Nuk do të tolerohen kërcënimet me luftë në Ballkan, të Serbisë me Rusinë / Rrenat dhe propaganda serbe nuk do të pinë ujë

Politika

Nuk do të tolerohen kërcënimet me luftë në Ballkan, të Serbisë me Rusinë / Rrenat dhe propaganda serbe nuk do të pinë ujë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 gusht 2022 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Më 18 gusht është vendosur të mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gatishmëria dhe interesimi i qeverisë së Kosovës për t’u marrë vesh me Serbinë mbesin të palëkundura.

Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel, bisedimet aty përveç se të jenë parimore të jenë edhe përmbajtjesore, në të njëjtën kohë të mos jetë dialog për dialog por dialog për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke në qendër. Por, ju duhet ta kuptoni që marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme,” ka deklaruar ai.

Kurse nga SHBA-ja kanë kërkuar që ky dialog të përmbyllet me njohje reciproke.

Nga BE-ja, kanë thënë se duan që palët të gjejnë një kompromis.

Shumë çështje që po shkaktojnë irritim në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe të Prishtinës trajtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë quhet dialog i ndërmjetësuar, jo i detyrueshëm. Ne mund të ndërmjetësojnë për aq sa ekziston gatishmëria nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje kompromisi”.

Ne u ndihmojnë për kompromis, por u takon atyre që të jenë të gatshëm për të bërë kompromiset e nevojshme. Këtë gjë do ta bëjmë në takimet e radhës, përfshirë atë të nivelit të lartë mes presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti, që të çojnë përpara të gjitha çështjet në kuadër të dialogut, sepse pa përparim në dialog, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Petro Stano.

Kurse, nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk pret rezultat nga bisedimet.

Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime”.

Qarri: Nëse arrihet vetëm marrëveshja për të pagjeturit, do të ishte një sinjal pozitiv

Analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Kosova së pari duhet të ndëshkojë nënshkruesit e asociacionit të cilin me ngulm po e kërkon Serbia.

Image
Gani Qarri

Në fakt përderisa SHBA-të nëpërmjet sekretarit të shtetit Antony Blinken, si dhe përfaqësuesit të lartë z. Gabriel Eskobar emisar për Ballkanin Perëndimor e zëvendës-ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, kërkojnë përmbylljen e dialogut me njohje reciproke me Serbinë dhe hedhin poshtë formimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik serb, me kompetenca ekzekutive, siç këmbëngulë Vuçiqi, vetëm Kosova vazhdon të heshtë dhe të mos ndërmerr asnjë hap ligjor kundër autorëve të nënshkrimit kundërligjor të asaj marrëveshje kobëzezë, nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, duke mos i vendosur para drejtësisë asnjërin dhe as quar prapa grilave, për aktin e tradhtisë së lartë, që ata kanë kryer ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Madje Kosova, nëse vërtetë nuk e do bosnjëzimin e saj, duke ditur mirë se edhe në dialog, nuk ka të bëjë me politikan të sinqertë e serioz, por me vet ish ministrin e informatave të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiqin i cili, tash e mbi dy dekada, vazhdon të krijojë në vijimësi dhe në mënyrë të pareshtur, tensione dhe përkeqësim situatash, përmes bandave kriminale në veri të Kosovës, Qeveria dhe inteligjenca e vendit, duhet ti ftojë të gjithë deputetët, të cilët janë detyruar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, ta votojnë edhe në Kuvend asociacionin kundërkushtetues një etnik serb, që në mënyrë individuale dhe grupore, urgjentisht ti tërheqin votat dhe nënshkrimet e tyre, nëse duan ti ndihmojnë vendit dhe të mos hyjnë, si të dyshuar për tradhti, në historinë e re të shtetit të Kosovës. E se çfarë do të ndodhë aktualisht me dialogun, varet shumë edhe nga zhvillimet në veri të Kosovës si dhe sjelljet e Serbisë dhe ato të partive të opozitës së inkriminuar të Kosovës, të cilat siç kemi rastin ti shohim edhe aktualisht, të shumtën e rasteve dalin hapur në krah të Vuçiqit duke ua rezervuar hapësirën më të madhe në mediat e tyre, nënshkruesit të "zajednicës" Isa Mustafës dhe mbështetësve të ndarjes së Kosovës, përderisa ithtarët kryesor dhe propaganduesit më të zëshëm të kësaj aventure të rrezikshme për shtetin tonë të ri, çuditërisht vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot në kryesi të PDK-së”, thotë ai.

Sipas tij, nëse arrihet vetëm marrëveshja për të pagjeturit, do të ishte një sinjal sadopak pozitiv, duke shtuar se Qeveria e vendit, nisur edhe nga serioziteti i gjendjes, duhet që urgjentisht ta formojë një grup të veçantë ekspertësh politik dhe të sigurisë, në mënyrë që të arrihet të shfrytëzohet, me mjeshtri, që përfundimisht, Kosova të fitojë epërsi dhe rrisë mbështetjen edhe nga BE-ja, në bisedime me Serbinë në Bruksel.

Vetëm nëse me 18 gusht arrihet, të paktën marrëveshja për të pagjeturit dhe të zhdukurit me dhunë!, shprehje që pasqyron të vërtetën e hidhur të asaj që ka ndodhur realisht gjatë luftës në Kosovë, por që Vuçiqi nuk dëshiron të figurojë në tekstin e marrëveshjes, se mijëra shqiptarë janë vrarë e kidnapuar nga forcat okupuese serbe, por don të duket si ti ketë vrarë "reja" dhe marrë vërshimet e shiut me vete, do të ishte një sinjal sadopak pozitiv, edhe pse shumë i vonuar, për zbardhjen më në fund të kësaj katrahure tragjike, të cilën e shkaktoi Serbia okupatore, para më se 23 vitesh, me krime e gjenocid në qindra masakra dhe mijëra vrasje e kidnapime anë e mbanë Republikës së Kosovës mbi shqiptarët e pambrojtur në trojet dhe shtëpitë e tyre autoktone”, thotë ai.

Inflitrimi i forcave të errëta serbe

Sipas tij, bazuar në faktin se Serbia, përveç mosvënies së sanksioneve dhe mosdistancimit nga Rusia, përkundër agresionit pushtues ushtarak të Rusisë për okupimin e Ukrainës, së fundi ka filluar hapur të krijojë probleme dhe të infiltrojë edhe forcat e saj të errëta, në mesin e bandave kriminale serbe në veri, të cilat kanë filluar ti kundërvihen policisë së Kosovës me armë edhe në aktivitetet e saj rutinë.

Qeveria duhet urgjentisht ta formojë një grup të veçantë ekspertësh politik dhe të sigurisë, në mënyrë që të arrihet të shfrytëzohet, sa më-me sukses dhe mjeshtri, ky rast i favorshëm, që përfundimisht, Kosova të fitojë epërsi dhe të rrisë mbështetjen edhe nga BE-ja, në bisedime me Serbinë në Bruksel”, nënvizon ai.

Për atë që po kërkon Serbia, formimin e asociacionit, Qarri thotë se SHBA-ja është deklaruar se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke, madje nuk lejon as formimin e shtetit në shtet, po ashtu mos ta shkelin Kushtetutën e Kosovës.

Vet deklarimi i sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken se dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë, si dhe prononcimi publik i z. Gabriel Eskobar, se Kosova ka të drejtë në reciprocitet të plotë me Serbinë dhe asociacioni kundërkushtetues një etnik serb, nuk guxon të jetë shtet në shtet, ta rrezikojë shtetin, as të dal jashtë kornizave të Kushtetutës së Kosovës, ndihmon shumë dhe i jep siguri të madhe Qeverisë e Kosovës, që nga 1 shtatori, ti jetësojë edhe vendimet për zëvendësimin e targave ilegale serbe me targa legjitime të shtetit të Kosovës, ta realizojë reciprocitetin për dokumentet e udhëtimit me Serbinë si dhe ta shtrijë rendin e ligjin edhe në veri të Kosovës, duke demaskuar deri në fund veprimet e bandave kriminale, të cilat ende gëzojnë mbështetjen e Vuçiqit dhe të Serbisë hegjemoniste, ani pse ato, ka kohë që janë vendosur në listën e zezë të SHBA-ve, ku në fakt e ka vendin dhe do duhej vendosur që moti edhe vet Vuçiqi, i cili është kthyer plotësisht në pion të Rusisë dhe Vladimir Putinit”, thotë Qarri.

Ai thotë se nuk mund të vazhdohet më me këtë gjendje, se është koha e fundit që Serbia ta pranojë realitetin e pakthyeshëm e të merr fund propaganda e rrejshme serbe e stilit rus dhe ata, të cilët kanë kryer krime e gjenocid ndaj shqiptareve, të vazhdojnë të paraqiten si viktima, por siç e thash edhe në fillim, për jetësimin e qëndrimit parimor të SHBA-ve dhe emisarëve të saj të lart për Ballkanin, si z. Eskobar.

Kosova fillimisht duhet ti lidhë qentë e saj, që përderisa SHBA-ja thotë se nuk ka ndryshim kufijsh e këmbim territoresh, ata vazhdojnë ta kërkojnë ndarjen e Kosovës, duke çuar prapa grilave edhe autorin e mbetur të marrëveshjes së nënshkruar kundërligjore, për asociacionin kundër kushtetues, një etnik serb, nëse duam vërtetë marrëveshje me njohje reciproke me Serbinë dhe një vend të pa bosnjëzuar me republikë serbe, brenda kufijve tanë, si mënyra e vetme për jetësimin e shtetit stabil të Republikës së Kosovës, të cilin e kërkon dhe mbështet edhe vet miku ynë i përhershëm dhe më i madhi në botë, SHBA, pa udhëzimet dhe përkrahjen masive të të cilave, me fqinj si Serbia, nuk mund as të mbijetojmë si shtet, në rajon”, përfundoi analisti Gani Qarri.

Mulliqi: Dialogu me marrëveshje të gabuara

Analisti Skënder Mulliqi ka thënë se që nga nisja e dialogut janë bërë shumë gabime, madje janë nënshkruar edhe marrëveshje në dëm të Kosovës.

Image
Skënder Mulliqi

Mjaft gjatë u bën gabime në dialog me Serbinë. Këto gabime nuk guxojnë të na përsëriten kur po vjen përfundimi i këtyre bisedimeve politike, e që u nisën për bisedime të natyrës teknike, për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella. U bënë gabime në të kaluarën në Vjenë, dhe pastaj këto gabime vazhduan nga Thaçi dhe Mustafa, të cilët firmosën marrëveshje në dëm të Kosovës, duke cenuar kështu edhe tërësinë territoriale. Dihet se marrëveshjet e nënshkruara e të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, marrin karakter ndërkombëtar dhe si të tilla nuk anulohen. U humbën në emër të do kauzave të rreme 8200 hektar tokë më Mal të Zi, dhe rrezikuam me asociacionin me kompetenca ekzekutive të minoritetit serb, që të humbim edhe veriun e vendit, pjesën më të begatshme”, shprehet ai.

Sipas tij, forcat e reja politike në pushtet e kanë ndryshuar kursin e bisedimeve, duke fituar edhe epërsi në këtë.

Me ardhjen në pushtet të forcave të reja politike, ndryshuan kursin politik për të mirë të Kosovës në raport më Serbinë. Për herë të parë fituam epërsi në këto bisedime, të cilën gjë nuk e kishim më parë. Është çudi e madhe se për një kohë të gjatë, Serbia na i caktoi edhe agjendat e bisedimeve, thua se ata ishin viktima, e jo që shkaktuan etnocid mbi myslimanët e Bosnjës dhe shqiptarët e Kosovës. Mendoj, se kryeministri, Albin Kurti është mirë duke punuar dhe duk bashkëpunuar me Amerikën dhe BE-në, rreth vazhdimit të dialogut”, shton ai.

Ai sheh pozitivitet në këtë takim duke thënë se do të jetë në favor të Kosovës, kur u deklarua edhe Gabriel Escobar i cili tha se “nuk ka shtet në shtet”.

Megjithatë vazhdimi i dialogut premton se do të jetë në favor të Kosovës, sidomos pas deklarimit të amerikanit Gabriel Eskobar se “Zajednica” me kompetenca ekzekutive nuk do të jetësohet, kur dihet se ajo kontestohet edhe në 23 nene të Kushtetutës tonë. Nuk ka shtet në shtet deklaroi Eskobar. Serbia e cila rregullisht po e kërcënon Kosovën dhe rajonin me një luftë të re, dhe e cila po e përkrah invazionin rus në Ukrainë, duhet të ndëshkohet edhe me embargo ekonomike nëse është nevoja, njëjtë sikur që është duke u vepruar me Rusinë e Putinit. NATO-ja pas ngjarjeve të fundit në veri ku strukturat kriminale serbe vunë sërish barrikada në rrugë, e kanë bërë me dije shovinistin Vuqiq, se në Kosovë ekziston vija e kuqe. Është vërtetuar me pushtetin e Millosheviqit, se Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës. Prandaj, sikur që bota po hynë me gjasë në një rend të ri botëror, edhe bisedimet me Serbinë, do të sjellin një klimë të re politike, në favor të Kosovës. Nëse bashkësia ndërkombëtare ka bërë disa lëshime dhe besa edhe gabime në relacion me Serbinë e pa reformuar, duket se këto lëshime nuk do të ndodhin, sikur që nuk guxohet të gabohet as pushteti i Kosovës. Rrenat dhe propagandimet serbe shekullore të ideatorit, Dobrcia Qosiqit, më nuk do të pinë ujë. Nëse Serbia nuk është dënuar për gjenocid nga Gjykata e Hagës, e që ishte gabim i madh, nuk do të tolerohet në pafundësi me aventurat e veta politike, dhe të kërcënimeve me luftë në Ballkan, së bashku me Rusinë”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat