Ish-ambasadori holandez: Ky shtet është përgjegjës pse s’ka viza, Kosovës do t’i duhet shumë punë përballë tij

Politika

Ish-ambasadori holandez: Ky shtet është përgjegjës pse s’ka viza, Kosovës do t’i duhet shumë punë përballë tij

Nga: A.ZH Më: 28 qershor 2022 Në ora: 20:03
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka thënë se Franca është përgjegjëse se pse çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk u diskutua në Samitin e Bashkimit Evropian, të mbajtur javën e kaluar në Bruksel.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish-ambasadori Bosch ka thënë se Kosovës i duhet shumë punë për ta bindur Parisin, për të hequr regjimin e vizave. Megjithatë, sipas tij, mund të jetë më e lehtë pas formimit të qeverisë së re atje.

“Pikërisht në takimin me gjashtë vendet ballkanike u diskutua për këtë. Nuk u fut në rend dite dhe Franca si kryesuese është përgjegjëse. Pra, duket se ka vërtet punë përballë Parisit. Ndoshta pasi të formohet qeveria e re atje, mund të jetë më e lehtë, por zgjerimi nuk është i popullarizuar në Francë, kështu që duhet kuptuar tani se liria e vizave nuk është e barabartë me zgjerimin”, ka deklaruar Bosch.

Ai më tej përmend faktin që Amerika e Jugut fitoi liberalizimin e vizave pa kusht të luftimit të korrupsionit, derisa Kosova e shkatërruar nga Serbia, rindërtoi vendin dhe nuk mori lirinë e lëvizjes.

Image
Foto ilustrim

 

“E gjithë Amerika e Jugut mori lirinë e vizave pa u kërkuar atyre të largohen nga korrupsioni . Pra, pse të mos jetë kështu edhe me vendin e fundit në Ballkan? Kosova ka vuajtur aq shumë në vitin 1999 dhe ka arritur ta rindërtojë vendin, madje duke u penguar në të gjitha mënyrat nga Serbia, e cila ishte përgjegjëse për shkatërrimin e madh në Kosovë”, ka thënë Robert Bosch për “Bota sot”.

Ai thekson se lidhur me veprimet e diplomacisë franceze, ekziston një kauzë e fortë e politikës lokale.

“Diplomacia franceze është jo shumë publike dhe është e heshtur. Gjithsesi, unë nuk jam specialist i politikave franceze, por mendoj se ka një kauzë të fortë të politikës lokale”, ka shtuar ish-ambasadori.

Image
Samiti i BE-së i mbajtur të enjten në Bruksel

 

Se Franca është shteti që po bllokon liberalizimin e vizave, e ka thënë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon. Ajo ka akuzuar ministrin e Brendshëm francez Gerald Darmanin, se është njeriu që nuk po e lë të ecë përpara heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Problemi nuk është ai (Macron) dhe këshilltarët e tij, por ministri i Brendshëm. E vështirë”, i është përgjigjur Von Cramon, gazetares gjermane Francizka Tschinderle, pas përfundimit të Samitit të Bashkimit Evropian, që u mbajt të enjten në Bruksel.

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe këtë e ka konfirmuar Komisioni Evropian që nga viti 2018./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat