“Pasojat janë sikur ndërprerja e mësimit nga Serbia para lufte”!

Politika

“Pasojat janë sikur ndërprerja e mësimit nga Serbia para lufte”!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 shtator 2022 Në ora: 08:06
Rrahman Jasharaj

Jemi në fund të javës së katërt që kur kanë nisur grevat e mësimdhënësve, ndërsa fëmijët vazhdojnë të mbesin pa mësim.

Qeveria dhe SBASHK-u nuk po mund të bien dakord për zgjidhjen e ngërçit.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili ka bërë thirrje që SBASHK-u dhe Qeveria e Kosovës të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim.

Ndërkohë, të mërkurën kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim drejtoreshën evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE), Susan Flocken, së bashku me përfaqësuesit e Këshillit Grevist, me kryetar Rrahman Jasharaj.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, vazhdon të bëjë thirrje për nisjen e mësimit, duke shtuar se në këtë mes nxënësit janë duke pësuar më së shumti.

Ajo ka thënë se grevës i ka humbur kuptimi dhe se fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë.

Nga ana tjetër, SBASHK-u nuk heq dorë nga kërkesa e tyre. Madje, Rrahman Jasharaj ka thënë se nuk ka lëvizje drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Maraj: Greva me ndërprerje, mësimi nuk ka kuptim

Image
Profesori Milazim Maraj

Profesori Milazim Maraj, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se grevat bazën e kanë në pazaret e SBASHK-ut me partitë politike shqiptare në prag të zgjedhjeve, në këmbim të votave.

Ai thotë se pasojat janë sikur ndërprerja e mësimit nga Serbia para lufte.

“Grevat në arsim që nga pas lufta u shndërruan në një pengesë të rëndë për ngritjen e cilësisë në arsimin e Kosovës. Këto greva bazën e kanë në pazaret që SBASHK-u, i bënë me partitë politike shqiptare në prag të zgjedhjeve, në këmbim të votave. Si ato parti që pranojnë këso marrëveshjesh, ashtu edhe SBASHK që kërkon këso marrëveshjesh, janë vë në shërbim të një loje të rrezikshme me pasoja progresive për kombin tonë. Askund në botë nuk bënë greva me ndërprerje mësimi, mund të ketë çdo lloj forme të grevës përveç ndërprerjes së mësimit. E drejta sindikale e SBASHK-ut përfundon aty ku fillon e drejta e fëmijëve për t’u shkolluar pa pengesa. Pasojat janë sikur ndërprerja e mësimit nga Serbia para lufte. Mësuesit bashkë me të drejtën e fëmijës për shkollim do të mbronin portretin e mësuesit që e dhanë jetën për mësimin e fëmijëve shqiptar, për shkollim e tyre. “Më vrisni o shqiptarë, por ruani gjakun tim që fëmijët tuaj, të shkruajnë me të, shkronjat e gjuhës shqipe” J. V.”, thotë ai.

Sipas tij, edhe heshtja e prindërve është shumë e pa kuptimtë, madje ai shton se kjo heshtje është e ndihmuar nga opozita.

“Greva me ndërprerje mësimi nuk kishte kuptim as kur filloj, madje ishte një shantazh shumë i rrezikshëm. Ministrija e Arsimit nuk gjeti rrugë për të dal nga kjo gjendje. Shantazhohen fëmijët tonë, pa të drejtë. Shumë e pa kuptim është heshtja e prindërve, kjo tregon një nivel jo të duhur të ngritjes së tyre për këtë shekull. Apo janë edhe këta ish nxënësit që patën shumë pengesa në shkollimin e tyre? Prindërit nuk janë më të pa shkolluar, të paktën kanë diploma. Heshtja e tyre për dëmtimin që po u shkaktohet fëmijëve të tyre është ogurzezë. Kjo heshtje është e ndihmuar nga opozita në Kosovë edhe kjo e mjerë që pret të fitoj diçka nga pushteti në dëm të nxënësve. Nuk ka lojë më fëmijë!!! Nuk ka lojë më ardhmërinë tonë!

Kurse, sa i përket ndërmjetësimit të Avokatit të Popullit, Maraj thotë se ai duhej të duhej të del me qëndrim të qartë juridik, ka apo nuk ka të drejt SBASHK-u të pengoj mësimin e nxënësve.

Sepse, shton ai, mësimi ndalohet vetëm nëse nxënësit janë në rrezik; si pandemi, stuhi natyrore, luftë.

“Avokati i Popullit mbajti qëndrim politik, jo juridik, duke kërkuar reflektim të atyre që nuk reflektuan kur u futën në grevë, të atyre që nuk e ndjejnë nevojën e reflektimit që tre javë duke i mbajtur nxënësit jashtë shkolle. Avokati me deklarimin e tij kërkon nga të dy palët; Qeveri dhe SBASHK të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim. Avokati do të duhej të del me qëndrim të qartë juridik, ka apo nuk ka të drejt SBASHK-u të pengoj mësimin e nxënësve. Askush nuk ka drejt të ndaloj mësimin e nxënësve. Mësimi ndalohet nëse nxënësit janë në rrezik; si pandemi, stuhi natyrore, luft etj, jo për çështje sindikale apo pazare për vota. Nxënësit po humbin edhe javën e tretë të mësimit. Ndërsa krrokama e Rrahman Jasharit së po mbron mësimdhënësit tregon që kjo sindikatë është famëkeqe dhe nuk di të organizoj greva që e detyrojnë Qeverinë e Kosovës t’i ngrit pagat, por dëmton nxënësit tonë pa të drejtë. Ky është një krim, sikur kur rrëmben fëmiun dikujt, i venë tytën në kokë dhe i thua më jep kaq para ose do ta e vras. Kjo është vrasje kolektive e më të pa fajshmëve, në këtë arenë të pakuptimtë në shtetin tonë. Realizimi i planeve dhe programeve e këtij viti është rrezikuar nga SBASHK-u, dhe kryeneçësia e Qeverisë. SBASHK-u luan më ardhmërinë e Kosovës, dhe autoritetin e mësuesit shqiptarë në Kosovë. Qeveria e Kosovës pasi që ka pranuar lojën e pazareve do të duhej që për hirë të nxënësve dhe kundër dëmit progresiv që po shkakton greva më ndërprerje mësimi ta pranon pazarin me kompromise.

Një marrëveshje edhe jo parimore do të duhej të funksionoj në këtë gjendje për shkak të arsyes. Nxënësit tonë vitin e kaluar humbën mësim për shkak të pandemisë, këtë vit nga kryeneçësia dhe bajraktarizmi i “Pandemafisë” në Kosovë. Kuvendi i Kosovës në Konsultim me Kushtetutën tonë do të duhej që të nxjerr ligj që ndalon “Grevën më ndërprerje mësimi në Kosovë,” përndryshe kjo do të na dëmtojë në vazhdimësi. Ndëprerja e mësimit nuk lihet në vullnetin e atyre që nuk ndjejnë dhëmbje për fëmijët shqiptarë, as atyre që janë të përgjumur e nuk e kuptojnë këtë humbje dhe as në mëshirën e atyre që kanë mision sabotimin në arsimin shqiptarë në Kosovë. Mësimdhënësit në vend të rritjes së pagave do të përfitojnë humbjen e shumë vendeve të punës. Greva që ka dal si pasqyrë e keqe për mirëqenien tonë në Kosovë do të rritë shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Do të lëndojë shpresën edhe kështu të lënduar për të qëndruar në Kosovë. Mësimdhënësi po humb besimin për dashurinë që ndjenë për nxënësit e vet. Në shtatorin e ardhshëm shumë mësimdhënës do të mbetën pa punë fare, në mungesë të nxënësve. Vetëm mësimdhënësit që nuk lejojnë që dinjitetin e tyre prej mësuesit të përkushtuar të nëpërkëmbët nga njerëz miop dhe qëllimkëqijtë. Mësimdhënësit e përkushtuar mund ta nxjerrin shkollën shqipe nga kjo kurthë. Ata duhet të i ftojnë nxënësit e tyre të fillojnë mësimin dhe që asnjë herë të mos u lejohet kjo nëpërkëmbje e dinjitetit të tyre nga pseudopaternalitet. Çështja e pagave duhet të zgjidhët në Qeveri dhe Parlament të Kosovës”, përfundon profesori.

Mulliqi: Jo tani, por qysh kur ka filluar, greva e humbur kuptimin

Image
Analisti Skënder Mulliqi

Analisti Skënder Mulliqi, shprehet se kjo grevë e ka humbur kuptimin qysh kur ka filluar.

Sipas tij, këto greva po dihet se janë politike, madje duke se SBASHK-u e ka marrë rolin për të rrëzuar Qeverinë Kurti, duke shndërruar veten në opozitë.

“Greva për rritje të pagës, nuk e ka humbur tash kuptimin siç shprehet ministrja Nagavci, por e ka humbur qysh në thirrje për grevë. Dihet roli i sindikatave në shoqëritë demokratike, por si duket kjo nuk është kuptuar ose më mirë me thënë nuk është dëshiruar të kuptohet nga kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Këtë grevë shumë kush e ka cilësuar grevë politike, dhe nuk kanë gabuar. Po shihet se SBASHK përmes grevës po tenton të krijojë probleme të paqena, për të rrezuar Qeverinë Kurti. Është duke u manipuluar keq me nxënësit dhe studentët e universiteteve publike. Duket se ky institucion sindikal po e luan mirë vallen e huaj, duke e shndërruar veten në opozitë, që lufton për pushtet, duke e cenuar kështu rëndë pavarësinë e sindikatave .Këta bëhen sikur kanë harruar se po i lënë shkollarët tanë jashtë bankave shkollore, edhe ashtu kur kemi një arsim pa cilësor në Kosovë”, thotë analisti.

Ai shton, se kjo çfarë po bën SBASHK-u është e pa pranueshme, madje, greva ka tejkaluar çdo përmasë.

“Kjo nuk po ju intereson , se sikur tu kishte interesuar procesi mësimor do të kishte filluar me kohë, e jo të zhagitet. Kreu sindikal kishin takim me kryeministrin Kurti, i cili sigurisht se ju ka treguar se edhe kushti për rritje te pagave do të rregullohet me Ligjin e Pagave në Kuvend. Këtë takim sikur po e shfrytëzojnë si pretekst se gjoja nuk janë dakorduar me qeverinë për t’i vazhduar grevat për 100 euro., për sa edhe bëhet fjalë se do të jetë rritja. Dihet se disa sektor shoqëror dhe sektori privat qëndrojnë shumë më keq kur bëhet fjalë për pagat. SBASHK, ka të drejtë të thërras në grevë vetëm ata që janë anëtar të tyre, e jo nxënësit, studentët, të cilët nuk janë anëtar të kësaj organizate sindikale, duke ra në kundërshtim me ligjet në fuqi, e detyrimi është vepër penale. Mu për atë edhe në shumë shkolla prindërit kanë filluar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në procesin mësimor. Kështu ishte dashur të veprojnë të gjithë në Kosovë. Askush nuk ka asgjë kundër personelit mësimor, por kjo çka po ndodhë me greva ka tejkaluar çdo përmasë”, përfundon analisti Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat