Bashkëpunimi i opozitës me Listën Serbe është tradhti kombëtare / Lista serbe të ndiqet penalisht për tradhti kushtetuese

Politika

Bashkëpunimi i opozitës me Listën Serbe është tradhti kombëtare / Lista serbe të ndiqet penalisht për tradhti kushtetuese

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 gusht 2022 Në ora: 15:54
Foto ilustrim- Deputetët e Listës serbe

Ngjarjet në veri të dielën e shkuar dëshmuan rrezikun potencial, që nëse nuk veprohet shpejt dhe në mënyrën e duhur Serbia është e gatshme, gjithnjë ta vë në rrezik sovranitetin e asaj pjese.

Por, pavarësisht kësaj, lufta e partive politike, për të ardhur në pushtet nuk po i zgjedh mjetet.

Partitë opozitare nuk duhet të bien viktima të egove dhe interesave të disa individëve dhe grupeve brenda partive, që me motiv të marrjes së pushtetit të bëjnë koalicion me Listën serbe, dhe të pozicionohen tani, dhe më pas në kundërshtim me interesat shtetërore, porosisin ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Megjithatë mbeten dilemat e hapura aktualisht se si do të tejkalohet kjo krizë nga institucionet tona, ndërsa NATO-ja, ia bëri kërcënimin e fuqishëm Serbisë, se do të ndërhyjë në rast se ajo provokon dhunë.

Një muaj kohë do të kaloje shpejt, pas shtyrjes së zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë, për ndalimin e targave të Serbisë në Kosovë, dhe lëshimin e një leje udhëtimi 90 ditëshe nga Serbia në Kosovë.

Por, opozita në vend se ta përkrah Qeverinë që nga 1 shtatori t'i zbatojë dy vendimet, ajo është hedhur në sulm për marrje të pushtetit.

Kuçi: Çdo bashkëpunim me grupin kriminal Lista Serbe është tradhti kombëtare

Image
Gurakuq Kuqi

Në lidhje me këtë temë ka folur për “Bota sot”, profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Fillimisht, ai thotë se beteja me Serbinë është obligim kombëtar, derisa kërkoi që opozita ta mbështesë qeverinë dhe të bashkëpunojnë.

“Problemet që po ia sjell Serbia sovranitetit të Kosovës janë probleme të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë duke përfshi shqiptarët, serbët e komunitetet tjera. Duke pasur parasysh këtë, kjo betejë është e përbashkët. Duke qenë betejë e përbashkët është obligim kombëtar dhe shtetëror që gjithë qytetarët dhe padiskutim politikanët qofshin në pozitë apo opozitë të jenë në mbrojtje të Kosovës”, deklaroi profesori.

Kuçi u shpreh se kush nuk e bën këtë gjë duhet të ndiqet nga ligjet e Kosovës për tradhti, përfshirë edhe Listën Serbe.

“Kush do që e bënë të kundërtën duhet të ndiqet nga ligjet e Kosovës për tradhti. Kjo e përfshin edhe Listën Serbe pasi ata si subjekt politik dhe me shtetësi janë nën juridiksionin e Kosovës. Beteja për “dokumentet e udhëtimit” dhe “targat” në të vërtetë nuk është betejë vetëm për këto dy çështje, është një betejë për shtrirjen e sovranitetit nga Kosova dhe forcimin e shtetësisë dhe rezistencë nga Serbia që nëpërmjet grupeve kriminale ta minojë shtetin e Kosovës”, theksoi ai.

Krahas kësaj, profesori përmendi edhe synimet e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë Kurti, derisa shpresoi që asnjë subjekt shqiptar opozitar nuk do të bashkëpunojë me ta.

Sipas tij, bashkëpunimi me Listën Serbe është një tradhti kombëtare.

“Së fundmi janë dëgjuar disa deklarata nga disa deputetë opozitarë të njëjta me deklaratat e Listës Serbe që synojnë ta rrëzojnë qeverinë Kurti në shtator, shpresoj që këta individ nuk paraqesin qëndrimet e subjekteve të tyre politike dhe janë zëra që do të injorohen nga partitë opozitare për bashkëpunim me Listën Serbe. Çdo bashkëpunim me grupin kriminal Lista Serbe është tradhti kombëtare e sidomos në këto momente, sepse nuk është vetëm bashkëpunim për rrëzimin e qeverisë, por është bashkëpunim për minimin e shtrirjes së shtetësisë së Kosovës.

Ky muaj duhet të jetë kohë e njëjtësimit të veprimeve të efektshme institucionale diplomatike në aspektin e jashtëm për të mbrojtur veprimet e saj kundër diplomacisë serbe dhe në atë operative në realizimin e aksioneve të suksesshme nëse nuk gjendet një zgjidhje tjetër me Serbinë”, potencoi Kuçi.

Ndër të tjera, profesori iu bëri thirrje kryetarëve të rinj të partive opozitare që të mos bien nën presion e njerëzve, të cilët për interesa personale janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Listën Serbe.

“Po ashtu pozita dhe opozita në çështje të rëndësisë shtetërore duhet të kenë një qasje unike, pasi çdo veprim tjetër dhe bashkëpunim me Listën Serbe është bashkëpunim me Serbinë, të paktën ata që janë fajtor për legjitimimin e këtij grupi kriminal serb në Kosovë, duhet të fillojnë të mendojnë të punojnë më mirë dhe të tjerët të shmangen nga veprimet e paraardhësve të tyre. Një obligim i politikanëve dhe kryetarëve të rinj të partive opozitare është që të mos bien nën presion e njerëzve, të cilët për interesa personale janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Listën Serbe edhe atëherë kur vihet në rrezik shteti”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Zogaj: Shtatori është sprovë e re, me të panjohura të reja!

Image
Skender Zogaj

 

Kurse, opinionisti Skënder Zogaj përmendi mungesën e presidentit Rugova, i cili me qetësi dhe saktësi merrte vendime të duhura për Kosovën në raport me Serbinë.

“Sa më shumë që po kalon koha aq më mirë po shihet mungesa e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, i cili me qetësi, ngadalë dhe saktë merrte vendime, pasi e kishte llogaritur mirë e mirë mundësinë e realizimit të vendimeve, që ishte kriter i ecjes hap pas hapi, por përpara. Po e kujtoj mënyrën e veprimit të Presidentin Rugova, e cila e ka çmontuar politikën dhe dhunën e okupatorit serb, duke e sjellur Kosovën te liria dhe pavarësia. Por, këtu ngec puna, sepse nëse udhëheqja e vendit bie në duar diletantësh skajshmërisht injorantë, prandaj, Kosova në 15 vitet e fundit po vendnumëron keq, duke u rrezikuar të rrëshqas mbrapa”, deklaroi ai.

Sipas tij, shteti serb po vazhdon ta mbajë peng sovranitetin e shtetit tonë, derisa vlerësoi se e keqja filloi me bisedimet teknik të Edita Tahirit.

“Serbia ka arritur plotësisht ta mbaj peng sovranitetin e Kosovës. E keqja ka filluar me "bisedimet teknike" të Edita Tahirit, e cila e ka fut Kosovën në udhë qorre! Kostoja e gabimit është e madhe sepse, Serbia qeverisë me një pjesë të vendit dhe të detyron të zmbrapsesh, siç ndodhi këto ditë, kur sërish u shfaqën barrikadat kundër vendimit të Qeverisë për reciprocitet të "dokumenteve të udhëtimit dhe targat"”, theksoi Zogaj.

Po ashtu, opinionisti potencoi se shtatori do të jetë një sprovë e re për qeverinë Kurti, pasi kryeministri do të përballet me pengesa të reja dhe të forta, ku opozita nuk është në gjendje të bashkëpunojë dhe ta ndihmojë atë.

“Kjo që ndodhi ka qenë krejtësisht e ditur se do të ndodhte, sepse vendimit është dashur t'i sigurohet mekanizmi real politik e diplomatik i zbatimit të tij! Kjo nuk ka ndodhur prandaj, pa asnjë dilemë tërheqja e vendimit ishte veprim i duhur! Pas kësaj nuk mendoj se zgjidhja e situatës do të jetë më e lehtë. Jo, sfida do të thellohet dhe rëndohet, sepse Serbia tash do të manifestoj kushtëzime në dialogim, duke kërkuar krijimin e asociacionit të komunave serbe! Ky kushtëzim do të përkrahet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, prandaj kryeministrin Kurtin e presin pengesa të reja e të forta, shumë të vështira! Kurti është krejtësisht i varur nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga qëndrimi i opozitës, e cila nuk ka disponim që ta mirëkuptojë dhe ndihmojë qeverinë Kurti! Shtatori është sprovë e re, me të panjohura të reja”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat