KFOR-i zbarkon në Kosovë nga frika për tensione? Eksperti i sigurisë zbulon planin e ri të Listës serbe

Politika

KFOR-i zbarkon në Kosovë nga frika për tensione? Eksperti i sigurisë zbulon planin e ri të Listës serbe

Nga: A.Zh Më: 23 shtator 2022 Në ora: 18:37
Pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë

KFOR do të shtojë prezencën e trupave në Kosovë, ku trupat shtesë që kanë ardhur nga Mbretëria e Bashkuar do të marrin pjesë në një ushtrim rutinë të misionit të KFOR-it që do të zgjasë nga 27 shtatori deri më 2 nëntor.

Megjithëse nga NATO-ja kanë thënë se ky shtim i përkohshëm i trupave të KFOR-it, është thjeshtë vetëm një rritje e përkohshme trupash që do të marrin pjesë në ushtrime, në Kosovë po lidhet me frikën se mund të ketë tensionim të situatës së sigurisë.

Kjo pasi ushtrimi do të zhvillohet në periudhën kur përfundon afati për kthim të targave ilegale në RKS dhe pastaj veturat me targa “KM” e të tjera konsiderohen si të paregjistruara.

Image
Drizan Shala

Se situata është e komplikuar në aspektin e sigurisë, e ka thënë edhe njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë Drizan Shala. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka pohuar se pos targave, temë interesante po zhvillohet edhe në Mal të Zi, ku po tentohet largimi i vendit nga orientimi perëndimor.

“Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë duke u shndërruar në një situatë bukur të komplikuar sa i përket aspektit të sigurisë. Zhvillimet në Malin e Zi dhe data e 31 tetorit në Kosovë sa i përket masës se reciprocitetit për targa, janë bërë dy tema interesante ku njëri shtet është anëtar i NATO-s, por që orinetimi politik atje po tentohet që të zhvillohet në një situatë proserbe/ruse e largimin nga baza e orinentimit perëndimor”, është shprehur Shala.

Ai ka theksuar se KFOR-i ka rritur numrin e ushtarëve, pasi mund të cenohet siguria, meqë Serbia po tenton të përcaktojë çdo element të mundshëm sa i përket reciprocitetit për tabelat e veturave. Ai parashikon se mund të ketë rrëzim të Rezolutës 1244 nga OKB-ja.

“Sipas shifrave zyrtare vetëm 5 vetura nga gjithsejt rreth 10.000 vetura që duhet të ndërrojnë tabelat janë zhvilluar, pra shifër e cila kap 0.053%. Dhe këtu vërehet një impakt i drejtpërdrejtë i Serbisë, që po tenton që të përcaktojë çdo element të mundshëm. Prandaj, KFOR ka arritur numrin prej 600-1000 persona, që këta muaj do të qëndrojnë në Kosovë për të ndihmuar në rast se cenohet siguria dhe rrëzohet Rezoluta 1244 nga OKB-ja”, ka thënë eksperti Shala.

Sipas tij, Lista Serbe mund të shpallë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe të tentojë të ndërpresë komunikimin e komunave veriore me institucionet qendrore.

“Problemi kryesor është në faktin që problemi politik do të prodhojë situatë jo të këndshme, duke marr veprime të njëanshme nga Lista serbe, e cila do ta shpall Asociacionin e komunave serbe dhe kështu të kërkojë ndihmën e UNMIK-ut, për të administruar zhvillimet politike /administrative. Sepse këto 4 komunat do të tentojnë që edhe komunikimin vertikal që kanë me institucionet qendrore, ta anashkalojnë apo të shkëputet komunikimi institucional”, ka shtuar për gazetën Drizan Shala.

Nga NATO-ja, kanë vlerësuar se aktualisht “situata në tërë Kosovën është përgjithësisht e qetë”.

Image
Pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat