Arsyeja pse Albin Kurti i vendosi reciprocitet Serbisë/ Gjithçka në koordinim me ndërkombëtarët

Politika

Arsyeja pse Albin Kurti i vendosi reciprocitet Serbisë/ Gjithçka në koordinim me ndërkombëtarët

Nga: P.R. Më: 1 korrik 2022 Në ora: 22:37
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Në mbledhjen e fundit, Qeveria e Kosovës miratoi udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Qeveria Kurti vendosi këtë masë reciprociteti, pasi edhe shtetasit e Kosovës i nënshtrohen procedurës së njëjtë gjatë hyrjes në Serbi.

“Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”, ka thënë kryeministri Kurti pas vendimit për reciprocitet.

Ky vendim i Kosovës ashtu edhe siç pritej, nxiti reagime të shumta në Serbi, ku presidenti serb, Vuçiq tha se me këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.

Kurse përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak deklaroi se me vendimin për reciprocitet është krijuar një “situatë e re” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

E doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi thotë se vendimi nga Qeveria Kurti është zbatim i të drejtës ndërkombëtare, dhe e vë në siklet shtetin serb.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

“Vendimi i Qeverisë Kurti për reciprocitet në targa dhe në dokumente identifikuese për qytetarët është një veprim në zbatim të të drejtës ndërkombëtare, praktikave ndërkombëtare, marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ruajtjes së shtetësisë. Ky vendim erdhi në kohën kur Serbia këtë çështje e zhagiste qëllimisht duke tentuar që edhe qeverinë Kurti ta vë në pozitë të palakmueshme para qytetarëve në Kosovë, pasi ishte premtimi që kjo çështje do të zgjidhej për gjashtë muaj”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ky vendim ka qenë në vijë edhe me aktorët ndërkombëtarë.

“Ky vendim ka qenë në koordinim me aktorët ndërkombëtarë. Vendimet karshi Serbisë e vërejmë që sikur edhe BE-ja ka filluar t’i pranojë dhe jo të sulmojë Kosovën siç bënte në të kaluarën. Në aspektin ndërkombëtar është një vendim i mirë dhe i drejtë por që nuk është në superlativ, sepse megjithatë Kosova është në disavantazh diplomatik. Kosova do të mund ta thyente këtë disavantazh vetëm me një ndryshim të thellë të qasjes diplomatike. Në aspektin e brendshëm mund të ketë edhe interpretime të tjera mirëpo në aspektin ndërkombëtar vendime të tilla duhet të përcjellën me një diplomaci të fuqishme përndryshe edhe kur Kosova bënë vendime të drejta diplomacia serbe mund të iu jap konotacione tjera”, shprehet Kuçi.

“Kosova pas vendimit negativ nga BE-ja për mosliberalizim të vizave, gjë që po shihet si një padrejtësi ndaj Kosovës, ka mundësinë që të kaloj në një fushatë diplomatike dhe në emër të këtij zhgënjimi të shtyjë zhvillimin e shtetësisë, të bëj zbatim dhe të bëj reciprocitet me Serbinë sipas nevojës dhe të kërkoj favore me shtete në forma diplomatike në interes të Kosovës”, shpjegon më tej Kuçi.

Për fund, ai thotë se Kosova duhet të angazhohet edhe në nivelin e jashtëm diplomatik, ndryshe këtë do ta përdor Serbia kundër Kosovës.

“Nëse ky vendim mbetet vetëm në nivelin e jashtëm pa një angazhim diplomatik, është një gjë e sigurt që në diplomaci Serbia ka filluar ta përdorë me konotacion kundër Kosovës”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat