Kërkohet largimi i Edi Ramës nga pushteti/ Ja planet që po kurdisen kundër Kosovës!

Politika

Kërkohet largimi i Edi Ramës nga pushteti/ Ja planet që po kurdisen kundër Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 tetor 2022 Në ora: 08:03
Edi Rama, foto ilustrim

 

Serbia dhe Rusia po vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta mes vete, ani pse kjo e fundit është ende në luftë me Ukrainën.

Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, nënshkroi marrëveshjen një javë më parë me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Kjo marrëveshje është realizuar në ambientet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një periudhë ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Por, as kjo marrëveshje e re serbo-ruse, nuk ia ka prishur ‘timin’, Edi Ramës.

Ai vazhdon të mbetet i pandashëm ndaj Vuçiqit, dhe Serbisë.

Mbrojtja e vazhdueshme e Vuçiqit, si duket i është bërë punë e pandashme Edi Ramës.

Rama po arrin të arsyetoj çdo veprim të Vuçiqit duke i qëndruar afër, pavarësisht që i njëjti përfaqëson shtetin, i cili ka kryer mbi 400 masakra dhe gjenocid në Kosovë.

Mirëpo, a duhet t’i jepet fund qeverisjes nga Edi Rama në mënyrë që lidhja e ngushtë të jetë mes Shqipërisë e Kosovës e jo me Serbinë?

Qarri: E vetmja mënyrë që Shqipëria të çlirohet nga ndikimi serb dhe rus, mbetet rrëzimi apo shkarkimi i Ramës

Image
Gani Qarri

 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet analisti politik, Gani Qarri.

Ai u shpreh se kryeministri Rama po vazhdon ta mbrojë Serbinë me një këmbëngulje që po kryen avokatin e Vuçiqit.

“Se mbrojtja e Serbisë, është shndërruar, jo më, vetëm në kauzë, por në sëmundje personale të Edvin Kristaq Ramës, e dëshmon më së miri fakti, se edhe pas marrëveshjes më të re të Vuçiqit me Rusinë, ai vazhdon ta mbrojë edhe më-me fanatizëm Serbinë, gjë që mund ta dëmtojë seriozisht jo vetëm të ardhmen e integrimeve evropiane të Shqipërisë, por edhe shëndetin e kryeministrit të shtetit amë, i cili më tepër sillet si avokat dhe ministër i jashtëm i Serbisë, se sa si kryeministër i Shqipërisë”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që, Rama hidhet i pari përpjetë, për ta mbrojtur Serbinë, e vë në pozitë të vështirë, jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë.

“Këmbëngulësia kryeneçe e Edvin Kristaq Ramës, për mbështetjen me aq kokëfortësi të Serbisë edhe para faktorit ndërkombëtar, madje edhe kur BE-ja dhe SHBA-ja, kërkojnë nga Vuçiqi, që ti bashkohet BE-së dhe t’i vendosë sanksione Rusisë së Putinit, Rama hidhet i pari përpjetë, për ta mbrojtur Serbinë, e vë në pozitë të vështirë, jo vetëm Kosovën, se tek e fundit Kosova i ka përfaqësuesit e saj, por edhe vet Shqipërinë, pasi që pavarësisht dashurisë sado të zjarrtë të Edit për Vuçiqin, Shqipëria si shtet mëton integrimin në BE dhe jo në Serbi as në Rusi”, shpjegon analisti.

Rama, avokati i Serbisë

“Prandaj “shoku” “Edi”, siç e quan me përkëdhelje Vuçiqi, do të ishte mirë të mos humbë më kohë, por ta mbaroj, sa më parë në Beograd juridikun dhe ta hapë urgjentisht një zyrë avokatie, e të bëhet mbrojtës publik i Serbisë dhe interesave serbe në botë, sidomos pas marrëveshjes më të re me Rusinë”, shtoi Qarri.

Ndër të tjera Qarri thotë se nuk është goditja e parë që Rama i bënë Kosovës pasi në vazhdimësi është afruar me Vuçiqin dhe janë bërë miq për kokë.

“Përndryshe goditja e Ramës, nuk është goditja e parë pas shpine në kurriz të Kosovës nga udhëheqësit e Shqipërisë, por është traditë e keqe, që vazhdon të përsëritet edhe sot dhe përderisa Vuçiqi e keqpërdor çështjen e Kosovës, për fitimin e poenëve politik dhe qëndrimin sa më gjatë në pushtet në Serbi, edhe Edvin Kristaq Rama, duke marrë shembull nga Ahmet Zogu e Enver Hoxha, e përdor Kosovën për të shkelur me të dy këmbët mbi të, në mënyrë që të afrohet sa më shumë me Vuçiqin dhe bëhet mik për kokë, me Serbinë”, thotë analisti.

Në bisedë e sipër, ai thotë që Rama po humbë kohë me Serbinë në vend se të punoj më shumë për Shqipërinë.

Kërkohet shkarkimi i Ramës

“Edi Rama, në vend se të punojë për Shqipërinë dhe përafrimin e saj me BE-në, ai e humbë kohën kot duke i bërë avokatinë Serbisë, përderisa Serbia gëzon mbështetje të mjaftueshme nga vende dhe personalitete shumë më të fuqishme, e cila përkundër problemeve të hapura me Kosovën, qysh në vitin 2012 e ka marrë statusin e kandidatit, kurse më 2014 ka filluar edhe negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Shqipëria, megjithëse ka aplikuar mbi 13 vite më parë për anëtarësim, përderisa kryeministri i saj, rrinë duke u marrë me mbrojtjen e Serbisë, dhe jo me problemet e Shqipërisë, ajo vetëm në gjysmën e dytë të korrikut 2022, ka marrë pëlqimin, për hartimin e kuadrit negociues dhe paraprakisht duhet ti plotësojë kriteret e ashtuquajtura të Kopenhagenit, në mënyrë që të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE”, tha ndër të tjera njohësi i çështjeve politike.

Gjithashtu analisti thotë që e vetmja mënyrë që të çlirohet Shqipëria është rrëzimi apo shkarkimi i Ramës.

“Kështu që e vetmja mënyrë që Shqipëria të çlirohet nga ndikimi serb dhe rus, mbetet rrëzimi, shkarkimi apo largimi i Ramës, sa më parë dhe në çfarëdo forme qoftë, nga qeverisja e mëtejme e vendit, me ndihmën e SHBA-ve”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Shqiptarët kanë miliona arsye për ta rrëzuar Ramën

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se largimi i Ramës është i domosdoshëm dhe se me largimin e tij përfiton edhe Kosova.

“Largimi i Ramës është i domosdoshëm për çlirimin e Shqipërisë nga kjo bandë që e ka kapur pushtetin. Me largimin e tij përfiton edhe Kosova, e cila është e rrezikuar nga dyshja famëkeqe Rama-Vuçiq”, thekson ai.

Analisti në fund paralajmëron edhe protesta duke përmendur marrëveshjet e dëmshme të Ramës ndaj shqiptarëve.

“Besoj se me afrimin e vjeshtës edhe protestat do të rifillojnë, shqiptarët kanë miliona arsye për të rrëzuar Ramën duke nisur nga marrëveshjet e dëmshme për shqiptarët, e deri tek afera e inceneratorëve, afera më e madhe korruptive ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat