Analistët zbulojnë çfarë fshihet pas heshtjes së opozitës ndaj Asociacionit! / Opozita ka heshtur gjithmonë përballë Vuçiqit

Politika

Analistët zbulojnë çfarë fshihet pas heshtjes së opozitës ndaj Asociacionit! / Opozita ka heshtur gjithmonë përballë Vuçiqit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 gusht 2022 Në ora: 17:09
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku

Kosova në javët e fundit u përballë me një nga ngjarjet më kritike, thuajse që nga pas lufta, dhe pas Shpalljes së Pavarësisë, kur Serbia i organizoi në një shkallë gatishmërie gati për konflikt, bandat serbe në veri.

Këto banda, jo vetëm që bllokuan rrugët, por disa nga pengesat i kishin vendosur në formacione luftarake.

Ishte 31 korriku dita kur veri i Kosovës u përball me provokimet e radhës të serbëve për të penguar zbatimin e reciprocitetit.

Natyrisht me kërkesë të SHBA-ve, ky vendim u shty deri në shtator.

Por, nuk kanë si të mungojnë debatet nga opozita pas tërheqjes së këtij vendimi.

Zëra që Qeveria nuk u konsultua me ndërkombëtarët për këtë vendim qenë të mëdha, mirëpo ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, tregoi publikisht që ka pasur konsultime dhe kanë qenë në dijeni për këtë vendim.

Mirëpo, përveç saj është edhe i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili u shpreh se vendimet e Qeverisë së Kosovës janë në rregull dhe duhet të zbatohen, veçmas ai për targat.

Ai gjithashtu ka thënë se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, dhe që të synojë krijimin e një shteti brenda shtetit.

Gjatë këtij diskutimi ai foli edhe për situatën në rajon dhe përsëriti qëndrimin se "nuk do të ketë luftë në Bosnjë e Hercegovinë".

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shtet”, deklaroi ai.

Por, pse opozita po heshtë karshi këtyre ngjarjeve?

Shahu: Opozita në Kosovë ngjan pasive, jo aktive

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai për “Bota sot”, thotë që momentalisht kemi një opozitë pasive dhe se deklarata për Asociacion është gjëja më e qartë që të gjithë duhet ta kuptojnë që nuk do të realizohet një gjë e tillë.

“Opozita në Kosovë ngjan pasive, jo aktive. Por, sa i përket Asociacionit të komunave serbe përfaqësuesi i Amerikës Eskobar foli më qartë se kurrë që nuk do të jetë shtet brenda shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që mungon fuqia urtësisë dhe e dijes sot në institucionet e Kosovës dhe Serbia lehtë e përzien Kosovën.

“Personalisht jam shprehur se çfarëdo kompetencash të ketë Asociacioni, vitaliteti i popullit të Kosovës i shtetit të Kosovës e shpartallon, pasi shqiptarët në Kosovë kanë fuqi mbijetese dhe asgjësojnë çdo çiban të huaj nëse janë vetë shqiptarët në shtet e pushtet. Mendoj se mungon fuqia e urtësisë dhe e dijes sot në institucionet e Kosovës dhe Serbia lehtë e përzien Kosovën”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Mehmeti: Opozita është e skaduar

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti tjetër politik, Faton Mehmeti u shpreh për “Bota sot”, se opozita ka heshtur gjithmonë përballë Vuçiqit dhe se po vazhdojnë t’i ofrojnë atë që dëshiron Serbia.

Opozita heshtë pasi është vet fajtore për llastimin e Serbisë. Vuçiqi me opozitën ka lozë si maca me miun, në vend se të turpërohet vazhdon rolin e bufit në heshtje të dëmtojë suksesin e qeverisë, që në fakt është sukses i Kosovës”, thotë analisti.

Në fund, ai shton që Borelli dhe Lajçaku janë të njëjtit njerëz, me opozitën aktuale kur ishin në qeveri janë tallur, tani me Kurtin nuk munden.

“Opozita është e skaduar, fatkeqësisht Kosova veç formalisht ka opozitë. Borelli dhe Lajçaku janë të njëjtit njerëz, me opozitën aktuale kur ishin në qeveri janë tallur, tani me Kurtin nuk munden. Kështu që, kjo opozitë po vazhdon avazin e nënshtrimit, oportunizmit dhe mbi të gjitha të dëmtimit të Kosovës’, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat