“Serbia dhe Rusia po na kërcënojnë me luftë”/ Analisti mesazh Qeverisë: Mos e dëmtoni Kosovën me gabime si të qeverisjeve të kaluara

Politika

“Serbia dhe Rusia po na kërcënojnë me luftë”/ Analisti mesazh Qeverisë: Mos e dëmtoni Kosovën me gabime si të qeverisjeve të kaluara

Nga: A.SH Më: 6 korrik 2022 Në ora: 22:47
Qeveria e Kosovës

Parlamenti Evropian i ka dhënë dritën jeshile duke miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.

E për këtë ka pas reagim të menjëhershëm të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se Serbia nuk do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë.

“Bukur, dinjitetshëm dhe me mirësjellje, nuk do të nënshkruajmë. Nuk na shkon mendja, nuk do ta konsiderojmë”, tha Vuçiq për gazetarët.

Analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se edhe pse përafrimi i bisedimeve është larg mes dy shteteve, vetëm trysnia e madhe nga BE mund të sjellë ndonjë marrëveshje.

“Një temë që na u ka imponuar më së shumti gjatë këtyre viteve, është tema e zhvillimit të bisedimeve me Serbinë. Palët në bisedime ende janë shumë larg përafrimit të qëndrimeve të tyre. Pala serbe nuk po shpreh gatishmëri për të pranuar pavarësinë, dhe kjo e bën të paqartë fundin e këtyre bisedimve. Vetëm trysnia e fortë karshi Serbisë e që nuk po ndodhë nga BE-ja, për ta pranuar shtetësinë e Kosovës, mund të sjellë ndonjë marrëveshje. Mund të shpresohet se ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar do të na sjellë situatë të re politike, në krahasim me të kaluarën maratonike të këtyre bisedimeve”, ka thënë ai.

Ai tutje, thotë se Kosova duhet të krijojë kushte të favorshme, për të drejtuar bisedimet me Serbinë, duke shtuar se ata më përpara i bën dëm të madh Kosovës, duke nënshkruar edhe marrëveshje të dëmshme.

“Ne, duhet të krijojmë rrethana të reja dhe të favorshme politike, kur dihet se ata që i drejtuan bisedimet me Serbinë, nuk ishin të përgatitur për një sfidë të tillë shtetërore dhe nacionale. Madje ata i bënë dëm të madh Kosovës me firmosje të marrëveshjeve të dëmshme. Definimin e shtetit nuk e kuptuan ashtu si duhet, prandaj edhe nuk i mbrojtën mirë interesat e vendit. Harruan shumëçka nga historia jonë. I harruam demonstratat e vitit 1981. Harruan izolimet, burgosjet dhe maltretimet e rënda deri në vdekje që na u bënë për gati 50 vite me radhë nga serbosllavët. Na burgosën dhe na dënuan pa gjyqe, edhe këtë e harruan! Serbia përdori gjatë gjithë kohës së okupimit sloganin famëkeq “shqiptarë të përshtatshëm dhe në shqiptarë të pa përshtatshëm idepolitikisht”. E më së shumti gjatë okupimit e pësuan nacionalistët dhe familjet e tyre. Çdo e keqe nuk ka mundësi të zgjatë pafundësisht. Reaksioni i shqiptarëve ndaj këtij zullumi serbomadh u këput në vitet 1998-99, ku me luftën çlirimtare së bashku me miqtë tanë në botë i larguam nga Kosova falangat e Millosheviqit. Sikur të gjitha këto na u duken gjëra jo serioze pas luftës! E gjithë ajo që na erdhi në mënyrë kronologjike për 20 vite, nuk ishin gjëra që shumë mund të lavdërohemi. Nuk ishin as për afër rezultate të fryteve të luftës tonë çlirimtare me shumë viktima në njerëz dhe të mira materiale…! Fatin tonë e kemi në duart tona, dhe nuk duhet më të bëjmë lëshime, kur dihet se jemi shtet sovran dhe i pavarur. Nuk do të duhej t’i nënshtrohemi asnjë presioni nga jashtë. Mjaft bëmë gabime, të cilat nuk bën të na përsëriten ndaj Serbisë e cila së bashku me Rusinë po na kërcënojnë me luftë…”, përfundoi Muliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat