Gjermania ia zbuloi gënjeshtrat Vuçiqit/ Kush e ndihmoi atë – a mori ultimatum nga këta persona!?

Politika

Gjermania ia zbuloi gënjeshtrat Vuçiqit/ Kush e ndihmoi atë – a mori ultimatum nga këta persona!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 shtator 2022 Në ora: 08:04
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu Kosovë-Serbi po vazhdon të jetë çështja kryesore për vendin, dhe “Thembra e Akilit”, rreth të cilës po sillen shumë procese, për shkak të trysnisë së brendshme dhe ndërkombëtare.

Atë e sjelli edhe më në qendër të vëmendjes publikimi i një ‘kornize’ të re të dialogimit, siç thuhej të përpiluar nga këshilltarët e Macron dhe Scholz.

Mirëpo, të gjithë zhurmën që e krijoi kjo ‘kornizë’ e demantoi qeveria gjermane.

Qeveria Gjermane ka demantuar se qëndron prapa një dokumenti katër faqesh të ashtuquajtur si “kornizë e re” për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që u raportua se iu dorëzua Kurtit dhe Vuçiqit përmes dy top-këshilltarëve të Macron dhe Scholz përgjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Nga Qeveria Gjermane kanë thënë se kanë përcjellë raportimet në media për një dokument të tillë për të cilin është supozuar se është dorëzuar nga Franca, Gjermania dhe Lajçak tek kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, por potencojnë se një letër e tillë s’vjen as nga Gjermania, as nga Franca e as nga Miroslav Lajçak.

Nga Berlini zyrtar theksojnë se nuk kanë informacione se kush e ka shpikur një dokument të tillë dhe me çfarë qëllimi.

Mehazi: “Letra qarkore "kornizë" për një marrëveshje dhjetë vjeçare në mes Kosovës e Serbisë s'është kurrgjë tjetër përveç fluskave të zhurmshme.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” tha se korniza e re për dialog e publikuar më parë është një fluskë zhurme.

Image
Sulejman Mehazi

Ai e krahasoi atë me non-paperin e Janes Janshes.

Letra qarkore "kornizë" për një marrëveshje dhjetë vjeçare në mes Kosovës e Serbisë s'është kurrgjë tjetër përveç fluskave të zhurmshme, të përkohshme politike të llojit të "Non paperit" të mëparshëm të Janes Janshës që qarkulloi andaj e këndej dhe u zhduk si rosë mëngjesi”, deklaroi profesori.

Sipas Mehazit, këto ‘korniza’ janë pallavra politike të Aleksandar Vuçiqit.

Ai shtoi se nëse kjo kornizë do të ishte e përpiluar nga Brukseli do i shkonte edhe kabinetit të kryeministrit Kurti.

"Korniza" të tilla dalin vetëm nga kuzhinat serbe me gjellëra politike të Vuçiqit për të blerë decenie vitesh kundër interesave të Kosovës. Pallavrat politike të kësaj letre "kornizë" e kanë kuptimin: "e shkuarjes në plazh për t'u larë jo sot, por nesër", që Serbia ta "pranojë" Kosovën brenda "kushtetutës serbe", por mos ta "njohë" të mëvetësishme. Sesa është e "vërtetë" "paper letra kornizë" vërehet e shihet thjeshtë, se, nuk doli as nga Brukseli, as nga dy këshilltarët gjerman e francez, por nga kabineti i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nëse letra "kornizë" do kishte dalur nga këshilltarët e kancelarit gjerman, z. O. Scholz dhe presidenti francez, E. Macron atëherë kjo "kornizë" politike dhjetëvjeçare do shkonte edhe në adresë të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, profesori tha se gënjeshtra më e madhe e Vuçiqit është deklarata se kinse ky e ka refuzuar këtë ‘kornizë’ të re të dialogut, e cila është një dokërr e radhës e presidentit serb.

Gënjeshtra më e madhe e pasardhësit të Qosiqit dhe Millosheviqit është se Vuçiqi e paska refuzuar "letrën kornizë" nga dy këshilltarët evropian dhe se këtë "kornizë" politike dhjetëvjeçare të dialogut Kosovë-Serbi e ka lexuar vetëm Vuçiqi e askush tjetër. Shkurt e qartë "letra kornizë" e ka kuptimin e dokrrave dhe kopallave politike të Vuçiqit së bashku me mikun e tij të ngushtë, Edi Ramën”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mulliqi: Vuçiq, edhe mund të këtë pranuar ndonjë lloj ultimatumi me 19 shtator nga Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e Macron dhe Scholz

Ndërsa, analisti politik, Skënder MulliqI në prononcimin e tij për “Bota sot” përmendi faktin se janë intensifikuar synimet e Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Skënder Mulliqi

Diçka është tashmë e ditur, së janë duke u intensifikuar përpjekjet për të arritur sa më shpejtë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes bisedimeve, që të kemi stabilitet politik në rajon. Kjo rezultojë nga vizitat e shpeshta që i patën Escobar, Lajçak dhe Borell në Beograd dhe në Prishtinë. Se duhet shpejtuar këto bisedime ishte edhe letra e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emanuel Macron, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Referencë për këtë e kanë marrë edhe agresionin rus në Ukrainë, që po e sfidon kontinentin e vjetër, në aspektin ekonomik e politik”, deklaroi ai.

Sipas Mulliqit, tani negociatat janë në një fazë të vështirë, pasi po shkojnë drejt fazës finale.

Por, ajo që e befasoi është deklarata e Vuçiqit lidhur me propozimin e ri për palët dialoguese.

“Bisedimet nuk do të jenë të lehta se po hynë në fazën përfundimtare dhe mund të këtë edhe kompromise, ashtu siç edhe po paralajmërohet. Dihet se për Kosovën kryesore veç normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella, duhet të vjen gjatë bisedimeve apo në fund të tyre njohja e shtetësisë të Kosovës nga Serbia. Por, ajo që këtyre ditëve zgjoi kureshtjen e opinionit të gjerë publik, është deklarimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas mbledhjes të Këshillit të Sigurisë, i cili dha detaje për takimin që kishte më tre emisarët evropianë. Sipas Vuçiqit ka një propozim të ri për palët dialoguese”, theksoi analisti.

Më tej, ai vlerësoi se demantimi nga BE-ja lidhur me kornizën e re, ia vuri në pah gënjeshtrën e Vuçiqit.

Po ashtu, shtoi se presidenti serb mund të ketë marrë ndonjë ultimatum tjetër nga këshilltarët e Macron dhe Scholz.

Korniza e re e dialogut tha të jetë propozuar nga tre të dërguarit e BE-së. Se ky deklarim nuk mund të jetë shumë serioz erdhi edhe nga qarqet e BE-së, të cilët u deklaruan se nuk kanë njohuri për këtë letër “Kornizë”. Kjo e vë në dyshim se autorët e kësaj letre mund të jenë Vuçiq–Rama dhe Baton Haxhiu. Nëse është kështu asgjë serioze nuk do të dal nga ky manovrim politik i Serbisë të Vuçiqit dhe ndihmëtarëve të tij. Vuçiq, edhe mund të këtë pranuar ndonjë lloj ultimatumi me 19 shtator nga Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, përmes disa letrave e jo një letre siç ka deklaruar presidenti serb. Kjo do të zbardhet shpejt në opinion në mënyrë që të hiqen të gjitha spekulimet”, shpjegoi Mulliqi.

Në fund, analisti konsideroi se nuk ka mundësi të arrihet asnjë marrëveshje pa Amerikën dhe trysninë e saj, pasi Serbia po refuzon në vazhdimësi ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Nëse ka pasur letra nga emisarët, ku edhe Amerika i përmban, ato janë bërë kësaj radhe në formën: ”merre ose lerë”. Kështu, kishte vepruar dikur edhe Hollbruk, kur Millosheviq kishte refuzuar, por pastaj, caqet ushtarake serbe ishin bombarduar nga NATO. Unë mendoj, se nuk ka mundësi të arrihet asnjë marrëveshje pa Amerikën, kur dihet se BE-ja nuk është treguar koherente karshi procesit të dialogut. Luhatjet në këtë drejtim, nuk sjellin deri te rezultati i pritur, edhe për faktin se Vuçiqi nuk ka hequr dorë nga retorika luftënxitëse, dhe as nuk po jep sinjale se do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Pa trysnin e fortë të Amerikës siç e bëri në vitin 1999 ndaj Millosheviqit, vështirë se do të arrihet paqja e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat