Vizitat e deputetëve në Hagë, fyerje dhe persekutim psikologjik ndaj familjarëve të viktimave të vrasjeve politike?! / Pse po anashkalohen?

Politika

Vizitat e deputetëve në Hagë, fyerje dhe persekutim psikologjik ndaj familjarëve të viktimave të vrasjeve politike?! / Pse po anashkalohen?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 korrik 2022 Në ora: 10:09
Foto ilustrim “Bota sot”

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë po qëndrojnë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Këta po vizitohen shumë shpesh nga politikanë e deputetë. Por, duke i vizituar këta të akuzuar edhe për vrasje politike të shqiptarëve, ndërsa po këta politikanë duke shprehur asnjë interesim për drejtësi për ato viktima, po vlerësohet edhe si fyerje dhe dhunë psikologjike ndaj familjeve të viktimave të vrasjeve politike.

Ata po vizitohen nga bashkëpartiakët e dashamirët e tyre po edhe nga “kundërshtarët” që ishin në politikë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka vizituar në Hagë të gjithë thuaja ata me të cilët iu mundësua takimi, ndërsa më pas po nga Kuvendi, edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, Tinka Kurti, Eliza Hoxha e Alban Bajrami, kanë vizituar të paraburgosurit në Hagë, gjithashtu në Hagë ishte edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi etj., duke thënë se “ata më thanë se janë në paraburgim, por mendojnë pozitivisht për të mirën e kombit dhe kjo më ka dhënë shumë emocione”.

Derisa nga ana tjetër kemi edhe familjet e viktimave, të cilat nuk po i viziton askush.

Mehazi: Vizitat te Thaçi e Veseli më shumë kanë karakter ekskursionesh të lyera me humanizëm

Profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot”, vizita i quan më shumë si ekskursion, të nisura nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Image
Sulejman Mehazi

Vizitat e shpeshta të funksionarëve të lartë të Kosovës në Hagë për të vizituar Thaçin e Veselin më shumë kanë karakter ekskursionesh të lyera me humanizëm e kurrsesi ndryshe. Vërehet se këto vizita nuk kanë qëllime politike, por pastër humane-njerëzore. Si zakonisht ne shqiptarët kemi zakone mentalitetesh të çuditshme, nëse njëri e bën një veprim, të gjithë pas vrapojnë për të përsëritur të njëjtin veprim, i pari që vizitoi Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në Hagë ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas tij turr e vrap të gjithë në Hagë radhazi, Glauk Konjufca, tani dhe deputetja Duda Balje me një grup kolegësh të Parlamentit të Kosovës e kështu me radhë e do të vazhdojë deri te simpatizantët e PDK-së në Hagë për ta vizituar liderin e tyre, Hashim Thaçin”, thotë ai.

Sipas tij, Ramës i kuptohet qëllimi sepse ka lëvizje përkrahëse ndaj Thaçit, por Konjufcës nuk ia dimë qëllimin, duke shtuar se vizita e tij ka mbetur enigmë.

“Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, në Hagë mund të ketë qëllime politike, ai pasi u kthye nga Haga jo rastësisht vizitoi familjen e Thaçit në Brojë, dihet se Edi Rama është i njohur me lëvizjet pozitive e përkrahëse ndaj Hashim Thaçit, po nuk mund ta kuptojmë qëllimin e Glauk Konjufcës se ç'kërkoi e pse shkoi të vizitonte Thaçin e Veselin në Hagë, vizita e Konjufcës në Hagë sot e kësaj dite ka mbetur enigmë?! Shumë më e arsyeshme, e logjikshme dhe e mençur do të ishte sikur kryeparlamentari i Kosovës, Konjufca të bënte të kundërtën, të shkonte të vizitonte familjarët e viktimave që do t'ia jepte vlerën e humanizmit vetes, Kurtit dhe LVV-së, po ashtu edhe për grupin e deputetëve do të ishte shumë e çmuar e humane të shkonin të vizitonin familjet e viktimave e jo Hashim Thaçin në Hagë. Vizitat e njëpasnjëshme në Hagë kanë kuptime shëtitjesh e zbavitjesh sa për t'u arsyetuar para Thaçit e Veselit e hiç më shumë”, përfundon ai.

Qarri: Këto vizita krijojnë përshtypjen se janë të porositura direkt nga Serbia

Analisti Gani Qarri thotë se vizitat e Albulena Haxhiut dhe e Glauk Konjufcës, kanë zhgënjyer qytetarët.

Image
Gani Qarri

Vizitat e shumta që po u bëhen të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë, jo vetëm ditëve të fundit, por duke filluar nga Albulena Haxhiu, e cila mban edhe postin e "Ministres së Drejtësisë", si dhe ish pjesëtarit famoz të SHIK-ut, Glauk Konjufcës, tani edhe i pari i Kuvendit, organit më të lartë ligjvënës të shtetit të Kosovës, jo vetëm që ka zhgënjyer në mënyrën më të rëndë qytetarët, por ka bindur edhe vet votuesit më fanatik të VV-së, se kritikat e kësaj partie kundër ish-pushtetarëve të inkriminuar, ishin vetëm farsë dhe mjet për të ardhur në pushtet.

Habit shumë fakti se si në qeverisjen aktuale të koalicionit LVV-Lista Guxo, vizita e të parit të organit më të lartë legjislativ të shtetit, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, u dashtë medoemos të ndodhte vetëm pak kohë pasi Presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani kërkoi drejtësi për shqiptarët e vrarë dhe dekoroi disa nga viktimat e vrasjeve politike, një veprim shumë i hapur kundërshtues i ish-pjesëtarit famoz të SHIK-ut, Glauk Konjufcës, ndaj Presidentes së vendit, që ai e shpreh me kaq arrogancë, duke shkuar ti vizitojë dhe shpreh solidaritetin e vet konspirativ, pikërisht me ata që dyshohen për këto vrasje dhe janë të akuzuarit kryesor të Gjykatës Speciale, të cilët nëse vërtetohen bëmat e tyre, nga gjykata në fjalë, mund të marrin edhe dënime maksimale nga drejtësia e Dhomave të Specializuara në Hagë”, thotë ai.

Derisa për vizitën e kryetarit të Preshevës, thotë se krijohet përshtypja se këto vizita janë të porositura direkt nga Serbia.

Ai më tej kritikon edhe qeverinë aktuale, duke thënë se ka ndryshuar, por jo edhe mënyra e veprimit dhe të perceptuarit të gjendjes politike e juridike.

Madje vizitat e shpeshtuara në Hagë ku së fundi pas Glauk Konjufcës, vizitë të arrestuarve nga Gjykata Speciale u bën dhe një delegacion deputetesh, përfshi edhe kryetarin puçistë të Preshevës, të preferuarin e Aleksandër Vuçiqit, krijojnë përshtypjen sikur këto vizita janë të porositura direkt nga Serbia, të cilat realizohen në seri, përmes argatëve shqipfolës të saj në Kosovë dhe Kosovën Lindore.

Fatkeqësisht këtë konfuzitet fatal po e dëshmojnë edhe zhvillimet më të reja publike të zyrtarëve më të lartë politik dhe shtetëror të VV-së, aktet e të cilëve po vërtetojnë katërçipërisht se në Kosovë ka ndryshuar vetëm partia në pushtet, por jo edhe mënyra e veprimit dhe të perceptuarit të gjendjes politike e juridike, dhe nga element të VV-së, po veprohet njëjtë si në qeverisjen e kapur e të korruptuar nga krimi i organizuar, kurse në kokat e udhëheqësve më të lartë partiak e shtetëror, të VV-së, si zonja Haxhiu dhe mister SHIK-un, Glauk Konjufca, vazhdon të dominojë politika e klanit PRONTO”, deklaron ai.

Në fund shprehet se veprimet e ministres Haxhiu dhe e kryekuvendarit Konjufca ishin të pamatura

Analisti Qarri madje dyshon se brenda VV-së ka njëlloj ‘fraksioni’ të SHIK-ut, që po kërkon sjellje dhe raport tjetër me ish-qeveritarët dhe të burgosurit në Hagë, duke mos i akuzuar për veprat e kryera ndaj shqiptarëve.

Me veprime të tilla të pamatura, të zonjës Haxhiu e veçanërisht nga mister SHIK-u, Glauk Konjufca po ndodh rehabilitimi i hapur publik i të akuzuarve nga gjykata speciale, ndonëse ata akuzohen edhe për vepra të rënda penale si vrasja e shqiptarëve, ani pse qytetarët kanë dhënë më se 51% të votave të veta, për të sjellur njerëz si Albulena Haxhiu e Glauk Konjufca në pushtet dhe pozitat më të ndjeshme shtetërore, si posti i Ministres së Drejtësisë dhe pozita e Kryetarit të Kuvendit, të cilët duket se vetëm në librezat partiake figurojnë të jenë anëtar të LVV-së, ndërsa me sjellje dhe qëndrime, po dëshmojnë hapur, se më tepër anojnë nga SHIK-u, Klani Pronto dhe PDK, apo edhe janë dorë e zgjatur e fraksionit të klikës së Thaçit brenda VV-së”, thotë ai.

Sipas Qarrit, sjelljet e tija të deputetëve e politikanëve përbëjnë fyerje dhe keqtrajtim psikologjik për familjarët e viktimave të vrasjeve politike.

Përndryshe është shumë e habitshme se si, përkundër faktit që të akuzuarit, jo vetëm dyshohen, por edhe akuzohen publikisht për ndalim të paligjshëm, torturim, detyrim dhe vrasje të vizitohen pikërisht nga e para e "drejtësisë" së vendit dhe i pari i organit ligjvënës të Kosovës, gjë që është fyerje dhe persekutim i rëndë psikik e moral edhe për vet familjarët e viktimave të vrasjeve politike, që mund tua kenë dhënë edhe votat e veta znj. Haxhiu dhe Glauk Konjufcës, me shpresën për ndryshime nga politika e kaluar, kur dihet edhe fakti se procesi i gjykimeve në Hagë, mund të vërtetojë aktakuzat për të arrestuarit nga Gjykata Speciale dhe ti nxjerrë të përlyer në aferat e tyre edhe z. Konjufca me shokët e tjerë të SHIK-ut”, përmbylli analisti Gani Qarri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat