Zbulohen prapaskenat e zvarritjes së dialogut Kosovë – Serbi/ Ja strategjia e re që duhet ta ndjek Kosova!

Politika

Zbulohen prapaskenat e zvarritjes së dialogut Kosovë – Serbi/ Ja strategjia e re që duhet ta ndjek Kosova!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 tetor 2022 Në ora: 20:10
Foto ilustrim, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon ende, pa një marrëveshje finale.

Është Serbia ajo e cila në vazhdimësi kërkon të gjejë pretekst, për të mos arritur një ujdi me Kosovën.

Mos pranimi i Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik nga Serbia, ka sjellur tash e disa vite bisedime të pafundme, takime të panumërta, mirëpo pa asnjë rezultat, natyrisht për shkak të Serbisë.

Mirëpo, së fundmi ekspertë amerikanë thonë se përshkallëzimi i agresionit rus në Ukrainë pasqyron dështimin e presidentit Vladimir Putin, por edhe strategjinë e tij që të frikësojë Kievin dhe perëndimin dhe t’i detyrojë të pranojnë kontrollin e tij mbi pjesë të territorit ukrainas.

Këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski ka thënë se, nga pikëpamja e tij, Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth saj, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përpiqet të nxisë trazira dhe kriza edhe në Ballkan.

Gjithashtu për këtë çështje ka folur edhe ambasadorja amerikane Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, që mendon se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë, mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë”, tha zonja Brush.

Mirëpo a mund të ndodhë një gjë e tillë?

Ahmeti: Serbia mund ta njoh pavarësinë e Kosovës në procesin e anëtarësimit të saj në BE, saktësisht në kapitullin e 35-t të MSA-së

Image
Hidajet Ahmeti

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Hidajet Ahmeti thotë se përfaqësuesit e shtetit serb po kërkojnë bisedime të vazhdueshme me Kosovën në mënyrë që të përfitojnë serbët në veri të vendit.

“Përfaqësuesit e shtetit serb janë të vetëdijshëm për realitetin juridik të pavarësisë së Kosovës, por kërkojnë që përmes bisedimeve të përfitojnë diçka më shumë për serbët në Kosovë. Serbia mund ta njoh pavarësinë e Kosovës në procesin e anëtarësimit të saj në BE, saktësisht në kapitullin e 35-t të MSA-së”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson se, është presioni i brendshëm, kur liderët që udhëheqin me institucione në Serbi, hezitojnë të marrin vendime jo populliste, që politikisht mund t'i dëmtojë shumë.

“Ky kapitull është i hapur, por krejt në fund kërkohet fqinjësi e mirë me shtetet përreth, d.m.th. në mënyrë indirekte kërkohet zgjidhja e kontesteve me shtetet fqinje. Realisht është presioni i brendshëm, kur liderët që udhëheqin me institucione në Serbi hezitojnë të marrin vendime jo populliste që politikisht mund të dëmtohen shumë”, nënvizoi Ahmeti për “Bota sot”.

Kelmendi: Njohja e shtetit të Kosovës është zgjidhja e vetme e drejtë

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori, Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo deklaratë e znj.Bush është e drejtë dhe se rajoni do të qetësohej, mirëpo që kjo varet nga BE-ja.

“ShBA-ja ka historikisht qëndrim real sa i përket çështjes së dialogut dhe të zgjidhjes së raporteve me shtetin serb. Dallimet me UE janë të mëdha. Në UE nuk ka qëndrim unifikues për raportet me shtetin serb. Zonja Bush, ish ambasadore në Ballkan, tha: “Veprimi më i mirë për Serbinë do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës, në vend të zvarritjes së një procesi të bisedimeve (...). Nuk do të futet automatikisht Serbia në BE, por do të lehtësojë shumë tensionet në rajon dhe i tërë rajoni do të ecë përpara (...)". Kjo çështje kështu është e drejtë. Natyrisht se rajoni do të qetësohet, por, problemi është se kështu kjo po varet nga UE”, thotë profesori.

Në bisedë e sipër, profesori shton që pengesa më e madhe që është stërzgjatur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga BE-ja dhe futja e z.Borell dhe z.Lajçak në ndërmjetësim.

“Pengesa më e madhe për stërzgjatjen e dialogut me Serbinë është pikërisht BE. Mos njohja e shtetit të Kosovës nga BE dhe futja e z.Borell dhe z.Lajçak në ndërmjetësim, ka krijuar probleme. Këta të dy nuk e përcaktuan kurrë Kosovën me status të shtetit. Kjo vinte kështu nga BE dhe Franca me shtete tjera. Dialogu u bë me status të pazgjidhur, dhe nuk u kërkua njohja e shtetit. Kjo e zgjati procesin dhe e forcoi shumë shtetin serb”, shpjegon ai.

Në fund, profesori thotë se nuk duhet lejuar më manovrimet kriminale të shtetit serb.

Këtu është baza e moszgjidhjes së çështjes Kosovë - Serbi. Shpresohet se kjo ka ndryshuar. Besohet se edhe Franca, si Gjermania, del me shtet në bazë të dialogut. Këtu ka qartësi te ShBA-ja. Dialogu fiton bazament: Kosova është shtet, dhe mbi këtë bazë flitet për normalizim të marrëdhënieve, dhe për njohje. Me këtë bazë shkurtohen dilemat dhe zgjidhet çështja delikate në Ballkan. Nuk duhet lejuar më manovrimet kriminale të shtetit serb. Koha nuk pret. Çështja kërkon zgjidhje”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat