Zhurmagjinjtë kryesorë të opozitës, nesër mund t’i shohim në bankat e të akuzuarve, për krim, zhvatje, hajni... / Fushata e opozitës kundër Kurtit

Politika

Zhurmagjinjtë kryesorë të opozitës, nesër mund t’i shohim në bankat e të akuzuarve, për krim, zhvatje, hajni... / Fushata e opozitës kundër Kurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 qershor 2022 Në ora: 16:53
Kuvendi i Kosovës

Muajt e fundit qeverisës kanë qenë të intensifikuar nga ngjarje dhe procese dinamike.

Në njërën anë trysnia për arritje të marrëveshjeve me Serbinë, siç ndodhi dy ditë para takimit me Bashkimin Europian.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin kryeministër po mundohet që të realizojë planet dhe të marrë vendime të mira për qytetarët e saj, si në punët e brendshme ashtu edhe në diplomaci.

Liderët si Albin Kurti e Vjosa Osmani ashtu edhe Donika Gërvalla kishin takime në vende të ndryshme të Evropës deri në Amerikë, por edhe pritën shumë zyrtarë të lartë perëndimor në vendin tonë, përfshirë kancelarin e Gjermanisë OlafSholc.

Një proces tjetër, që pritej të përfundonte pozitivisht ishte ai për liberalizimin e vizave, por që pati epilog dramatik negativ.

Që me marrëveshjen për energjinë e arritur pak ditë para samitit të BE-së, opozita filloi ta ‘shkundullojë’ politikën e Qeverisë.

Opozita ka një përgjegjësi tjetër, që të kritikojë pushtetin, por jo edhe kur bëhen punë të mira për vendin, t’i përçmojë.

E, ajo ka nisur një fushatë të ‘egër’ ndaj Kurtit, me deklarime nga më të ndryshmet, pastaj protesta nga sindikatat e pavarura, veteranët etj.

Mehazi: Shkurt e qartë partive opozitare tog me Ramën e Vuçiqin ju pengon inteligjenca politike

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi shprehet se kjo fushatë kundër Kurtit bëhet krejt për shkak sukseseve të politikës së jashtme diplomatike të Kosovës.

“Fushata e partive opozitare kundër qeverisë së Albin Kurtit bëhet krejt për shkak tësukseseve të politikës së jashtme diplomatike të Kosovës. Lëvizjet diplomatike të kryeministrit, Albin Kurtit dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, ia kanë dhënë Kosovës atë sharmin e autoritetit faktorizues në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ardhja e kancelarit gjerman, OlafScholz, së pari në Kosovë e më pas në Serbi me projektet përfundimtare për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës, po dhe projektet politike gjermane të përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi për njohje reciproke kanë zemëruar fuqishëm partitë opozitare, atë që partitë opozitare nuk e bënë për njëzetvjet qeverisje, kryeministri i Kosovës mund ta bëjë pasi mbushi një vit qeverisje”, thotë ai.

Sipas tij, sukseset diplomatike të Kurtit dhe Osmanit kanë rrezikuar jo vetëm partitë opozitare në Kosovë, por edhe Ballkanin e hapur të Edi Ramës.

“Të gjitha protestat, sulmet e pakënaqësitë të opozitës për veteranët e UÇK-së, për tërheqjen e parave nga Trusti, për marrëveshjen e BE-së për energjinë me Serbinë, vijnë për shkak frikës korruptive të partive opozitare. Sukseset diplomatike të Kurtit dhe Osmanit kanë rrezikuar jo vetëm partitë opozitare në Kosovë, por edhe Ballkanin e hapur të Edi Ramës, suksesi i diplomacisë së Kosovës ka detyruar kryeministrin e Shqipërisë të vizitojë Kosovën dy ditë pas kancelarit gjerman OlafScholz, i cili kushtëzoi Serbinë që projekti i Ballkanit të hapur të zëvendësohet me Procesin e Berlinit, për marrëveshje të shpejtë në lidhje me dialogun përfundimtar me Kosovën”, deklaron Mehazi.

Në fund, shton se inteligjenca politike e kryeministrit, Albin Kurtit, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit po iu pengon si Ramës ashtu edhe Vuçiqit.

“Shkurt e qartë partive opozitare tog me Ramën e Vuçiqin ju pengon inteligjenca politike e kryeministrit, Albin Kurtit, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Avokimi i kryeministrit të Kosovës për liberalizimin e vizave, për marrëveshjen me energjinë nga ana e BE-së me Serbinë, avokimi i Qeverisë së Kosovës për në NATO, avokimi që pesë shtetet e mbetura të BE-së, Greqia, Qipro, Spanja, Sllovakia e Rumania ta njohin Pavarësinë e Kosovës zemërojnë partitë opozitare të Kosovës së bashku me projektuesit rajonal të Ballkanit të hapur, RamaVuçiq”, përfundon profesori SulejmanMehazi për “Bota sot”.

Qarri: Partitë opozitare kanë pasur dështimet më të neveritshme

Image
Gani Qarri

Analisti politik Gani Qarri, deklaron se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka vënë në pozitë të vështirë opozitën e inkriminuar, e cila çdo marrëveshje e bënte jo me dije dhe politikë, por me faljen e tokave të vendit tonë, deri te kërkesa publike e Thaçit &Co për ndarjen e Kosovës.

“Sukseset e Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, e cila arriti që kancelarin gjerman OlafScholz ta bëjë prijës të jetësimit të njohjes dhe pranimit të Pavarësisë së Kosovës,nga Serbia, si dhe Gjermaninë ta shndërrojë në avokate të Kosovës që me angazhimin e saj praktik, si vendi më i fuqishëm dhe forca prijatare e BE-së, të miratohet raporti nga Komisioni i Parlamentit Evropian, që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet me njohje të ndërsjellë, e ka vënë në pozitë mjaft të vështirë opozitën e inkriminuar, e cila çdo marrëveshje e bënte jo me dije dhe politikë, por me faljen e tokave të vendit tonë, deri te kërkesa publike e Thaçit &Co për ndarjen e Kosovës.

Shto kësaj faktin se partia më e madhe në Gjermani, CDU/CSU ka dalë edhe me një rezolutë të veçantë në Bundestagun gjerman, me të cilën vetëm 1-2 ditë para takimit të BE-së, kërkon nga Gjermania, që të ndikojë tek të gjitha vendet, (mosnjohëse) që ta njohin Pavarësinë e Kosovës, ditë kur shpresohet dhe pritet, që vendet e BE-së përfundimisht të tregojnë vullnetin e tyre të mirë dhe ta miratojnë liberalizimin e vizave edhe për Kosovën. Të gjitha këto e kanë vënë në siklet aq të madh opozitën e inkriminuar sa që ka humbur tërësisht kontrollin në sjellje dhe veprime normale edhe në Parlament”, shprehet ai.

Ai shton se partitë opozitare kanë qenë në rotacion dhe nuk kanë mundur të përfundojnë asnjëherë mandatet e tyre, duke pasur dështimet më të neveritshme në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.

Sipas tij, opozita me qëllime të këqija ndaj qeverisë i ka të pamundura t’i realizojë, sidomos tani që nga Komisioni i Venecias u dha drita e gjelbër për Vetting-un dhe ligjin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme, pjesën kryesore të zhurmagjinjve të sotëm të opozitës, nesër mund t’i shohim në bankat e të akuzuarve, për zhvatje, hajni, detyrime, dhe pasuritë e pajustifikueshme shumëmilionëshe të grumbulluara kundërligjshëm prej tyre.

“Prandaj duke pasur parasysh faktin se partitë opozitare për rreth dy dekada të qëndrimit të tyre me rotacione në pushtet, kanë përfunduar të gjitha qeverisjet parakohshëm dhe me dështimet më të neveritshme në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës, duke e bllokuar vendin tërësisht nga bota e përparuar, ndërsa Qeveria Kurti për vetëm rreth një vit e gjysmë në krye të shtetit, përveç marrjes së pëlqimit nga Komisioni i Venecias për Vetting-un dhe ligjin e konfiskimit të pasurisë, pritet të marrë edhe liberalizimin e vizave dhe të fitojë edhe njohje të reja, për shtetin e Kosovës, i gjithë ky sukses, ka nxitë opozitën e inkriminuar që të ndërmarr këtë fushatë kaq të egër kundër Qeverisë dhe kryeministrit Kurti, në kohën kur ajo po shënon suksese shtetërore veçanërisht në politikën e jashtme”, thotë ai.

Sipas Qarrit qëllimet e këqija të opozitës dhe eksponentëve të caktuar kundër Qeverisë Kurti, dihen tanimë publikisht, por gjasat që ato të realizohen, janë jo vetëm të vogla, por edhe të pamundshme.

“Pas marrjes së pëlqimit nga Komisioni i Venecias për Vetting-un dhe të Ligjin Për Bordin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pjesën kryesore të zhurmagjive të sotëm të opozitës, nesër mund t’i shohim në bankat e të akuzuarve, për zhvatje, hajni, detyrime, dhe pasuritë e pajustifikueshme shumëmilionëshe të grumbulluara kundërligjshëm prej tyre”, përmbylli Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat