“Ka informacionin për sukses të padiskutueshëm”/ Taktika për ta mposhtur Serbinë – mesazhi i Osmanit për Kurtin nga Nju Jorku

Politika

“Ka informacionin për sukses të padiskutueshëm”/ Taktika për ta mposhtur Serbinë – mesazhi i Osmanit për Kurtin nga Nju Jorku

Nga: P.R Më: 28 shtator 2022 Në ora: 12:23
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila po qëndron për vizitë në Nju Jork, ka deklaruar se zvarritja e procesit të dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është vetëm në interesin e Serbisë.

“Mos harroni se është interes i Serbisë që të zvarrisë procesin e dialogut dhe zgjidhjen përfundimtare. Interes i Serbisë është që procesi të vazhdojë me dhjetëra apo qindra vite që Kosova të mbahet peng. Përkundër veprimeve të tyre, ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajon dhe është i përqendruar në njohje reciproke”, ka thënë Vjosa Osmani.

E në përkrahje të deklaratës së presidentes Osmani, ka dalë profesor, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, Serbia gjendet në një situatë të vështirë dhe këtë duhet ta shfrytëzojë Kosova.

Image
Enver Bytyçi

“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë vendimtare. Për këtë arsye kërkesa e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që ky proces të mos zvarritet është kërkesë e arsyeshme dhe domethënëse. Serbia gjendet në një situatë të vështirë. Ndoshta është situata më e ndërlikuar për të që prej bombardimeve të NATO-s kundër saj në pranverën e vitit 1999. Në këto kushte të kërkosh çuarjen përpara të dialogut është gjë e zgjuar dhe e taktikë dobiprurëse për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Vjosa Osmani po bën pikërisht atë që duhet!”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, deri tani dialogu midis të dy shteteve është zvarritur shumë, gjë në të cilën ka ndikuar edhe kryeministri Kurti.

“Me ardhjen në pushtet të qeverisë Kurti ky dialog u deklarua si prioritet nga fundi i listës së çështjeve me të cilat duhet të merret qeveria e tij. Ne e dinim se nuk do të ishte dialogu prioritet i gjashtë apo i shtatë. Por e justifikuam zotin Kurti. Thamë se ai e bën këtë deklaratë që në opinion të konsiderohet dialogu me Serbinë si gjë e parëndësishme, e lehtë, dhe me epilog të suksesshëm për Kosovën. Ndoshta kryeministri i Kosovës donte ta shtynte së paku përtej mandatit të parë të tij. Nuk mund të jemi të sigurt për këtë. Dy liderët kryesorë të të dy bendeve u takuan shumë rrallë. Madje ata u takuan në gusht të këtij viti, pas më shumë se një viti, prej korrikut 2021”, nënvizon Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë se fundi i dialogut do të thotë zgjidhje e konfliktit ose izolim i Serbisë.

“Pakkush ka besuar se dialogu Kosovë-Serbi do të përshpejtohej kaq shumë. Ishte sulmi i Rusisë kundër Ukrainës që nxori në skenë përshpejtimin e procesit. Tani shohim se, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Brukselit, në dialog janë angazhuar përfaqësues nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca. Kjo do të thotë se koha është e shkurtër. Se ka ardhur fundi i këtyre bisedimeve. Nuk besoj se do të matet kjo kohë me vite, por me muaj! Fundi i dialogut do të thotë zgjidhje e konfliktit ose izolim i Serbisë. Idiotët e non-paper-it të Albanian-Post na thonin se do të izolohet Kosova. Por kjo nuk do të ndodhë”, shpjegon profesor Bytyçi.

“Që presidentja e Kosovës kërkon angazhim intensive për bisedimet Kosovë-Serbi, ky është një lajm i mirë. Kosova duhet të bëjë ç’është e mundur që ta vazhdojnë bisedime me intensitet. A ka mundësi që çdo muaj të ulen në tryezë të dy liderët e të dy shteteve? Të rrinë me orë të tëra duke diskutuar e duke debatuar?! Por kjo kërkon angazhim, vizion, argument, projekte zhvillimi dhe integrimi. Kërkon të shqyrtohen opsione të ndryshme të marrëveshjes përfundimtare, të cilat të përfundojnë me njohjen e detyrueshme të Kosovës nga ana e Serbisë”, deklaron Bytyçi, i cili thotë se në këto momente Serbia është në defensivë.

“Ajo është e zënë dhe e nervozuar me pozicionin dhe marrëdhënien e saj me Rusinë. Akuzat dhe kërkesat e Perëndimit që Beogradi të shkëputet nga orbita e aleancave me Moskën janë një trysni e shtuar dhe shqetësuese për liderët serbë. Ndërkohë, bazuar në të dhëna të sigurta, duhet që qeveria e Kosovës ta ndihmojë veten, duke dëshmuar faktin se prezenca e Rusisë në Serbi është shumë e madhe. Ka një qendër që quhet logjistike në Nish, por që ajo është një qendër trajnimi dhe spiunazhi, e cila përgatit serbët kundër Evropës dhe kundër stabilitetit në Ballkan”.

Por çfarë ndodhë nëse Kosova nuk shkon në bisedime me Serbinë?

“Gjithçka që Serbia bën në bashkëveprim me Rusinë duhet denoncuar në këto kohë e duhet shpalosur në tryezën e bisedimeve. Por që të ndodh kjo duhet që të insistohet që bisedimet të vazhdojnë me intensitet të shtuar. Nëse nuk shkohet në bisedime, atëherë nuk mund të përdoren faktet e provat që e mbështesin Beogradin me shpatulla për muri. E gjitha kjo do të çojë në suksesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë dhe një vendimmarrje të drejtë në marrëveshjen përfundimtare. Avantazhi tjetër është se marrëveshja midis Serbisë dhe Rusisë e nënshkruar në Nju Jork për koordinimin e diplomacisë midis të të dy vendeve ka bërë që: 1) Të shtohet presioni ndaj Serbisë. 2) të pakësohet roli i kryeministrit të Shqipërisë në ndihmë të Serbisë. Është sukses i Kosovës, nëse Edi Rama nuk gjen më legjitimitet moral e politik të deklarohet pro qëndrimeve serbe ndaj Rusisë!”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se Osmani ka informacionin e nevojshëm për një sukses të padiskutueshëm në bisedimet me Serbinë.

“Institucionet e Kosovës dhe qeveria e saj duhet ta vlerësojnë me seriozitet të plotë kërkesën e kryetares së shtetit, zonjës Osmani. Ajo ka informacionin e nevojshëm për një sukses të padiskutueshëm në këto bisedime, ndaj dhe kërkon të përshpejtohet procesi! Takimet e presidentes në SHBA ishin dinamike dhe me siguri që aty janë shkëmbyer bisedime, të cilat rekomandojnë pikërisht këtë këshillë që ajo po u jep kolegëve të saj në Prishtinë!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat