“LDK-ja themeloi UÇK-në, më 28 nëntor 1990”/ Zeqiraj: Partia e kryezotit Rugovë të mos aprovojë rezolutat e politikave mafioze të PAN-it

Politika

“LDK-ja themeloi UÇK-në, më 28 nëntor 1990”/ Zeqiraj: Partia e kryezotit Rugovë të mos aprovojë rezolutat e politikave mafioze të PAN-it

Nga: M.L. Më: 28 shtator 2022 Në ora: 14:29
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Në pjesën e dytë të bashkëbisedimit me gazetën “Bota sot”, publicisti dhe veprimtari i LDK-së, në Gjermani, Idriz Zeqiraj ka folur për rolin historik të partisë së parë demokratike në Ballkan. 

Ai ka thënë se LDK-ja ishte një parti intelektualësh e akademkësh, e cila themeloi zyrtarisht edhe UÇK-në më 28 nëntor 1990. 

Image
Idriz Zeqiraj

 “Është thënë dhe përsëritur se LDK-ja është parti intelektualësh, parti akademikësh. Është krejt e vërtetë se LDK-ja themeloi, zyrtarisht, UÇK-në, më 28 nëntor 1990, duke emëruar ministrin e mbrojtjes, të Shërbimit Informativ dhe strukturat tjera ushtarake. LDK-ja bëri paqen dhe luftën. Dhe, me gjithë këtë veprimtari, u përgjak nga disa "komandantë" kriminel e shpirtshitur, duke i ekzekutuar ushtarakët luftë bërës, përfshi edhe ministrin Luftës, Kolonel Krasniqin, bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova dhe veprimtarët e LDK-së, gjatë dhe pas luftës së Kosovës”, është shprehur ai. 

Ai ka thënë se, LDK-ja ka një anëtarësi, me nder e besë, të dhënë themeluesit të saj, kryetarit historik, Dr. Ibrahim Rugova, por sipas tij, tradhtia dhe devijimi nga fryma rugoviane ndikuan që nga ky subjekt të largoheshin 100 mijë anëtarë.  

 “Dhe, kur tradhtia kulmoi, me devijimin e tërësishëm të frymës rugoviane, zemërthyer, por qëllimshëm, u ndanë më shumë se 100 mijë anëtarë, për ta sjellë ndryshimin e domosdoshëm, të prirë nga Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. Dhe, kur ky ndryshim u bë dhe reformat u premtuan, në zgjedhjet lokale u kthyen, në grup, tej 100 mijë rugovistët, të cilët, pothuajse, i përzuri, përbuzshëm, klani cinik dhe mospërfillës i anëtarësisë, i koracuar në krye të LDK-së, tashmë, të uzurpuar dhunshëm”, potencon ai. 

Sipas publicistit, një LDK me norma e parime të siç e quan “kryezotit Rugovë”, tashmë i amshuar, por e udhëhequr me besnikëri të frymës rugoviane, nga pasuesit e tij, është e gatshme të luajë rolin e saj, në sfidat aktuale, që po e presin vendin, siç është përmbyllja e dialogut me Serbinë.  

 “Ky dialog i vështirësuar, deri në stopim, është rrjedhojë e disa marrëveshjeve fatale për Kosovën. Për të shpëtuar disa individë, kinse "komandantë, nga përgjegjësia që kishin për shumë krime faktike, gjatë dhe pas luftës, bëhej këmbimi i lirisë së tyre, me tjetërsimin e tokave tona dhe bërja hisedarë e Serbisë, në sundimin e Kosovës, siç janë Demarkacioni me Malin e Zi dhe "Zajednica" me Serbinë! 

Për ta përmbyllur këtë dramë të dhimbshme, me përmasa kombëtare, kërkohet një angazhim serioz i LDK-së, pavarësisht se kush kryeson Qeverinë dhe dialogun. Sepse ky subjekt politik ka burime njerëzore dhe mendore, për të dhënë një kontribut të mirëfilltë në dialogun aktual. Kemi dëgjuar që Qeveria Kurti ka ofruar bashkëpunim me opozitën, për zgjidhjen e çështjes, të mbetur pezull, dialogun me Serbinë.  Nuk kemi parë gatishmërinë nga ana e opozitës, për t`u angazhuar në dialog. Madje, ka pasur edhe përgjigje të papërgjegjshme e hiç fisnike: "Nuk marrim përgjegjësie për pasojat e reciprocitetit, të aplikuar nga Qeveria", edhe pse ky vendim ka aprovimin jo vetëm të shqiptarëve të përbotshëm, (përjashtim bënë vëllai i Vuçiqit, Edvin Rama, me horra që e rrethojnë dhe kontribuojnë në përçarjen e shqiptarëve), por edhe të ndërkombëtarëve”, është shprehur ai. 

Tutje, Zeqiraj ka thënë se LDK-ja nuk ka implikime kriminale as në aferën të "Veteranëve", si abuzimi, hajnia zyrtare më skandaloze aktuale në Kosovë.  

“Dhe, as në organizimin e grevës, po kaq kriminale, duke lënë 318 mijë nxënës jashtë bankave të shkollës, me qëllimin e vetëm, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti, e organizuar nga PAN-i dhe SHIK-u i saj, por të faturuar Sindikatave të Kosovës, të prirë nga militantët partiakë të PDK-së dhe të AAK-së. I pari i radhës, SHIK-asi aktiv, Imer Imeri, i pasuar nga i dyti Rrethit Kushaj, ndërsa komunën e mbanë i treti në radhë, Rrahman Jasharaj. Pra, jo gjithmonë i pari në ulëse, është edhe i parë në rolin faktik. 

Kam dëgjuar një zonjë të LDK-së të thotë, se "Veteranët e UÇK-së duhet të përfshihen në ligjin për pagën minimale", pa logjikuar fare se janë më pak se 13 mijë veteranë të vërtetë dhe tej 52 mijë "veteranë" të rremë. Disa "komandantë" kriminelë, së bashku me disa banditë, pjesë e bandave të tyre, së pari, me qëllime përfitimi para kesh, në dorë, shitën me tepri "Dëshmi Veterani" fiktive, të rrejshme. Së dyti, me shumë-mijërat e "veteranëve" të rrejshëm, begatuan klientelën elektorale-partiake, kryesisht, të partive-banda të PAN-it, sepse Komisioni përkatës ishte "një etnik", " të dalë nga lufta", pa hyrë në luftë fare. Pallavra”, rikujtoi Zeqiraj. 

Për Idriz Zeqirajn, LDK-ja ka maturinë e bollshme dhe përgjegjësinë e madhe, prandaj, nga ajo kërkohet të bëjë opozitë të pavarur, pa u bë pjesë e argat të aprovimit të rezolutave të politikave mafioze të PAN-it, partitë e të cilit, në një shtet demokratik, duhej të përjashtoheshin si të paligjshme, nga jeta politike brenda shtetit, për krimet, tashmë, të dëshmuara vrastare dhe të makro-hajnive zyrtare. 

“Për hirë të interesave jetike të Kosovës, për të përmbyllur çështjet e shtruara për zgjidhje, LDK-ja i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë, për ta dhënë ndihmën urtake dhe profesionale. Dhe, ky obligim shtohet, kur LDK-ja thirret në emrin e themeltarit të saj dhe të shtetit të Kosovës, Presidentit Rugova. Drejtuesit e rinj të LDK-së, i kanë të qarta arsyet pse u fudos kjo parti, dikur lavdiplote. Dhe, pësimi duhet të bëhet mësim, duke mos përsëritur asnjë nga gabimet-faje, në të kaluarën e afërt. Guida është e gatshme, LDK-ja të kthehet në origjinën e saj të natyrshme. Dhe, fitorja e saj do të jetë e pashmangshme, e garantuar”, ka përfunduar Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat