendimet për pozitën e të parit në politikën shqiptare.

“Pra, nuk është fakt se "Ballkanin e hapur" e ka ndarë z.Rama nga z. Kurti. Për këtë as që bëhet fjalë. Ndarja vjen nga pretendimet për të parin vend në skenën politike shqiptare. Këtej kërkohet dhe punohet që të rrëzohet kjo apo ajo qeveri.

Në Tiranë është ulur z.Rama fortë në karrigen e Kryeministrit. Edhe në Prishtinë kemi një stabilitet të fortë të Qeverisë Kurti, ku kjo Qeveri i ka mbi 50% të votave. Kështu është bërë e pamundshme udhëheqja nga njëri a tjetri në hapësirën shqiptare. Dhe, natyrisht se punohet për rrëzimin e qeverisë”, nënvizoi ai.

Sa i përket thënies së Ramës se “Kurtin e rrëzon vetëm Kurti”, Kelmendi beson se më këtë deklaratë kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi kryeministrin e Kosovës për një gjë.

“Thënia: "z.Kurti e rrëzon vetëm Kurti" . Kjo thënie tregon se punohet për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Më qartë se nga citati i tillë nuk ka si del vullneti për rrëzim.

Kuptohet se me këtë citat, z.Rama, ia tërhoqi vërejtjen z.Kurti për të mos e bllokuar "Ballkanin e hapur". Ai kështu kërkoi anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, sikundër edhe dialogimin në shtetin serb. Thënia “Albini e rrëzon Albinin" këtu e ka burimin. Thjesht ose eja në këtë rrugë ose Albini do të rrëzohet vetë sepse nuk i pranoi këto dy rrugë të mëdha”, potencoi profesori.

Në fund, ai tha se janë shumë jo normale këto raportet mes Ramës dhe Kurtit, ku dihet se Serbia është shumë radikale dhe cilësohet si kërcënim i hapur për luftëra të reja në Ballkan.

"Serbia është në pozitë të rëndë në mes të perëndimit dhe të lindjes” ishte deklarata e z.Rama. Dhe, meqë është kështu, vazhdon: “Kërkohet të punohet me shtetin serb për t’mos u radikalizuar Serbia. E nëse bëhet kështu, Shqipëria është në anën me Kosovën". Kjo është një deklaratë me dy qëllime: Në njërën anë, kërkohet bashkëpunim, që gjoja të ruhet nga radikalizimi Serbia, dhe në anën tjetër, përcaktohet pozita e Kosovës dhe e Shqipërisë. Por, ajo që u la këtu pa u përmend është fakti se Serbia është shumë radikale dhe se është kërcënim i hapur për luftëra të reja në Ballkan.

Militarizimi i shtetit serb tregon këtë qëllim. Armatosja e shtetit serb nuk bëhet për pëllumba, por thjeshtë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Këtë e ka deklaruar qartë Beogradi. Duke i ditur këto të dhëna janë anormale fërkimet midis z. Rama dhe z.Kurti. Shqiptarët janë të ndarë në shumë shtete, kjo gjendje detyron bashkëpunim të fortë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Koha nuk është për ndarje, por për bashkim të forcave shqiptare, sepse vetëm kështu ruhet qenia shqiptare në Ballkan”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat