Naim Miftari: Nëse Blerim Isufaj bëhet kryeprokuror të japin dorëheqje Vjosa Osmani e Albin Kurti

Politika

Naim Miftari: Nëse Blerim Isufaj bëhet kryeprokuror të japin dorëheqje Vjosa Osmani e Albin Kurti

Nga: N. Sh. Më: 30 qershor 2022 Në ora: 23:11
Blerim Isufaj

Tashmë disa muaj në zyrën e presidentes së Kosovës ka shkuar emri i propozuar për kryeprokuror të shtetit, por Osmani ende nuk ka marrë ndonjë vendim për dekretimin apo jo të kandidatit të propozuar nga KPK, Blerim Isufaj, si kryeprokuror i shtetit.

Presidentja Osmani për këtë është deklaruar se janë duke i analizuar materialet shtesë të dërguara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe çdo rrethanë të krijuar lidhur me këtë proces.

“Ne jemi duke i analizuar materialet shtesë që i ka dërguar Këshilli Prokurorial i Kosovës sepse dosja që është dërguar nuk ka qenë e plotë, tani janë në analizë e sipër, dua ta potencoj që kemi marrë vërejtje të shumta që janë konstatuar nga ana e organizatave monitoruese, qofshin ata partnerë vendorë si OJQ apo ndërkombëtarë. Dhe në ndërkohë jam njoftuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese që një nga kundërkandidatët e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht që duhet të pritet se cili do të jetë vendimi rreth kërkesës për masë të përkohshme. Në momentin që kemi vendimin përfundimtar i cili merr parasysh të gjitha këto zhvillime që i përmenda, natyrisht që të gjithë qytetarët do të njoftohen sepse nuk është vendim që merret shkel e shko, por duhet t’i ketë parasysh analizat e secilit dokument, por po ashtu edhe ta dëgjojmë zërin e secilit që ka qenë i përfshirë në këtë proces… Ligji nuk parasheh ndonjë afat (për të marrë vendim), kurse ne jemi duke vepruar sa më parë që të jetë e mundur në analizë të të gjitha dokumenteve që po dorëzohen”, u shpreh ajo.

Mirëpo, ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari po pretendon se, Blerim Isufaj është vazhdimësi e SHIK-ut.

“Ne nuk e dimë se kur do ta thotë fjalën e vet presidentja Osmani, por e dimë fort mirë se kandidati i KPK-së Blerim Isufaj është vetëm vazhdimi i Prontos SHIK-iste apo hajgare me drejtësinë e Kosovës. Zgjedhja e Blerim Isufit nga KPK-ja e kapur fort prej SHIK-ut ilegal, i ka shkel të gjitha normat ligjore dhe etike, dhe është kritikuar ashpër nga shtetet e Quintit në krye me ambasadën Amerikane, duke shprehur shqetësimin serioz se KPK-ja është ngutur që në shpejtësi ta zgjedh kryeprokuror kuadrin e rekrutuar prej Adem Grabovcit e të Isa Mustafës”, shprehet ish-eprori i lartë i UÇK-së.

Miftari thekson se, nëse lejohet vazhdimi i SHIK-ut, atëherë duhet të japin dorëheqje Albin Kurti e Vjosa Osmani.

“Nëse Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti lejojnë që të vazhdohet avazi i vjetër, që në këtë rast kryeprokurori i shtetit, por edhe gjyqtarët e prokurorët e tjerë vendosën nga Pronto-Mafia politike e SHIK-iste e ish pushtetit që pothuajse KPK-në, KGJK-në, Policinë dhe AKI-në i ka privatizuar pjesë-pjesë për interesat e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, atëherë si kryetarja e shtetit, si dhe kryeministri duhet të japin dorëheqje të menjëhershme dhe me tregu se nuk mund të mbajnë rend dhe ligj në çerdhen e krimit të organizuar të quajtura kinse institucione shtetërore të drejtësisë, pasi që nga viti 1999 e deri tani 2022 vetëm fukarenjtë e të pakrahët janë dënuar e maltretuar në Kosovë ne Kosoven e kapur”, potencon Miftari.

Ai shton se deri tani ligji ka vlejtur vetëm për qytetarët e thjeshtë.

“Pra vetëm për qytetarët e thjeshtë ka vlejtur ligji pasi për krimin e organizuar dhe të korruptuarit që e kanë pasur në mbështetje Mafian e klanit PRONTO, KPK, KGJK, Policia dhe AKI janë treguar e dëshmuar vetëm si mburojë që bënin e po bëjnë avokatinë në mbrojtjen e krimit të urganizuar e të mirëstrukturuar deri në majat e institucioneve të drejtësisë!”, përfundon ai.

Në një deklaratë në muajin prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i ka komentuar kritikat, por ka thënë se, sipas këtij institucioni, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit “është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivitet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci”.

Por, të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes janë shprehur në muajin prill edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka thënë se KPK-ja nuk i ka respektuar rregullat që ky proces të ishte i drejtë dhe transparent.

“I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, ka thënë Szunyog nëpërmjet një reagimi në Twitter.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se “kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara”, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shpreh shqetësim për “mënyrën se si KPK-ja i ka kryer këto procedura dhe e ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë në KPK-në si institucion publik”.

Më 13 qershor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Por, ndryshe nga afati ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat