Eksperti amerikan tregon pse SHBA-ja i kërkoi Kurtit shtyrje të vendimit për targat, çka do të ndodhë brenda javësh?

Politika

Eksperti amerikan tregon pse SHBA-ja i kërkoi Kurtit shtyrje të vendimit për targat, çka do të ndodhë brenda javësh?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 tetor 2022 Në ora: 10:13
Alon Ben-Meir dhe Albin Kurti

Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka folur për vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti lidhur me targat e veturave për komunitetin serb.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes diplomatit Gabriel Escobar i kërkuan Kurtit që të shtyjë vendimin për targat për 10 muaj, për shkak të perspektikvës që mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda pak javësh. Sipas tij, kjo kërkesë nuk ishte e paarsyeshme.

“Duke pasur parasysh perspektivën që mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë për targat brenda disa javësh apo edhe disa muajsh siç kërkoi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe duke pasur parasysh tensionin në të gjithë Evropën për shkak të luftës në Ukrainë, nuk është e paarsyeshme t'i kërkohet kryeministrit Kurti që të shtyjë me 10 muaj zbatimin e ndryshimit të targave të makinave”, ka thënë Ben-Meir.

Profesori ka theksuar më tej se nëse Kurti do të pranonte kërkesën e SHBA-së nuk do të komprometonte në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës, por do t’i jepte kohë shtesë për të arritur një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Serbinë drejt njohjes finale.

“Është e kuptueshme që Kurti dëshiron të tregojë pavarësinë e Kosovës. Nëse ai pajtohet me shtyrjen, kjo nuk do të komprometonte në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës, ajo thjesht i jep kohë shtesë për të arritur një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Serbinë drejt njohjes së Kosovës”, është shprehur eksperti amerikan.

Ai ka përmendur dy arsye se pse Kurti është dashur të dëgjojë kërkesën e SHBA-së dhe të Evropës.

“Duke qenë se SHBA-ja dhe BE-ja po i bëjnë thirrje kryeministrit Kurti që ta dëgjojë kërkesën e tyre, ai duhet ta konsiderojë me kujdes atë në kontekstin e dy faktorëve të rëndësishëm:

Së pari, shorti i Kosovës është hedhur me SHBA-në dhe BE-në dhe Kurti duhet ta shohë kërkesën e tyre për të vonuar zbatimin në kontekstin e krizës për luftën në Ukrainë, e cila po shqetëson të gjithë kontinentin. As BE-ja dhe as SHBA-ja nuk duan të komprometojnë pavarësinë e Kosovës pasi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë garantuesit përfundimtarë të sigurisë kombëtare dhe pavarësisë së Kosovës.

Së dyti, nëse shtyrja potencialisht mund të çojë në një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Serbinë, pse të mos shtyhet? Kurti nuk duhet të ketë një mbyllje të tillë për sovranitetin e Kosovës. Situata aktuale ekziston për më shumë se 14 vjet; 10 muaj të tjerë, nuk do të kishin ndonjë efekt negativ në Kosovë”, ka potencuar Ben-Meir.

Ai në fund ka kritikuar kryeministrin Kurti, por ka theksuar se kreu i ekzekutivit të Kosovës ende ka kohë të demonstrojë lidership, duke u pajtuar me shtyrje të vendimit për targat.

“E vetmja gjë që pengon është krenaria e Kurtit, të cilën ai e ka vënë përpara interesit kombëtar. Fatkeqësisht, ai e futi veten në këtë pozicion. Megjithatë, ai tani mund të demonstrojë ende lidership duke punuar me BE-në dhe SHBA-në dhe të pajtohet me shtyrjen në emër të solidaritetit me partnerët e tij më të rëndësishëm, të cilët i nevojiten për të realizuar aspiratat e Kosovës për të qenë një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s”, ka shtuar Alon Ben-Meir për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat