“Do të ishte një sukses historik për Kosovën”/ Vjen paralajmërimi: Në ditët në vijim do sqarohet kjo gjë!

Politika

“Do të ishte një sukses historik për Kosovën”/ Vjen paralajmërimi: Në ditët në vijim do sqarohet kjo gjë!

Nga: A.M. Më: 20 shtator 2022 Në ora: 23:03
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Vëmendje të madhe ka marrë një kornizë e publikuar lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në të përmendej edhe arritja e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, ku citoheshin disa pika.

Opinionisti Rexhep Elezaj për “Bota sot” komentoi këtë kornizë të re të dialogut.

Fillimisht, ai e cilësoi këtë si një angazhim dinamik të BE-së për gjetjen e zgjidhjes sa më të shpejtë të mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi.

“Sipas zhvillimeve politike dhe ushtarake në muajt e fundit brenda BE-së, kundrejt luftës dhe pritjeve me optimizëm rreth përfundimit të saj me fitoren e Ukrainës dhe humbjen e Rusisë, të përpjekjeve për krijimin e një sistemi të ri vlerash brenda vetë Evropës, përfshirë këtu angazhimet e shtuara të Gjermanisë dhe Francës për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme të armiqësisë shqiptaro-serbe, si dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe fqinjësisë së qëndrueshme Kosovë-Serbi, duke kërkuar rrugë dhe mënyra të cilat shumë më shpejtë do çonin në anëtarësimin e 6 vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, etj., në këtë prizëm e shoh angazhimin më dinamik të BE-së për gjetjen e zgjidhjes sa më të shpejtë të mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, përmes draft-marrëveshjes së quajtur “Kornizë e re”, mbase vetëm si zgjidhje kalimtare deri në njohjen e plotë reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, e publikuar pjesërisht”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Rexhep Elezaj

Elezaj potencoi se nuk dihet ende nëse kjo kornizë e re është në të mirë të Kosovës apo jo.

Kjo pasi janë publikuar citate të caktuara vetëm pjesërisht.

“Në bazë të asaj që thuhet në pjesët e publikuara dhe pikat e cituara nga kjo “Kornizë e re” për bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi si dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, është vështirë të nxjerrët ndonjë konkluzion i sakët, se çfarë mund të jetë e pranueshme dhe çfarë jo për palën kosovare, e çfarë për palën serbe, posaçërisht kur nuk dihet ende se kush janë hartuesit e kësaj kornize.

Bëhet fjalë pra, për kornizë të re të një draft-marrëveshjeje e cila krijon, po qe se është e sakët, një rrethanë të re në procesin e dialogut, mbase një propozim konkret mbi tavolinën e dialogut rreth të cilit dy palët mund të negociojnë në muajt e ardhshëm, ngase, siç thuhet në atë dokument, vështirë se palët do mund të arrinin tek ndonjë marrëveshje përfundimtare pa ndërmjetësimin e BE-së. Për më shumë, disa pika të kësaj kornize mund të jenë të pranueshme për të dyja palët, e cila mund të çonte drejtë një marrëveshje të pranueshme dhe përfundimtare”, theksoi ai.

Më tej, opinionisti tha se gjëja me e pranueshme dhe më e suksesshme do të ishte pika ku thuhet se Kosovën do ta njihnin 5 vendet anëtare të BE-së

“Pa dyshim, se gjëja më e pranueshme për Kosovën do të ishte pika ku thuhet, se nëse palët bien dakord me përmbajtjen e saj, “Kosovën do ta njihnin 5 vendet anëtare të BE-së”, gjë që një akt i këtillë do ta sillte Serbinë para aktit të kryer, qoftë madje edhe pas 10 viteve, që ta njoh përfundimisht Kosovën shtet sovran dhe të pavarur.

Pra, kjo do të ishte një sukses historik për Kosovën dhe shqiptarët, që njëherë e përgjithmonë të lirohen nga kthetrat e hegjemonisë fashiste dhe raciste të një shteti vrastar, kriminal dhe gjenocidial, siç ishte Serbia në dy-tre shekujt e kaluar ndaj shqiptarëve dhe Kosovës”, vlerësoi Elezaj.

Në fund, ai tha se pala nga Kosova ta refuzojë në mënyrë apriori këtë kornizë, sidomos jo pikat e saj të cilat janë të favorshme për Kosovën.

“Si një dokument bazë i cili mund të hynë në punë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, natyrisht nëse është i hartuar në Bruksel nga z. M. Lajçak dhe dy ndihmësit e tij, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, të emëruar kohëve të fundit nga vetë kancelari gjerman, z. O. Scholz dhe presidenti francez, E. Macron, mendoj se pala kosovare nuk duhet ta refuzojë në mënyrë apriori, sidomos jo pikat e saj të cilat janë të favorshme për Kosovën. Mbase mbetet që ditët në vijim të sqarohen detajet rreth kësaj “kornize të re”, e cila akoma nuk është bërë zyrtare nga ana e hartuesve të saj..”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat