Opozita nuk do që të zbulohet krimi i organizuar dhe korrupsioni! Analistët tregojnë prapaskenat

Politika

Opozita nuk do që të zbulohet krimi i organizuar dhe korrupsioni! Analistët tregojnë prapaskenat

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 qershor 2022 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike. Partitë politike, si opozita dhe ashtu pozita nuk po arrijnë të gjejnë bashkëpunimin e duhur për tema me rëndësi të mëdha.

Që nga marrja e pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje, partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK) në vazhdimësi po kërkojnë hetime dhe po formojnë komisione për hetime, përfshirë në fushën energjetike.

Mirëpo, opozita siç duket ka harruar krimin dhe korrupsionin që ka lulëzuar në kohën sa ato ishin në qeverisje.

Kanë mbyllur ‘veshët’ dhe ‘sytë’ ndaj keqpërdorimeve të kaluara dhe tani merren me partinë që ka vetëm pak më shumë se 1 vit në qeverisje.

Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” komentuan njohësit e çështjeve politike, Rexhep Elezaj dhe Skënder Zogaj.

Elezaj: Kritikat hakmarrëse të partive opozitare ndaj qeverisë Kurti

Image
Opinionisti Rexhep Elezaj

Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” thotë se partitë opozitare janë në shok që nga humbja e rëndë e 14 shkurtit (2021).

Ai thotë se ato ende nuk po mund ta pranojnë faktin se kanë humbur privilegjet e pushtetit, të cilat i keqpërdorën sa ishin në qeverisje.

“Mendoj se tri partitë aktuale opozitare, LDK, PDK dhe AAK, ende gjenden në komë klinike për shkak të humbjeve drastike në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, me ç’rast përjetuan shok politik, sidomos LDK-ja, e cila për shkak të lidershipit të amortizuar do i humb zgjedhjet, por edhe privilegjet e shumta që ishte mësuar t’i shpërdorojë për interesa të individëve dhe grupeve të interesit brenda saj.

PDK-ja e kishte të qartë se do i humbte zgjedhjet meqë me shkuarjen në Hagë të dy liderëve të saj po përjetonte goditje të rënd, nga e cila ende nuk po arrin të konsolidohet, ndërsa AAK-ja, duke mos ia ditur hallin vetes, se është një subjekt minorë politik në Kosovë me peshë krejtësisht të vogël, ajo do hynë në zgjedhje me pretendime shumë më të mëdha se sa e kishte kaçikun, por e cila u mjaftua me kalimin e pragut zgjedhor, duke vazhduar me ëndrrën e saj se një ditë prapë do ta merr pushtetin në Kosovë..”, deklaroi opinionisti.

Elezaj përmendi edhe disa nga keqpërdorimet më të mëdha që u bënë gjatë kohës sa LDK, PDK dhe AAK ishin në qeverisje.

Bazuar në këtë, ai beson se këto subjekte politike që po e sulmojnë partinë në pushtet, si qëllim kryesor e kanë mbulimin e vjedhjeve, hajnive dhe plaçkitjeve që ia kanë bërë shtetit dhe popullit të Kosovës.

“Pra, këto tri parti, tani në opozitë, duke qenë në pushtet për një kohë bukur të gjatë, dhe të vetëdijshme se gjatë qeverisjes së tyre niveli i korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik, të keqpërdorimit flagrant të tenderëve dhe investimeve të huaja në Kosovë, siç ishte rasti i 52 milionë eurove me “Bechtel-Enkan”, aferat e shumta korruptive, keqpërdorimet e pasurive shoqërore dhe shtetërore, siç ishte blerja e qindra hektarëve toka me çmime qesharake prej 1 deri në 3.7 euro për një ari tokë, etj., e gjithë kjo barrë e rëndë, të cilën e bartin me vete këto tri parti, si përgjegjëse për shumë dështime në planin e brendshëm dhe të jashtëm, me kalimin e tyre në opozitë, natyrisht se nuk kërkojnë ndëshkimin e vetvetes, ngaqë nuk janë aq të marra sa ta dënojnë vetveten, prandaj duke e sulmuar partinë në pushtet, si qëllim kryesor kanë mbulimin e vjedhjeve, hajnive dhe plaçkitjeve që ua kanë bërë shtetit dhe popullit të Kosovës duke keqpërdorur në mënyrë bizare pozitat që kishin derisa ishin në pushtet”, theksoi ai.

Më tej, opinionisti potencoi se të gjitha akuzat që partitë opozitare po ia bëjnë qeverisë Kurti janë më shumë hakmarrëse dhe për inate politike, se sa që kanë ndonjë fakt për krim dhe korrupsion.

“Mendoj se me akuzat e tyre ndaj partisë në pushtet, pra ndaj qeverisë Kurti, nga këto tri parti opozitare, më shumë vijnë si kritika hakmarrëse si dhe nga inatet personale, se sa nga faktet që kanë për ndonjë keqpërdorim dhe aferë korruptive, sa për të thënë se ja ne si opozitë jemi të zëshëm në mbrojtje të interesave të Kosovës, por duke mos ofruar fakte konkrete për korrupsion dhe keqpërdorime të buxhetit të shtetit”, vlerësoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai tha se opozita po i përdorë kritikat si mburojë, që për aq sa të munden t’i pengojnë organet aktuale të hetuesisë që mos t’ua zbulojë ndonjë aferë korruptive dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit.

“Ka edhe shkaqe të tjera që këto tri parti opozitare i bën të mos e kërkojnë dënimin e korrupsionit derisa vet ishin në pushtet, por më kryesori është se sot kritikat i bëjnë si mburojë që për aq sa munden që t’i pengojnë organet aktuale të hetuesisë që mos t’ua zbulojë edhe ndonjë aferë korruptive dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit të Kosovës. Ne jemi dëshmitarë se mu këto tri parti janë ato që Kosovën e kanë dëmtuar më së shumti siç ishte falja Malit të Zi mbi 8200 hektarë toka të trevës së Rugovës, nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, etj., vendime fatale të cilat do ta përcjellin Kosovën me dekada, si gabime të cilat do u mbesin të varura në qafë, sado që mundohen të arsyetohen para opinionit tonë”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Zogaj: Në Kosovë po përsëritet katërçipërisht historia e Shqipërisë londineze

Image
Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj tha se skena politike në vend nuk është e njëjtë që nga vdekja e presidentit historik Ibrahim Rugova.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se skena politike në vend e ka edhe sensin e realizimit të misionit të saj historik, për shtetin e ri që pas shekujsh në robëri ka rastin ta ndërtoj mëvetësinë dhe të jetoj i lirë dhe jo i varur nga të tjerët.

“Skena politike dhe shtetërore e Kosovës prejse e kanë humbur liderin shpirtëror dhe babain e çlirimit, lirisë, pavarësisë dhe krijimit të shtetit të Kosovës, Presidentin historik dr. Ibrahim Rugova, e ka humbur edhe sensin e realizimit të misionit të saj historik, për shtetin e ri që pas shekujsh në robëri ka rastin ta ndërtoj mëvetësinë dhe të jetoj i lirë dhe i mosvarur nga të tjerët! Kosovës iu dha kjo mundësi, por siç po shihet, nuk po e shfrytëzon sa e si duhet, sepse, as 22 vjet pas çlirimit, edhe pse është shpallur shtet i pavarur, Kosova ende nuk është as e lirë, as e pavarur, por vetëm një oazë eksperimentimesh të të gjitha llojeve shoqërore, politike, diplomatike, ekonomike, gjeostrategjike nga më kontraverset ndërkombëtare”, deklaroi analisti.

Sipas Zogajt, në Kosovë po përsëritet historia e Shqipërisë, ku edhe pas 110 vitesh pavarësie ende nuk ka arritur të bëhet shtet i vërtetë.

“Në Kosovë po përsëritet katërçipërisht historia e Shqipërisë londineze që edhe pas 110 vitesh pavarësie ende nuk ka arritur të profilizohet dhe të bëhet shtet i vërtetë! Dhe, kjo ka ndodhur për shkak të vet shqiptarëve të cilëve u mungon vetëdija dhe vullneti i duhur shtetformues! Ngjashëm po ndodh me Kosovën e cila në 22 vjet lirie zhurmon si teneqe e ndryshkur dhe nuk po arrin që të zotëroj një qeverisje minimalisht të duhur e stabile të vendit”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti kritikoi gjendjen aktuale në Kuvendin e Kosovës, ku sipas tij është bërë arenë gladiatorësh, që në vend të trurit tregojnë muskujt dhe zhvillojnë debate injorante.

“Kjo paaftësi është absolute, e të gjitha subjekteve politike, të cilat janë rrokullisur njëra pas tjetrës, secila më e dobët dhe më e keqe se shoqja! Dëshmi është gjebja aktuale që e shohim në Parlamentin e Kosovës, që është bërë arenë gladiatorësh, që në vend të trurit tregojnë muskujt dhe zhvillojnë debate injorance, aspak të denja dhe në interes të vendit dhe popullit”, u shpreh Zogaj.

Në fund, ai mirëkuptoi qeverinë, por jo edhe opozitën, e cila sipas tij nuk është duke e kryer aspak detyrën e saj, pasi nuk po merret me problemet serioze të vendit.

“Pozitën e kuptojmë, duhet ta ka ruaj pushtetin e fituar, por si ta kuptojmë opozitën, e cila po sillet me një komoditet të ndërkryem, vërtetë të habitshëm, me gufe individësh injorantë që s'dinë se ç'duan dhe me të tjerë që duke ua mbajtur zhagun e ruajnë intelektualizmin e tyre bastardesk, duke dëshmuar se më shumë se interesi i vendit, për ta është interesi personal! Opozita nuk është duke e kryer aspak detyrën e saj. Opozita nuk do që të merret me problemet serioze të vendit, siç është krimi i organizuar dhe korrupsioni! Dhe meqenëse nuk kërkon hetim dhe ndëshkim të krimit, atëherë del se as vet opozita nuk është e pastër”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat