“Më mori malli për Hashimin”/ Mehazi: Gjykata Speciale e Hagës duket se është bërë hani pushues i Hashim Thaçit

Politika

“Më mori malli për Hashimin”/ Mehazi: Gjykata Speciale e Hagës duket se është bërë hani pushues i Hashim Thaçit

Nga: M.L Më: 30 qershor 2022 Në ora: 19:13
Hashim Thaçi, foto ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se arsyeja pse donte ta vizitonte ish presidentin Hashim Thaçi në Hagë, ishte mallëngjimi që ndjente për të.

E pas Ramës, Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK-së që ndodhen në Hagë u shkuan për vizitë duke filluar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, depuetët, këshilltarë e ish këshilltarë.

Të gjithë këta duket se janë “mallëngjyer” për ish krerët e shtetit, që për t`u gjykuar nga Gjykata Speciale, u dorëzuan vullnetarisht dhe tani ndodhen në paraburgim.

Kuvendi i Kosovës, ishte organi që i kishte thënë po Gjykatës Speciale, pikërisht me insistimin ish Presidentit Hashim Thaçi.

Në aktakuzën ndaj tyre përfshihen edhe hetimet për vrasje e torturime të kundërshtarëve politik.

Cezary Michalczuk, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në një nga seancat gjyqësore, do të shkonte edhe një hap më tutje duke thënë se të gjitha viktimat e Sali Mustafës ishin shqiptarë, pjesë e LDK-së

“Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, kishte thënë mes tjerash Cezary Michalczuk.

Anadaj, tendenca e disa përfaqësuesve politik e shtetëror që me vizitat e tyre t`i “rehabilitojnë” të akuzuarit në Hagë, është edhe një plagë më shumë në zemrat e familjarëve të të vrarëve për motive politike.

Këto vizita për gazetën “Bota sot” i ka komentuar analisti Sulejman Mehazi. Sipas tij vizitat e shumta kanë dhënë shpresa se të burgosurit në Hagë mund të rikthehen si fitimtarë në Kosovë për të vazhduar luftën politike kundër LVV-së së Kurtit.

“Se qëllimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, në Hagë për të vizituar ish-kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin, nuk paskësha qenë vetëm humane, por si duket më shumë ka qenë politike, kjo po vërehet nga vizitat e shumta të elitës politike në Kosovë, duket sikur sherri politikë i vizitës së zotëri Edi Ramës në Hagë ua ka kallur kureshtjen edhe politikanëve të Kosovës, kryeparlamentarit Konjufcës, grupit të deputeteve të Kosovës e kështu me radhë derisa të shkojnë ta vizitojnë Hashimin dhe Veselin edhe simpatizantët e thjeshtë të PDK-së.

Ditëve të fundit duket sikur vizitat e shumta kanë dhënë shpresa se të burgosurit në Hagë mund të rikthehen si fitimtarë në Kosovë për të vazhduar luftën politike kundër LVV-së së Kurtit i cili fuqishëm mundohet të luftojë korrupcionin e partive të mëparshme në pushtet”, ka thënë Mehazi.

Ai thotë se, këto vizita të shpeshta në Hagë ngjajnë në shkuarjen në restorante pijesh e ushqimesh private të Thaçit e Veselit

“Sikur në Kosovë është bërë një ambient politikë në favor të Hashim Thaçit sa që këto vizita të shpeshta në Hagë duken se nuk janë dhoma të diciplinuara të Gjykatës Speciale, por duken si restorante pijesh e ushqimesh private të Thaçit e Veselit, kush e cili do mund të shkojë të vizitojë Thaçin e të kthehet në Kosovë”, shprehet ai.

Mehazi protencon se vizitat e shpeshta në Hagë na bëjnë të dyshojmë se Hashim Thaçi e partia e tij e PDK-së qëllimshëm kanë krijuar e votuar Gjykatën Speciale për të qenë e tyre, jo për t'u dënuar, por për t'u rrikthyer fuqishën politikisht.

“Gjykata Speciale e Hagës duket sikur është bërë hani pushues i Hashim Thaçit. Duket hapur se Thaçi e sundon Gjykatën Speciale të Hagës, se Gjykata Speciale është në duart e Hashim Thaçit e kurrsesi Hashim Thaçi në duart e gjykatësve të Hagës të cilët që dy vjet paraburgosje gjykatësit nuk guxojnë të dënojnë Hashimin, Kadrinë e të tjerët me radhe.

Vizitat e shpeshta në Hagë na detyrojnë të themi dhe njëherë, se, mos ndoshta Gjykata Speciale e Hagës varet prej Thaçit, e jo Thaçi prej tyre për shkak se këto gjykatës së Hagës i ka punësuar vetë Hashim Thaçi në parlamentin e Kosovës”, ka përfunduar profesori.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat