“Shtetit i kushtuan 300 milion euro për 6 vjet”/ Tomë Gashi tregon se cila duhet të jetë zgjidhja për veteranët e “rrejshëm” dhe ata të vërtetë

Politika

“Shtetit i kushtuan 300 milion euro për 6 vjet”/ Tomë Gashi tregon se cila duhet të jetë zgjidhja për veteranët e “rrejshëm” dhe ata të vërtetë

Nga: M.L. Më: 27 qershor 2022 Në ora: 21:06
Foto ilustrim

Çështja e veteranëve të luftës është rikthyer në diskutim pas mos futjes së tyre në projektligjin për ngritjen e pagës minimale.

Me protesta para institucioneve të Kosovës veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta kanë kundërshtuar projektligjin në fjalë.

Qeveria e Kosovës nuk po pranon që veteranët të përfshihen në ligjin për pagën minimale, pa u pastruar fillimisht listat.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai ka thënë se për 6 vjet veteranët e “rrejshëm” i kanë kushtuar Kosovës 300 milionë euro.

Image
Tomë Gashi

“Shtetit të Kosovës për 6 vjet i kanë kushtuar 300 milionë euro dhe një pjesë e tyre nuk janë fare veteranë, të gjithë po e thonë këtë.

Është mëkat që veteranëve të vërtetë po ua vjedh kontributin dikush që nuk është i tillë.

Ka zëra që dikush që e ka marr në çfarëdo mënyre këtë status luftën e ka pa veç në televizor, këtë në media e tha një veteran para pak ditëve”, ka thënë Gashi për “Bota sot”.

Më 26 prill të këtij viti, aktgjykimi lirues për 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” është prishur nga Departamenti Special i Gjykatës së Apelit.

Nga kjo rrjedh se në bankën e të akuzuarve do të kthehen edhe njëherë anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së. Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari me vendimin e Gjykatës së Apelit pritet të gjykohen edhe një herë për të njëjtat akuza.

Avokati Tomë Gashi, ka lidhur me rigjykimin ka rikujtuar deklaratën e Agim Çekur se numri i veteranëve ka qenë më i vogël se sa që po paraqitet.

Sa i përket rigjykimit unë besoj që nuk është e ndershme të prejudikohet vendimi gjyqësor, por dihen deklaratat publike edhe të vet Agim Çekut që ka deklaruar shumë herë se numri i veteranëve ka qenë shumë më i vogël se që po paraqitet tani një numër prej 60 mijë veteranëve

Bile ai pati deklaruar se me pas qenë ky numër i veteranëve nuk ka pas nevojë farë të intervenoj NATO dhe sikur të kishte kaq ushtarë do të shkoje në deri në Beograd”, ka potencuar Gashi.

Ai ka thënë se e vetmja zgjidhje për këtë problematikë është pastrimi i listave fillimisht, e pastaj ngritja e pagesës për kontribut për veteranët e vërtet.

“Po ashtu, mendoj se atyre duhet të ju mundësohet të punojnë”, ka përfunduar Gashi.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtaret e komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat