Opozita fshihet pas emblemës së UÇK-së për të hedhur sulme / Nuredin Lushtaku ia vë kapakun

Politika

Opozita fshihet pas emblemës së UÇK-së për të hedhur sulme / Nuredin Lushtaku ia vë kapakun

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 korrik 2022 Në ora: 11:57
Foto ilustrim

Ministri i Financave Hekuran Murati, është bërë temë diskutimi këto ditë. Shkaku ishte postimi i vitit 2016.

Ai në një postim të vitit 2016, kishte deklaruar se pagesat e pensioneve për ish-veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i kushtojnë buxhetit të Kosovës më shumë se buxheti për Ushtrinë.

Ai kishte shkuar edhe më tutje duke thënë se po të kishte angazhuar Kosova mercenarë gjatë luftës, do t’i kushtonte më pak se sa pensionet e veteranëve.

Përderisa pagesa për veteranët po don me kalu në 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK asht veç 45.1 milionë euro. Për vitin 2017 dhe 2018 shkon tu ra madje, 44.8 dhe 44.6 përkatësisht.

Këta tre muaj luftë të një ushtrie guerile donë me na dal shumë ma shtrenjtë se një ushtri e rregullt.

Bile edhe mercenarë me pas angazhuar na kish dalë ma lirë – tre muaj ka 2 mijë euro bëjnë 6 mijë euro për kry – 20 mijë mercenarë (të përgatitur ushtarakisht) kishin me na kushtuar veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit skish pas nevojë me ju thanë!”, kishte shkruar Murati në vitin 2016.

Për këtë pati reagim të shumta, sidomos nga partitë opozitare, të cilat e krahasuan me figura serbe si Jabllanoviqin, madje edhe i kërkuan dorëheqjen. Ata shkrimin e Muratit e quajtën të ulët.

Por, ende pa u shuar stuhia e sulmeve ndaj ministrit Murati, ndodhi një sulm i organizuar ndaj dy policëve të trafikut në mes të natës nga një ish-komandant i luftës, Nuredin Lushtaku, një njeri i afërt shumë me Hashim Thaçin.

Ra ky sulm dhe tregoi edhe njëherë se kush janë disa nga komandantët e UÇK-së, të cilët nuk e njohin asnjë ligj, dhe as që duan t’ia dinë për to. Për një gjobë trafiku disa eurosh, e plagosën një polic dhe një tjetër e lënduan rëndë, duke i vënë kapak opozitës, sidomos PDK-së.

Por, ministri Murati u dorëzuar para presionit politik dhe të motivuar kundër shprehjes së lirë.

Pas gjithë reagimeve të ashpra që pati, ministri Murati bëri një kërkimfalje ndaj asaj se çfarë kishte shkruar.

I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është qëndrimi im. Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve. E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”.

Madje, për këtë deklaratë ishte pyetur edhe kryeministri Albin Kurti, por që nuk ka pranuar ta komentonte.

Analistët vlerësojnë se sulmet ndaj Muratit po bëhen duhet u fshehur pas emblemës së UÇK-së.

Ahmeti: Kundërshtarët politikë po mundohet të krijojnë bindjen se kjo qeveri është antiUÇK

Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se opozita me kritika kanë dashur të ndërtojnë bindjen se pozita aktuale është antiUÇK.

Image
Hidajet Ahmeti

"Kundërshtarët politik po keqpërdorin çdo fjalë jo vetëm të zotit Murati, por edhe të zyrtarëve të tjerë të kësaj qeverie në mënyrë kontekstuale për të ndërtuar bindjen se kjo qeveri është antiUÇK. Mendoj se nuk është e drejtë nga askush e aq më shumë nga ata që përfaqësojnë elektorat të caktuar, pasi përpjekja e tillë për ta njollosur dikë mund të kthehet bumerang”, thotë ai.

Sipas tij, opozita duhet të jetë konstruktive, sepse shpifjet, linçimet, dhuna psikologjike ndaj çdo zyrtari publik duhet të jenë të dënueshme.

Kish qenë mirë që opozita të jetë konstruktive e strategjike, me politika publike e jo të sajoj diçka për poena politikë. Shpifjet, linçimet, dhuna psikologjike ndaj çdo zyrtari publik duhet të jenë të dënueshme jo vetëm në aspektin juridik, por edhe politik”, përfundoi ai.

Mehmeti: Me këto veprime më së shumti po njolloset emblema e UÇK-së nga një opozitë e dobët dhe e sakatosur

Edhe analisti Faton Mehmeti thotë se opozita po fshihet pas emblemës së UÇK-së për të sulmuar pozitën.

Image
Faton Mehmeti

Në mungesë të argumenteve tjera për të sulmuar qeverinë, opozita fshihet pas emblemës së UÇK-së për të hedhur sulme. Me këto veprime më së shumti po njolloset emblema e UÇK-së nga një opozitë e dobët dhe e sakatosur”, deklaron Mehmeti.

Në fund, deklaron se opozitës i ka humbur rruga në oborr, andaj edhe po shpif të pa vërteta.

Fatkeqësisht, kemi një opozitë që i ka humb rruga në oborr, s’po di të gjej rrugën ndaj edhe po shpif të pa vërteta për sulme ndaj qeverisë. Sulmet ndaj z.Murati kanë të bëjnë me dështimin për të kaluar Trustin, të cilën opozita do e paraqiste si fitore të saj. Me këtë mendësi të saj, kjo opozitë do të rri gjatë në opozitë”, nënvizoi analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat