“Të ndalohet urgjentisht kjo maskaradë”/ Shteti t’i ndal milionat për Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin...

Politika

“Të ndalohet urgjentisht kjo maskaradë”/ Shteti t’i ndal milionat për Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin...

Nga: P.R Më: 31 korrik 2022 Në ora: 10:29
Foto ilustrim - "Bota sot"

11 milionë e 500 mijë euro janë shpenzuar nga fondi shtetëror për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e të tjerët, të cilët Specialja ndër tjerash u akuzon për vrasjen e kundërshtarëve politike, anëtarë të LDK-së dhe bashkëpunëtor të Ibrahim Rugovës. Shpenzimet përfshijnë mbrojtjen e të akuzuarve si dhe vizitat familjare në Hagë, për vitin 2021 dhe gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

“Duke u bazuar në Vendimin e Kryeministrit Nr. 056/2021 të datës 21.02.2021, sipas kërkesës tuaj për qasje në dokumente publike, ju lutem gjeni përgjigjën si në vijim: Shpenzimet për avokatë përgjatë vitit 2022 deri në muajin Qershor 2022 janë rreth: 3,902,600.00 €. Shpenzimet për avokatë përgjatë tërë vitit 2021 kanë qenë: 7,541,962.02 €. Shpenzimet për familjarë (bileta dhe fjetje e ushqim) përgjatë vitit 2022 deri në muajin Qershor 2022 janë rreth: 53,876.36 €. Shpenzimet për familjarë (bileta dhe fjetje e ushqim) përgjatë tërë vitit 2021 kanë qenë: 46,622.02 €”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë dhënë së fundi për mediat.

Por këtë mbështetje për të akuzuarit e Gjykatës Speciale po e kundërshton analisti politik, Gani Qarri.

Image
Analisti politik, Gani Qarri.

“Duke qenë se të akuzuarit si "ndërmarrje kriminale" të cilët sot po mbahen nën arrest në Hagë, atëbotë ishin vet në krye të shtetit, menjëherë pas votimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte votuar edhe Ligji që u garantonte atyre heqjen e shpenzimeve financiare për mbrojtje dhe vizitat e familjarëve, nga shteti, ky akt i paprecedan, në kushte normale, do duhej të kushtëzohej me shpalljen e të akuzuarve të pafajshëm, përndryshe nëse Gjykata Speciale i shpallë ata fajtor, edhe shteti i Kosovës, do të shihet nga mbarë bota, bashkëfajtor dhe kompensues financiar i fajësisë së të akuzuarve për krime. Shto kësaj faktin se shpenzimet përfshijnë jo vetëm mbrojtjen e të akuzuarve, por edhe vizitat dhe akomodimin e familjarëve të tyre, sa herë i vizitojnë ata në Hagë, vetëm për këtë periudhë të shkurtër kohore, nga shteti janë paguar mbi 100 mijë euro, për bileta, akomodimin, fjetjen dhe pijet e ushqimet e familjarëve, të të akuzuarve nga Gjykata Speciale”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, askush nuk e di se kur do të përfundojë procesi gjyqësor në Speciale, andaj shpenzimet veç shkojnë duke u shtuar.

“Pas konfirmimit të akuzave ndaj të akuzuarve, përveç faktit se të arrestuarit nga Gjykata Speciale ka gati dy vite që po qëndrojnë në paraburgim, askush nuk e di saktë se edhe sa vite tjera, ata do të qëndrojnë nën arrest, në objektet e Dhomave të Specializuara, si dhe sa kohë do të zgjasë gjykimi i tyre. Ndaj kjo e bënë edhe më të paqartë lartësinë e kostos së shpenzimeve marramendëse të shtetit të Kosovës, për ta dhe akomodimin, biletat dhe ushqimet e familjarëve të tyre, kur dihet se vetëm për këtë kohë të kufizuar janë shpenzuar mbi 11 milionë e 400 mijë euro, nga shteti i varfër i Kosovës vetëm për avokatët mbrojtës të angazhuar nga vet të akuzuarit, ende pa filluar procesi i gjykimit të njëmendtë të tyre”, thekson Qarri.

Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të ndryshojë ligji, dhe që të ndalet përkrahja për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët.

“Prandaj duke pasur parasysh faktin se të akuzuarit shihen si njerëzit më të pasur në Kosovë me pasuritë shumëmilionëshe të grumbulluara kundërligjshëm, shteti duhet të ndryshojë qasjen dhe të formojë një komision të posaçëm shtetëror për shqyrtimin e mundësive të vetëfinancimit të mbrojtjes nga të akuzuarit, në vend se sot të zhvatet buxheti i shtetit, e nesër të kërkohet prej tyre, nga gjykatat vendore, kthimi i pasurive të paligjshme”, thekson Qarri.

“Dhe vetëm nëse të akuzuarit, dalin të pafajshëm nga procesi i gjykimit, shteti duhet të bëjë ato që parasheh ligji për dëmshpërblimin e kohës së mbajtjes nën arrest, përndryshe nëse gjatë procesit të gjykimit vërtetohet fajësia e tyre, për pjesëmarrje, nxitje apo porosi të vrasjes së personave të apostrofuar nga Gjykata Speciale, ku nga 103 viktima, 100 prej tyre thuhet të jenë shqiptarë, atëherë vërtetë kjo do të ishte skandaloze dhe do të shihej edhe shteti si bashkëfajtor dhe mbrojtës i të akuzuarve për krime”, shton analisti Qarri për “Bota sot”.

Qarri thotë se një maskaradë e tillë duhet të ndalet urgjentisht, në mënyrë që mos të implikohet edhe shteti në mbrojtjen e të akuzuarve për vrasjen edhe të shumë figurave politike në Kosovë, kryesisht anëtarë të LDK-së.

“Prandaj një maskaradë e tillë duhet të ndalohet urgjentisht, në mënyrë që të mos përlyhet edhe shteti në fajësinë e dorasëve dhe të akuzuarve për vrasjen shqiptarëve të devotshëm si Ahmet Krasniqi, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj, Komandant Drini e viktimave tjera të vrasjeve politike, të para dhe pas luftës në Kosovë dhe Shqipëri, që kanë kontribuuar shumë për Kosovën, pasi që me fillimin e procesit të gjykimit në Hagë, mund t’i shohim si të akuzuar dhe dëshmitar edhe pjesëtarët e ish SHIK-ut të Shqipërisë, duke filluar nga Fatos Klosi me bashkëpunëtorët e tij dhe klanit të vrasësve me pagesë, të udhëheqësve të lartë të UÇK-së, në Shqipëri dhe Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat