“Është skandaloze, duhet të trimërohet Qeveria”/ Albin Kurtit i vjen kërkesa për Thaçin, Veselin, Selimin...

Politika

“Është skandaloze, duhet të trimërohet Qeveria”/ Albin Kurtit i vjen kërkesa për Thaçin, Veselin, Selimin...

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 tetor 2022 Në ora: 10:14
Foto ilustrim "Bota sot".

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Idriz Zeqiraj thotë se arrestimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve po politizohet qëllimshëm në Kosovë.

“Arrestimi me akuzat e rënda "për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit", po politizohet panevojshëm, qëllimshëm dhe po falsifikohet vrazhdësisht. Dhe, kampanjën falsifikuese e udhëheqin pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm nga Kosova dhe Shqipëria. Në akuzat kundër të pandehurëve në Hagë, as që përmendet akuza e Dick Marty-së, për transplantim dhe trafikim organesh. Këto krime, shumë qindra torturime dhe vrasje politike, janë denoncuar edhe nga njerëz e media vendore, në Kosovë, të cilat dëshmohen me varre, buste dhe shtatore, anekënd Kosovës”, thotë Zeqiraj.

Ai hedh akuza në drejtim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe liderit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Prandaj, me kot lehin e zhurmojnë maskarenjtë, mbrojtës të krimit dhe të kriminelve, që nga kryeministri monstrum shqiptar, Edvin Rama; matrapazi dallaveraxhi, Behgjet Pacolli, i cili kërkon që hisedar në sundimin e Veriut të Mitrovicës të jetë edhe Beogradi; ish-presidentët e padinjitetshëm të Shqipërisë, të prirë nga Rexhep Mejdani, sabotator i luftës të Kosovës, i cili, turpërisht e rrugaçërisht, është i pari, i cili e quajti Presidentin Rugova "tradhtar", kur dhunshëm, u muer peng në Beograd!”, deklaron Zeqiraj për “Bota sot”.

“Në mënyrën më të pazakontë, por edhe më të turpshme, burgu i Hagës është bërë si Meka arabe, për pelegrinazh horrakësh e provokatorësh të shqiptarëve njerëzorë, duke i rivrarë qindra viktimat, për motive politike, si dhe duke lënduar shumë mijëra familje. Kjo turpëron edhe Evropën, e cila, zvarritë, panevojshëm, kinse, hetimet, edhe pse krimet kanë qenë të listuara, të ngeshme dhe gjysmë-legale, në pritje të milionave korruptive, për ta blerë lirinë”, shton Idriz Zeqiraj.

Image
Publicisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Idriz Zeqiraj

Një pjesë të fajit për mos zbardhjen e shumë vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, sipas Zeqirajt e ka edhe UNMIK-u.

“Gjithashtu, është një "e fshehtë publike", bashkëpunimi korruptiv i UNMIK-ut, me komandantët pushtetarë kriminelë dh.e bandat e tyre në Kosovë. Shumicën absolute të krimeve, i ka zbuluar, lehtësisht, ka arrestuar kriminelët faktik dhe, sërishmi, i ka lënë të lirë, ose i ka dënuar, simbolikisht, duke i liruar, madje të gjithë pa plotësuar dënimin! Por, qëllimshëm, i ka heshtur ideatorët, projektuesit, porositësit, sponzorizuesit e vrasjeve politike, edhe pse kanë emër dhe mbiemër. Këtë e dinë mirëfilli ndërkombëtarët dhe shqiptarët, të cilët, në të gjitha sondazhet, në masën tej 85 %, kërkojnë ndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve. Mjerisht, komandantët të ideologjisë enveriste të Kosovës, kopjuan, në tërësi, skenarin e partizanëve të Enverit, përgjatë dhe pas LDB. Dhe, përgjakën popullin, Kosovën. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët, qeveria e komandantëve do të vazhdonte me dajak e plumba dhe Kosova do të ishte po aq fashiste, sa edhe Shqipëria e Enver Hoxhës, për 45 vjetë radhazi”, shpjegon Zeqiraj.

“Krijimi dhe ratifikimi i Gjykatës Speciale , u shoqërua me kundërthënie të shumta. Ishte edhe vet angazhimi i ambasadorit amerikan, i cili tha se "nëse Kosova nuk e jep aprovimin, atëherë vendoset në OKB". Kjo i trembi njerëzit e krimit dhe preferuan Hagën, meqë pazari i të akuzuarve të mëparshëm, i kishte favorizuar. Por, shumë shpejt u penduan dhe tri partitë-banda: PDK, AAK, Nisma, u koalicionuan në akronimin PAN dhe kërkonin aleatë të tjerë, për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Ndërkohë, reagimi i shteteve të Quintit dhe SHBA, ishte i ashpër dhe me porosinë kërcënuese, se pasojat do të jenë të paparashikueshme për Kosovën. Dëshpërueshëm hoqën dorë nga veprimi i fshehtë dhe mafioz, PAN-istët rrast të inkriminuar”, nënvizon analisti Zeqiraj.

Më tej, ai kritikon ashpër edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me votën e tyre, u garantuan përkrahjen financiare për të akuzuarit e Gjykatës Speciale.

“Parlamenti i Kosovës, në përbërjen e të cilit ka disa dhjetëra deputetë të inkriminuar dhe të tjerë të shantazhuar, aprovoi ligjin abuzues, turpshëm dhe skajshëm kriminal, për financimin e mbrojtjes të të akuzuarve në Hagë, si dhe mbulimin e shpenzimeve, për vizitat e familjarëve të tyre. Përgjatë vitit 2021 dhe 6 mujorin e parë të këtij viti, fondi shtetëror, për të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara, në total janë shpenzuar mbi 11 milionë e 500 mijë euro. Kemi të bëjmë me një abuzim, tërësisht, të paligjshëm të buxhetit të lodhur të shtetit të Kosovës”, deklaron Zeqiraj, i cili e quan poshtërsi mbulimin e shpenzimeve për avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit e të tjerëve.

“Është jashtë çdo logjike, që një i akuzuar të angazhojë për mbrojtjen e tij, deri në 5 (pesë) avokat të huaj të shquar në poshtërsi, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, zhvatës të kushtueshëm, aq më shumë kur pagesa është zyrtare. Praktika e angazhimit për mbrojtje, të avokatëve ndërkombëtarë, fillimisht, nga të akuzuarit e Gjykatës Ndërkombëtare, e njohur si Gjykata e Hagës, në vitet e para të pas luftës, ka dëshmuar për falsitetin e Gjykatës në fjalë. Janë këta avokatë, zhvatës të babëzitur, në bashkëpunim e koordinim me prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, që dhanë dënime qesharake, për makro krime makabre. Liruan dhe amnistuan kriminelë, krijues dhe udhëheqës të bandave vrastare, që kanë përgjakur Kosovën, duke ekzekutuar kundërshtarët politikë shqiptarë, gjatë dhe pas luftës”.

Zeqiraj për “Bota sot”, thotë se shteti po paguan për mbrojtjen e vrasësve të shqiptarëve, ashtu siç Gjykata Speciale i akuzon Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin e të tjerët.

“Investimi prej miliona euro, për mbrojtjen e vrasësve të ushtarakëve luftbërës, drejtues dhe fitues të betejave, në rastin konkret kolonelët Tahir Zemaj e Ahmet Krasniqit; gazetarët e krijuesit Enver Maloku e Xhemajl Mustafa; komandantët e luftës Ekrem Rexha e Smajl Hajdaraj; komunarët e suksesshëm Ukë Bytyçi e Ismet Rraci; arsimtarët Haki Imeri e Ismet Rrahmani; dhe shumë qindra të tjerë, për ta rrumbullakosur, të paktën, shifrën e 1.826 të ekzekutuarit, nga komandantët kriminelë, me bandat e tyre. Dhe, duke i parë krimet, tashmë, të vërtetuara katërcipërisht, të komandantëve të harbuar, në krimet serike të kundërshtarëve politikë, është tmerrësisht provokative e lënduese, jo vetëm për familjarët e viktimave dhe të mijëra familjeve, që lidhën me familjet e viktimave, por edhe të shqiptarëve të përbotshëm. Prandaj, tolerimi i mëtejshëm i financimit të krimit dhe të kriminelëve, turpëron deputetët, të cilët aprovuan ligjin përkatës, qeveritë dhe qeverinë që vazhdon me këtë gjakderdhje financiare”, shprehet Zeqiraj.

Sipas tij, e gjithë kjo është një zhvatje zyrtare e buxhetit shtetëror të Kosovës.

“Përmasa e krimit është fatalisht skandaloze dhe ndërprerja e kësaj maskarade, poshtëruese për shqiptarët është domosdo akute. Aq më parë, kur kemi të bëjmë, qoftë me të abuzuarit e mëparshëm, qoftë të tashëm, me përjashtime të pakta, janë milionerë individualisht dhe familjarisht, të pasuruar në rrugë kriminale e hajni mujëshore. E gjithë kjo është një zhvatje zyrtare e buxhetit shtetëror, për të akuzuarit e Gjykatës Speciale. Edhe partia e ardhur në pushtet, me premtimin e madh: "Kriminelët dhe hajnat në burg", mbeti vetëm premtim, sllogan i pa lëndëzuar! "Dje shanë, e sot lavdëron"! Rrjedhimisht, mbron krimin dhe kriminelët. Dhe, jo vetëm me fjalë, por edhe me financa, prej miliona euro. PAN-i është pjesë e krimit. LDK-ja, përkatësisht, klani patericë i PAN-it, ka aprovuar financimin, duke arsyetuar se "Duhet t`i mbrojmë njerëzit tanë"!?”, deklaron Zeqiraj, i cili bën thirrje që të ndalet urgjentisht financimi i të akuzuarve të Gjykatës Speciale.

“Atëherë, kush duhet t`i thotë -STOP-, abuzimit unik financimit të krimit?! Duhet të trimërohet Qeveria Kurti, me atë guximin opozitar të djeshëm dhe fushatën premtuese, për luftimin e krimit vrastar dhe të hajnisë zyrtare”, përfundon për “Bota sot”, publicisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat