Jusuf Buxhovi: Teki Dervishi, ky rebel i përhershëm i letrave shqipe...

Politika

Jusuf Buxhovi: Teki Dervishi, ky rebel i përhershëm i letrave shqipe...

Nga: M.L. Më: 29 qershor 2022 Në ora: 13:26
I ndjeri, Teki Dervishi

Sot u bënë 11 vite nga shkuarja në amshim e publicistit, dramaturgut dhe doajenit të letrave shqipe, Teki Dervishi.

Teki Dervishi ndërroi jetë më 29 qershor të vitit 2011 pas një sëmundjeje të rëndë.

Ai ishte ndër themeluesit e gazetës “Bota sot”, drejtor i saj si dhe drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Për jetën dhe veprën e Teki Dervishit, në një prononcim për gazetën “Bota sot” la folur, akademik Jusuf Buxhovi.

Image
Akademik Jusuf Buxhovi

 

Ai ka thënë se Teki Dervishi ishte rrebel i përhershëm i letrave shqipe, duke rikujtuar se rebelimi i Tekiut, në planin krijues, u pasqyrua herët, qysh në hapat e parë të tij, në fillimet e viteve të gjashtëdhjeta, në faqet e revistës letrare “Jeta e re”.

Krijuesit “rebelë” ose “kryekeqe” janë të rrallë. Shpesh herë të papërsëritshëm. Por, gjithnjë të përhershëm përnga fryma e ideve në planin krijues, intelektual, po doemos edhe në atë shoqëror dhe politik. Ndonëse kjo e fundit, shpesh herë shikohet e shkëputur nga ky trinom. Në hapësirat e këtij trekëndëshi manifestohet kredoja e krijuesit të përmasave që sjell ndryshime radikale (në kuptimin pozitiv) dhe njëherësh ato vazhdojnë të veprojnë edhe pa praninë e tij, meqë ngritën në nivelin e modelve, të cilave doemos u duhen edhe kornizat e lirisë në kuadër të kompleksitetit shoqëror ku ajo edhe sendërtohet.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi. Rebelimi i Tekiut, në planin krijues, u pasqyrua herët, qysh në hapat e parë të tij, në fillimet e viteve të gjashtëdhjeta, në faqet e revistës letrare “Jeta e re”, kur ai me tregimet dhe poezitë e tij, paralajmëroi frymën e moderniteti tutje një dinamike të asaj që pasqyrohej tek gjenerata paraprake (Podrimja, Shkreli, Gajtani, Dedaj e të tjerë në poezi dhe te Pashkut dhe të tjerëve, në prozë). Pak më vonë, me “Bregun e Pikëllimit”, kjo gamë përfshiu edhe dramën, me çka shfaqet krijuesi unikat i letrave shqipe i suksesshëm njësoj në tri zhanret e letërsisë. Fillimisht dukej se ky dimension, do të mund të çrregullonte linjat e ndonjërës, por, u pa se ato vetëm sa plotësuan njëra-tjerën, deri aty saqë të krijohet një ndërvartësi identitare midis tyre, ku poezia ndërthurë dramën, drama ndërhyn në dinamikën e prozës (te romani maestral “Herezia e Dërvish Mallutës”) dhe proza merr dimensione lirike ( te romani emblematik “Pirgu i lartë”)”, ka thënë Buxhovi.

Akademik Buxhovi rikujtoi se “Rebelimi intelektual i Tekiut, gjithsesi lidhet me atë të një krijuesi që është në gjendje t’i kuptojë proceset shoqërore dhe politike që në zanafillë, t’i interpretojë drejtë, pa disonancë midis deklarimit dhe veprimit, që jo rrallë kthehet në një kurth për ata që i nënshtrohen pragmatizmit politik ose rreshtimeve të gabuara historike si sfidomë të përhershme.

“Këtu dhe të këto çështje, Teki Dërvishi, shfaqet thuajse i veçantë. Ngaqë, nga i burgosuri politik (si nxanës i shkollës së mesme, i dënuar për “veprimtari irredentiste” me burgim, që do ta vuaj në Goli Otok), aspektin ideologjik të irredentizmit që asokohe karakterizonte shumë nga grupet ilegale, do ta zëvendësojë me parimin e lirisë në kuadër të barazisë, i manifestuar me kërkesën për “Republikën e Kosovës”, si një parakusht për çlirimin nga pushtimi sllavo-komunist, po qe se rrjeshtohet në anën e aleatëve perëndmorë. Tekiu, pra qysh nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta dhe fillimi i viteve të shtatëdhjeta, i hetoi tektonizmat gjeostrategjike në kuadër të bipolarietit blokist, që do të shpërthejnë pak më vonë dhe do të përfundojnë me rrënimin e sistemit komunist, që ua hapi rrugën ndryshimeve epokale mbas rrënimit të Murit të Berlinit në vitin 1989”, ka thënë ai.

Mbi këtë parim sipas Buxhovit, Teki Dervishi mbrojti edhe lëvizjen kombëtare të fund-viteve të tetëdhejta dhe të nëntëdhjeta, që solli edhe te çlirimi dhe së fundi edhe te shteti i pavarur i Kosovës.

“Mbi këtë parim dhe kahun e saj të pandalshëm, ai mbrojti edhe lëvizjen kombëtare të fund-viteve të tetëdhejta dhe të nëntëdhjeta, që solli edhe te çlirimi dhe së fundi edhe te shteti i pavarur i Kosovës.

Por, këtë të arritur të madhe historike, krijuesi letrar parexselans, Teki Dërvishi, nuk e pa si çështje të kryer. Përkundrazi, ia parashikoi rrezikun për shtetin e Kosovës, po qe se çlirimi nuk do të kthehet në liri të plotë, pra në një shoqëri të lirë dhe demokratike dhe, po qe se, identiteti kombëtar do të konvertohet në atë fetar. Kështu, qendrimet e tij publike rreth kësaj çështje, sot më shumë se kurrë, vazhdojnë të sfidojnë po edhe të konfrontojnë shoqërinë tonë mbi bazat e përcaktimeve ekzistenciale... “, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat