Rrezikohet siguria e vendit, zbulohet një informacion sekret – ja si mund të përcillet në Beograd!

Politika

Rrezikohet siguria e vendit, zbulohet një informacion sekret – ja si mund të përcillet në Beograd!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 korrik 2022 Në ora: 18:16
Policia e Kosovës në veri

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja e përgjithshme në vend është stabile.

Mirëpo, Musliu gjatë raportimit të drejtorit të këtij institucioni, Petrit Ajeti ka njoftuar se situata më e brishtë është në komunat veriore, ku Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë së Kosovës.

Më tej, ajo ka bërë të ditur se cak janë lagjja e Boshnjakëve, Kroi i Vitakut dhe Kodra e Minatorëve.

Deputetja e PDK-së ka theksuar se në komision janë njoftuar se Serbia përmes strukturave të saj po bën përpjekje për të rritur gatishmërinë te serbët lokal në raste tensioni.

“Konstatojmë se gjendja e përgjithshme në vend në përgjithësi është stabile. Situata më e brishtë në Republikën e Kosovës paraqitet në kuadër të katër komunave në veri, për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe aktiviteteve të shtuara të strukturave ilegale, grupeve kriminale dhe organizatave të ndryshme radikale. Fatkeqësisht Serbia, përmes strukturave të saj po bën përpjekje për të rritur gatishmërinë te serbët lokal me qëllim të tensionimit të situatës në Kosovë”, ka thënë ajo.

Musliu para mediave ka theksuar se investimet nga Serbia paraqesin kërcënim në rritje, pasi që me këtë po investojnë në grupet kriminale serbe në Kosovë.

“Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë”, deklaroi Musliu.

Gjithsesi këto paralajmërime janë alarmante, ku edhe kërkohet një veprim dhe koordinim i institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.

Shala: Për herë të parë opinioni publik ka dëgjuar një informacion që është tejet i rëndësishëm për sigurinë e vendit

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

E lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Sipas tij, për herë të parë opinioni publik ka dëgjuar një informacion që është tejet i rëndësishëm për sigurinë e vendit

“Deklarimi periodik i bërë nga ana e drejtorit të AKI-së në Komision është në vazhdën e punës dhe detyrimeve që ka ndaj këtij Komisioni dhe duhet theksuar që në këtë deklarim për herë të parë opinioni publik ka dëgjuar një informacion që është tejet i rëndësishëm për sigurinë e vendit”, deklaroi ai.

Më tej, Shala e zbërtheu deklaratën e Musliut, duke theksuar se nga deklarimi mund të nxjerrim një mesazh të fuqishëm edhe për qeverinë e vendit, e cila duhet të investojë në rishikim buxhetor të vendit në këtë strukturë.

“Me lejoni ta zbërthej: Sipas raportimit është potencuar që “shteti i Serbisë ka angazhuar strukturat e saj ilegale për të monitoruar strukturat e sigurisë së Kosovës”.

Pra, nga natyra e punës dihet që AKI-ja vepron e heshtur përmes metodologjisë së saj të veprimit ku nga deklarimi paska identifikuar persona/grupe të cilat paskan për target infrastrukturën e sigurisë së vendit . Me këtë mund të themi që siguria nacionale e Kosovës është duke u monitoruar dhe ruajtur nga struktura e sigurisë së Kosovës (AKI) dhe çfarëdo skenari të mundshëm që mund të inskenohet nga shteti i Serbisë, AKI-ja ka gjitha mundësitë për të vepruar duke parandaluar veprimet e tyre dhe që mund të cenojnë sigurinë nacionale.

Ndërsa, nga ky deklarim mund të nxjerrim një mesazh të fuqishëm edhe për qeverinë e vendit, e cila duhet të investojë në rishikim buxhetor të vendit në këtë strukturë duke garantuar edhe një efikasitet edhe më të gjerë të gamës së veprimit që ka para vetës”, vlerësoi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, ai përmendi rreziqet që mund të kanosen nga shpërndarja e këtij mesazhi.

Shala tha se ky informacion nuk do duhej lejuar që të rrjedhë në asnjë formë pasi cenohet edhe më shumë siguria.

“Dihet që në këtë komision ka edhe nga komuniteti serb, të cilët këtë mesazh do t’ia përcjellin Beogradit, dhe kjo jep një pasqyrë në këto komisione të sigurisë së vendit për të qenë anëtar, duhet me domosdo të rregullohet përmes ligjit që të bëhet verifikimi edhe i deputetëve të parlamentit që marrin pjesë që kështu të garantohet edhe funksionalizmi i këtij institucioni duke mos lejuar assesi të rrjedhin informacione që mund të cenojnë këtë institucion nga deputetët e vendit sepse takimet e tilla me drejtorin dhe strukturën tjetër bëhet larg mediave për arsye të punës senzitive që kanë”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Mehmeti: Kosova, është në luftë me Serbinë në të gjitha format, edhe në atë të shërbimeve sekrete

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedimi për “Bota sot” thotë se Musliu do të duhej që të tregonte se nga i ka marrë këto informacione të tilla, nëse veç janë sekrete.

“Së pari Ganja duhet të tregojë nga i ka ajo këto informacione, nëse janë sekrete ato duhet të mbahen të tilla. Pra, deputetja me këtë deklaratë ose ia ka fut kot ose e ka nxjerr sekretin. Kështu që, institucionet tona duhet të veprojnë konfrom rregullave, përgjegjësive dhe obligimeve që dalin nga Kushtetuta për mbrojte të vendit”, deklaroi ai.

Gjithashtu, ai kërkoi që AKI-ja të përforcohet me teknologji moderne dhe me njerëz më të përgatitur në mënyrë që t’i bëj ballë kërcënimeve dhe rreziqeve.

“Në përgjithësi dihet se Serbia ka elemente të saj, por kur këtë e thotë një deputet duhet të jetë më i kujdesshëm dhe të dijë se çfarë do konkretisht të thotë, në mënyrë që mos të krijohen konfuzitete. AKI-ja të përforcohet me teknologji më moderne, me njerëz më të përgatitur në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik për sigurinë e vendit tonë”, theksoi analisti.

Në fund, ai potencoi se Kosova, është në luftë me Serbinë në të gjitha format, edhe në atë të shërbimeve sekrete.

“Kështu që, të burgosen të gjithë spiunët që punojnë për Serbinë dhe kundër Kosovës. Kosova, është në luftë me Serbinë në të gjitha format, edhe në atë të shërbimeve sekrete”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat