A ka përplasje qëndrimesh mes Konjufcës dhe Osmanit!? / A është në rrezik koalicioni LVV-Lista Guxo

Politika

A ka përplasje qëndrimesh mes Konjufcës dhe Osmanit!? / A është në rrezik koalicioni LVV-Lista Guxo

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 qershor 2022 Në ora: 21:34
Glauk Konjufca, Vjosa Osmani, Donika Gërvalla

Së fundmi, temë qendror e diskutimit ka qenë vizita e kryekuvendarit Glauk Konjufca në Hagë, ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së që akuzohen për krime lufte.

Gjatë kësaj vizite Konjufca takoi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, dhe të tjerët.

Me këta të fundit që dikur i kishte rivalë politikë, Konjufca ka thënë se duhet t’i kalojnë të gjitha mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe t’i bashkojnë forcat.

Mirëpo, krahas kësaj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kërkuar drejtësi dhe ka dekoruar viktimat e vrasjeve politike.

Kësisoj, po ngriten dyshime mos ka një përplasje qëndrimesh brenda koalicionit LVV-Lista Guxo.

Njohësit e çështjeve politike dhe kushtetuese folën për “Bota sot” dhe treguan nëse po bëhet presion i dyfishtë, ndaj koalicionit dhe ndaj gjyqësisë, bazuar në këto qëndrime.

Mehmeti: Nuk shoh përplasje apo dualizëm mes Vjosës dhe Glaukut

Analisti politik, Faton Mehmeti në prononcimin për “Bota sot” u shpreh se nuk sheh përplasje mes presidentes Osmani dhe kryekuvendarit Konjufca lidhur me qëndrimet e tyre për Gjykatën Speciale.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Konjufca vizitoi Thaçin dhe Veselin vetëm për t’ia vënë në pah djallëzinë e PDK-së që e themeloi vetë specialen.

“Nuk e shoh këtë si përplasje apo dualizëm mes Vjosës dhe Glaukut, për më tepër e shoh në përputhje me qëndrimet e VV-së si kundërshtare e gjykatës speciale. Por, Glauku nuk i ka vizituar Hashimin dhe Kadriun si njerëz tek të cilët beson në pafajësi, i ka vizituar ata si shkak për të nxjerr pikërisht në pah djallëzinë e PDK-së që vetë e ka themeluar specialen dhe vet e akuzon atë për padrejtësi. Derisa Vjosa ka qëndrimet e saj tashmë të njohura, edhe pse s’janë divergjente me Glaukun”, deklaroi analisti.

Më tej, Mehmeti thekson se Konjufca shkoi si triumfator te Thaçi, i cili ra në gropën që ua kishte përgatitur të tjerëve.

“Nuk shoh dyfytyrësi të koalicionit. Nga vizita e Glaukut në Hagë më shumë se të shqetësuar e shoh kryesinë e tashmë të PDK-së dhe të gjithë ata që e mundësuan themelimin e specialesn. Glauku shkoi si triumfator te Hashimi, i cili ra në gropën që ua kishte përgatitur të tjerëve”, theksoi Mehmeti për “Bota sot”.

Burjani: Koalicioni LVV-Lista Guxo është i brishtë

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në prononcimin e “Bota sot” e vlerëson si të brishtë koalicionin LVV-Lista Guxo.

Image
Blerim Burjani

Mirëpo, pavarësisht kësaj Osmani ka një pozicion që i garanton pozitën e presidentes pasi ajo nuk mund të shkarkohet pa 2/3 e Kuvendit.

“Siç dihet, koalicioni është i brishtë, koalicioni funksionon në saje të interesave. Lista Guxo nuk po arrin të shtrijë ndikimin më të madh në këtë qeveri, ka mbetur me të njëjta pozicione prej kur është pajtuar me VV-në për qeverisje të përbashkët.

Lista Guxo me kalimin e kohës do të jetë ndoshta në pozicion më të dobët brenda kësaj qeverie, e cila nuk ka qasje në politika të larta që bën VV-ja pa listën, Vjosa ka një pozicion që asaj i garanton pozicionin e presidentes pasi ajo nuk mund të shkarkohet pa 2/3 e Kuvendit”, deklaroi juristi.

Sa i përket, vizitës së Konjufcës në Hagë, e cilësoi si të natyrshme, ku nuk ka asgjë nga kjo temë që mund të kufizohet pushteti gjyqësor.

“Shkuarja e Konjufcës në vizitë te liderët e UÇK-së është e natyrshme, dhe kërkesa e tij për një mekanizëm kontroll ndaj gjykatës, e gjykata nuk pranon asnjë lloj ndikimi apo mekanizmi që redukton fuqi gjyqësore, pra nuk ka asgjë nga kjo temë që mund të kufizohet pushteti gjyqësor, së pari Vjosa sa e ndien veten LDK edhe pse është presidente”, nënvizoi Burjanit.

Ndër të tjera, juristi kritikoi sistemin që e lejoi kandidatin për president të jetë anëtar partie, e më pas të jepte dorëheqje nga pozicioni paraprak.

“Kosova ka një sistem absurd ku kandidati për president mund të jetë anëtar partie, por në momentin e zgjedhjes ai duhet të heq petkun partiak apo anëtarësinë gjë që është qesharake, presidenti duhet të jetë person jo partiak dhe unifikues i institucioneve e kjo nuk po ndodhë asnjëherë në Kosovë. Vjosës nuk besoj se i intereson asgjë përveç pozitës që ka. E kjo pozitë është për të jetike dhe ka qenë një lloj premie llotarie, andaj ajo nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj shqetësimi përderisa shqetësimi do të jetë për Listën GUXO, e cila nuk e ndien veten me LDK-bnë, e as fraksion, problemi kryesor mbetet forcimi i partisë që nuk po e arrin dot”, potencoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

Kelmendi: Çështja e shtetaseve të Kosovës të arrestuar dhe që gjenden në Den Hagë është problem për qeverinë dhe për Republikën

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, dënimi i të arrestuarve me akuzat e bëra janë rrezik për shtetin.

“Çështja e shtetasve të Kosovës të arrestuar dhe që gjenden në Den Hagë është problem për qeverinë dhe për Republikën. Dënimi i të arrestuarve me akuzat e bëra është rrezik për shtetin. Pavarësisht se kush është arrestuar, nëse çështja penale do të ishte në Kosovë dhe e pa lidhur me UÇK-në, nuk do të kishte reperkusione për Republikën. Akuzat në Den Hagë janë të rënda, synohet që UÇK-në ta paraqesin si organizate kriminale. Pra, tendenca është që nëpërmjet të të akuzuarve, të dënohet UÇK. Kjo, kështu nuk është me çështje e fërkimeve partiake në Kosovë, por mbanë vulën e luftës kundër subjektit çlirimtar, që nuk lidhet me parti”, vlerësoi ai.

Por, për dallim nga Kelmendi dhe të tjerët që mendojnë si ai, të gjithë prokurorët e speciales, që nga Uilliamsoni, kanë thënë se ky proces është rast për pastrimin e emrit të UÇK-së, dhe akuzat ndaj disa personaliteteve nuk janë akuza ndaj organizatës.

Kelmendi përmendi dy vija të pushtetit, ata që e përkrahin UÇK-në dhe ata që e kundërshtojnë atë.

“Tash kemi dy vija që janë në pozitën e pushtetit në Kosovë:

1. Është vija e modifikuar që UÇK-në e konsideron forcë çlirimtare dhe,

2. Vija tjetër, e cila UÇK-në e konsideron në organizatë të bashkimit kriminal.


Për opozitën, si PDK, AAK dhe LDK, nuk po diskutohet. Këta me ndryshime të vogla, kryesisht nga LDK-ja, e përkrahin UÇK-në. LDK ka rezervat e veta.

Këto dy vija të konsoliduara politike gjenden në një grup qeverisës, por që kanë fërkime të theksuara mu për UÇK-në”, thotë njohësi i çështjeve kushtetuese.

Më tutje, ai kishte disa kritika lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, duke shtuar se atje gjykohen individët dhe jo UÇK-ja.

Duhet thënë se Gjykata Speciale në Den Hagë ka rrëshqitur në çështjen pse është formuar nga Kuvendi i Kosovës. Kjo, për faktin se kjo gjykatë nuk është formuar për të pasur objekt gjykimi UÇK-në. Ajo u formua për individët e UÇK-së. Këtu është e keqja.

Gjykata në Den Hagë po akuzon nëpërmjet të akuzuarve edhe UÇK-në. Thënia: "Bashkim për veprimtari kriminale".

Ku është ky bashkim? Në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së!

Këtu nuk ka qartësi. I takon gjykatës të precizojë, kjo është çështje e shtetit të Kosovës dhe këtu i takon si problem që tëra strukturat e shtetit të merren me këtë gjykatë”, konsideroi Kelmendi.

Ndër të tjera, ai kërkoi që institucionet e vendit të mos e lejojnë që ndaj UÇK-së të bëhet gjykim, gjykimi në Hagë të bëhet vetëm ndaj personave të akuzuar.

“Akuzat ndaj UÇK-së e dëmtojnë shtetin tonë dhe të ardhmen e Republikës, prandaj edhe kërkohet një interesim i shtuar në rastet gjykuese.

Kosova nuk duhet lejuar që ndaj UÇK-së të bëhet gjykim, gjykimi në Den Hagë të bëhet vetëm ndaj personave të akuzuar.

Ka fakte mjaft domethënëse për luftën e drejtë të UÇK-së, çdo akuzë ndaj saj është akuzë ndaj shtetit. UÇK-ja ka qenë dhe mbetet organizatë çlirimtare”, nënvizoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Edhe në procesin në Hagë nga Tribunali Ndërkombëtar, është përdorur akuza Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, dhe askush thuaja nuk e ka kuptuar si akuza ndaj UÇK-së. Po ashtu, ajo aktakuzë nuk e ka penguar gjykatën që ta shpallë të pafajshëm Ramush Haradinajn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat