Teki Dervishi, një gjeneral- aristokrat në letrat e shkrimit shqip, që kurrë nuk u bë “leckë” e pushtetit

Politika

Teki Dervishi, një gjeneral- aristokrat në letrat e shkrimit shqip, që kurrë nuk u bë “leckë” e pushtetit

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 29 qershor 2022 Në ora: 07:55
Teki Dervishi

Letërsia dhe publicistika shqiptare përherë janë identifikuar me emra të mëdhenj, emra që lanë gjurmë të pashlyeshme në memorien tonë e që ishin edhe udhërrëfyes të së ardhmes.

I tillë ishte edhe publicisti, shkrimtari e dramaturgu Teki Dervishi, i cili sot më 29 qershor mbush plot 11 vite nga shkuarja në amshim.

Teki Dervishi, që ishte edhe drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot” dhe një nga themeluesit e saj qysh në fillim para 27 vitesh, iku nga kjo botë më 29 qershor të vitit 2011, pas një sëmundjeje të rëndë.

Tekiun, e kujtojmë edhe në mesin e intelektualëve që vuajtën në burgjet e regjimit komunist serb. Ai, e përjetoi edhe burgun famkeq të Goli Otok-ut!

Në 11 vjetorin e ndarjes nga jeta, Teki Dervishin e kanë përkujtuar bashkëpunëtorët dhe njohësit e krijimtarisë së tij letrare e publicistike.

Emin Azemi: Pa një ridefinim të statusit të Teki Dervishit në letrat tona, postmoderna shqipe ngelet shumë e varfër

Shkrimtari dhe publicisti Emin Azemi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Teki Dervishi nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, por se vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë.

Image
Emin Azemi

“Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë…

Ndërgjegjja njerëzore e etike e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike Nimfa 1970, i Varun me Vargje për drunin e blertë 1971, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981)”, ka thënë Azemi.

Ai ka potencuar se, brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dervishin, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës’’, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet”, përkujton Azemi.

Publicisti Azemi vuri në theks përkushtimin e Teki Dervishit ndaj dramaturgjisë.

Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e fakturës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental, pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’, përmes dramave: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, Bregu i Pikëllimit, Pranvera e Librave, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Kufiri me atdhe, Mbreti i lirë, Vojceku, Eshtrat që vinë vonë, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?

Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte”, u shpreh ai.

Për publicistin Emin Azemi, njohja më cilësore me Teki Dervishin tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona.

Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo nuk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre. Madje postomodena shqipe në Kosovë, pa studimin e thelluar të Teki Drvishit, mbetet një mision i papërfunduar”, përfundoi Ai.

Shahu: Teki Dervishi është modeli i gazetarit, frymëzues e mësues gjithmonë

Për Teki Dervishin foli edhe publicisti dhe shkrimtari Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai për gazetën “Bota sot” , tha se Teki Dervishi ishte modeli i intelektualit antikomunist, duke rikujtuar se me komunizmin u përplas që në fëmijërinë e tij, në kampet shfarosëse të Jugosllavisë.

Image
Kopertina e revistës për Teki Dervishi

“Teki Dervishi është kalorësi aristokrat i letrave shqipe, poet e dramaturg i pashoq. Ai ishte poet edhe me jetën e vet, me sjelljen e vet, me penën e vet dhe si poet jetoi e shkoi. Ai ishte modeli i intelektualit antikomunist, e kish të shkruar në lëkurë, jeta e kish përplase me komunizmin duke e dënuar që në fëmijëri në kampet shfarosese jugosllave. Teki Dervishi është modeli i gazetarit, frymëzues e mësues gjithmonë. Shkrimtarë si Teki Dervishi janë të refuzuar prej vdekjes së ata kanë planetin e pavdekësisë. Unë i kam kushtuar revistën illz, reviste letrare e Tiranes, nr 9 Teki Dervishit shkrimtar”, theksoi Shahu.

Skender Zogaj: Teki Dervishi denoncuesi kryengritës i injorancës

Kurse, shkrimtari dhe publicisti Skender Zogaj, tregoi se me Teki Dervishin është njohur pas kthimit të tij nga burgu famëkeq i Goli Otokut.

Image
Skender Zogaj

Ai e kujtoi Tekiun si njeri me edukatë të mirëfilltë patriotike dhe i pajisur me njohuri të gjera kulturore e arsimore.

Teki Dervishin e kam njohur pas kthimit të tij nga burgu famëkeq i Goli Otokut, kur pushteti e kishte shpallur armik, por një burr i fort arsimdashës e atdhetar i madh, Avdyl Kelmendi nga Balinca e Klinës, që asaj kohe ishte drejtor shkolle, guxon që Tekiun ta pranonte në punë, në shk. fill. “Mustafa Bakija” në fshatin Carrallukë të Malishevës. Tekiu i paisur me edukatë të mirëfilltë patriotike dhe i pajisur me njohuri të gjera kulturore e arsimore, e merr ditarin dhe ndjek shembullin e Migjenit si mësues, dukr u bërë pishtar i fuqishëm i dritës kundër prapambetjes së kohës, jo vetëm në Carrallukë por edhe në mbarë trevën e Llapushës, e cila e kujton me respekt ndërsa nxënësit e tij krenohen që Tekiun e kanë pasur mësues!”, tha Zogaj.

Përveç në publicistikë, Zogaj e kujtoi Teki Dervishin edhe si zëdhënës kryengritës demokrat, që iu kundërvu ligësive të shumta të kohës nën okupim, që rëndonin shqiptarët e Kosovës

“Kjo krenari është krejtësisht e natyrshme, sepse emri i Teki Dervishit më vonë, pas vitit 1972, arrin majat e afirmimit në letërsi e në publicistikë, si poet, dramaturg, romansier, kritik teatror, analist dhe mbi të gjitha si një̈ zëdhënës kryengritës demokrat, që me bagazhin e tij të pasur dituror, iu kundërvu ligësive të shumta të kohës nën okupim, që rëndonin shqiptarët e Kosovës”, potencoi Zogaj.

Ai u shpreh se idetë e Teki Dervishit ishin të rrezikshme për pushtetin jugosllave e edhe për pushtetarët e Kosovës, të cilët e larguan nga Kosova.

Tekiu rrezaton dritë të fuqishme shpirtërore, mirëpo, kjo nuk i pëlqen pushtetit të kohës, sepse idetë̈ e Teki Dervishit ishin të rrezikshme për pushtetin komunist ish jugosllav. Frikën ia kishin edhe pushtetarët e Kosovës, që për ta mbajtur nën zap dhe për t'ia ngushtuar mundësinë vepruese, e largojnë nga Kosova, duke ia lejuar punësimin në Shkup të Maqedonisë̈, në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të kontrolluar rreptë nga pushteti maqedonas. Tekiu i vetëdijshëm për situatën dhe rrethanat ndaj tij, në Shkup "kujdesshëm" e nis punën si gazetar, por, i rreket vrullshëm krijimtarisë letrare dhe i thyen barrierat me cilësinë artistike të botimeve të shumta letrare. Afirmimi ia hap shtigjet e rikthimit në Kosovë. Kjo ndodh menjëherë pas vitit 1974, kur arrihet autonomia e Kosovës dhe shumë shqiptarë të larguar nga Kosova, u mundësohet kthimi në vendin e tyre”, kujtoi Zogaj.

Tekiut nga Shkupi në Prishtinë kthehet në vitin 1984, dhe kjo është koha e tij e më mirë si shkrimtar, poet e romansier, dramaturg e publicist, kritik teatror, eseist.

Në të gjitha gjinitë shkëlqen dhe në të gjitha krijimet i përhershëm është angazhimi intelektual i demaskimit të “...nekrofilisë gjenetike sllavo-staliniste (urrejtja politike) e paparë ndonjëherë̈ në historinë̈ e njerëzimit...” siç shprehet ky atdhetar i madh në një shkrim të tij”, shtoi Zogaj.

Ai foli edhe për punën e Tekiut si drejtor i gazetës “Bota sot” dhe drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Image
Teki Dervishi

“Lexuesit vazhdojnë̈ udhëtimin edhe sot me shkrimet e Tekiut! Ndërsa unë e kujtoj me mallëngjim kohën kur ishim bashkë arsimtarë në Carrallukë, e më vonë shokë e miq dhe kolegë në gazetari. Tekiu u dëshmua edhe si drejtues i zoti i gazetës “Bota sot” për disa vjet, e gjithashtu edhe si drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës”, nënvizoi ai.

Skender Zogaj tha se Tekiu ishte dhe mbetet një nga penat më të mprehta dhe më të suksesshme në letërsinë e re moderne, në dramaturgjinë dhe në publicistikën shqipe!

Tekiun e kam dashur dhe jam përpjekur ta kem model inspirimi sepse ia kam lakmuar kurajën dhe guximin prej intelektuali, që ishte i pakompromis kundër injorancës dhe pseu-dointelektualëve që për interesa personale bëheshin lecka të pushtetit! Tekiu qëndroi tërë jetën i papërkulur, i mjaftoi buka e djersës së tij. Teki Dervishi ishte shumë modest ndër shokë e miq, por një gjeneral- aristokrat në letrat e shkrimit shqip.

Si i këtillë Tekiu ka lënë zbrazëti të madhe, sepse shkoi herët, kur më së shumti i duhej Kosovës!”, përfundoi Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat