A mund ta sanksionojë SHBA-ja Edi Ramën për patronazhistët dhe dyshimet për korrupsion?

Politika

A mund ta sanksionojë SHBA-ja Edi Ramën për patronazhistët dhe dyshimet për korrupsion?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 tetor 2022 Në ora: 11:54
Edi Rama

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj dy zyrtarëve të lartë shtetëror në Bosnje dhe Hercegovinë, për dëmtim të institucioneve dhe proceseve demokratike për përfitime personale dhe të rrjeteve të tyre.

Një ndër ta është kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës, Fadil Novaliç, i cili sipas SHBA-së, keqpërdori të dhënat e pensionistëve në dobi të partisë së tij politike dhe në kundërshtim me ligjet e vendit.

“Një javë para mbajtjes së zgjedhjeve të vitit 2018, Fadil Novaliç përdori të dhënat e pensionistëve, që i kishte marrë përmes detyrës së tij zyrtare, dhe u dërgoi letra me një listë të arritjeve të tij duke premtuar rritje të pensioneve. Ky veprim shkel ligjet e Bosnjës e Hercegovinës dhe pasqyron veprimet e tij të përsëritura për të shfrytëzuar mundësitë e tij të ndikimit politik për përfitime personale apo të partisë së tij, duke dëmtuar proceset demokratike apo institucionet e Bosnjës e Hercegovinës”, thuhet në njoftim.

Duke interpretuar këtë lajm nga SHBA-të, deputetja e Partisë Demokratike (PD), Flutura Açka, shkrimtare, ka thënë në formë lutje “tërhiqe këmbën o Fadil!”, duke iu referuar sistemit të patronazhistëve dhe rrjedhjes së të dhënave të qytetarëve shqiptarë.

Aluzioni i saj ishte i qartë, që SHBA-të, këtë t’ia bëjnë Edi Ramës.

Mehazi: Departamenti i Thesarit të SHBA-së të vizitonte edhe Shqipërinë për të sanksionuar bosin e patronazheve

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” thotë se do të ishte mirë që sanksione t’i vendoseshin edhe përkrahësit të Ballkanit të hapur të Vuçiqit, kryeministrit me qeverinë më të korruptuar, Edi Ramës.

Image
Sulejman Mehazi

“Do të bëhej shumë mirë sikur Departamenti i Thesarit të SHBA-së përveç kryeministrit të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Fadil Novaliqit që sanksionuan për patronazhet e tij, të vizitonte edhe Shqipërinë për të sanksionuar bosin e patronazheve, përkrahësin e Ballkanit të hapur të Vuçiqit, kryeministrin e qeverisë më të korruptuar, patronin e çdo departamenteve ministrore, kokën e korrupsionit të Ballkanit Perëndimor, Edi Ramës, nëse dikush prej kryeministrave të shteteve ballkanike është patronazhisti më i madh i përfitimeve personale, ai është kryeministri i Shqipërisë, i cili për keqpërdorimet e padrejtësitë ka detyruar qytetarët shqiptarë të ikin nga Shqipëria për shkak të kontrollimeve kushtore patronazhiste të Edi Ramës, aq sa Departamenti i Thesareve të SHBA-së, të interesohej edhe për pulat e Shqipërisë sesa sa janë shitur e sa ka mundur të përfitonte vetë kryeministri Rama. Patronazhistin e Shqipërisë, Edi Ramën, më së miri e shpreh deputetja e PD-së, Flutura Açka.

"Edhe fadilëve tanë do t’u vijë ora. Patronazhistin tim, Blendi Gj, dikush e urdhëroi të më numëronte hapat, kafshatat dhe kafetë. Edhe të dhënat e mia, si qytetare shqiptare, dikush i grabiti për partinë që vodhi zgjedhjet e 25 prillit të kaluar." Ndoshta deputetes dhe shkrimtares Flutura Açkës, Edi Rama, ia ka numëruar edhe kollitje e bëra të saja”, shpjegon profesori.

Kelmendi: Sanksionimi i politikanëve dhe i matrapazëve ekonomik e politik nga SHBA-të po e ndihmojnë shtetin

Juristi Muhamet Kelmendi për “Bota sot” deklaron se edhe Edi Rama mund të sanksionohet, me prova dhe dëshmi për keqpërdorim të mjeteve të shtetit apo të dhënave të tjera me rëndësi për shtet.

Image
Muhamet Kelmendi

“Qëndrimet e SHBA-ve janë të pavarura dhe mbështeten në fakte konkrete për çdo masë. Askush nuk është imun ndaj masave sanksionuese të SHBA-ve. Uashingtoni zyrtar ka sanksionuar individë dhe grupe të njerëzve, parti dhe organizata të ndryshme në botë. Edhe në Ballkan kanë sanksionuar parti dhe politikanë e individë të ndryshëm. Kjo do të vazhdojë edhe më tej dhe ndaj të tjerëve. Kështu mund të ndodhë që edhe Edi Rama me segmentet e veta që i ka rreth vetes të sanksionohet. Natyrisht nëse ka prova dhe dëshmi për keqpërdorim të mjeteve të shtetit apo të dhënave të tjera me rëndësi për shtet. Këtu nuk mendoj se ka dyshim”, deklaron ai.

Ai thekson se SHBA-ja e ka paralajmëruar Edi Ramën dhe Qeverinë e tij që ta luftojnë krimin dhe korrupsionin, sepse mund të ketë sanksione nga SHBA-ja.

"Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, z.Kim, disa herë iu ka drejtuar Qeverisë dhe Edi Ramës që ta luftojnë krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Ky është një paralajmërim se edhe të tjerët, ata që tash janë në pushtet, si dhe ata që vijnë, mund të sanksionohen nga SHBA-ja. Dhe, kjo për sa kohë që pushteti e keqpërdor shtetin, mjetet buxhetore dhe të dhënat tjera, e nuk luftohen nga organet kompetente, është çështje e drejtë dhe ndihmë e madhe për shtetin. Ndryshe nuk ka mundësi SHBA-ja t’i ndihmojë shtetet dhe vendet konkrete. Këtë ndihmë e pret edhe Kosova”, përfundoi Kelmendi.

Kujtojmë, se edhe ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha është i shpallur non grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat