Kurti dhe Vuçiqi përballë njëri-tjetrit!/ Vjen parashikimi: Nuk do të ketë marrëveshje nëse nuk është ky qëllimi!

Politika

Kurti dhe Vuçiqi përballë njëri-tjetrit!/ Vjen parashikimi: Nuk do të ketë marrëveshje nëse nuk është ky qëllimi!

A.Morina Nga A.Morina Më 20 nëntor 2022 Në ora: 16:01
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet të hënën, më 21 nëntor, kështu e ka konfirmuar sot Qeveria e Kosovës.

Ky takim, vjen si pasojë e tensionimit të gjendjes në veri, ku Serbia i urdhëroi serbët të braktisin institucionet në veri, dhe në Kuvend e Qeveri, duke synuar arritjen e qëllimit për një autonomi politike për veriun, ose ta çojë vendin drejt një konflikti.

Ndërkohë, në takim në fokus është zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, vendimi për targat ilegale serbe dhe braktisja e institucioneve nga serbët me urdhër të Serbisë. Pak ditë më parë, Serbia e urdhëroi që 9 deputetët e dorëhequr të Listës serbe të zëvendësoheshin nga lista e pritjes e KQZ-së, në mënyrë që të mos futeshin deputet serbë lojal ndaj Kosovës.

Kështu që, BE-ja po synon që të ndikojë në arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me takimin Kurti-Vuçiq, në një prononcim për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Fillimisht, ai paralajmëroi dështimin e këtyre negociatave në rast se nuk është qëllimi te zbatimi i së drejtës.

Diplomacia do të dështojë nëse negociatat nuk janë në nivelin e duhur dhe negociatat nuk do të tregojnë rezultat pozitiv nëse qëllimi nuk është zbatimi i të drejtës”, deklaroi ai

Krahas kësaj, Kuçi tha se Qeveria duhet të tregohet më e afërt me aleatët ndërkombëtarë dhe të zhvillojë një diplomaci negociuese më alternative.

“Paaftësia e Kosovës që të zbatojë ligjin po e shtynë që të hyjë në negociata me Serbinë edhe për zbatimin e vet marrëveshjes ku dikur kishte rënë dakord edhe Serbia. Duke pasur parasysh këtë situatë Qeveria duhet të tregohet më e afërt me aleatët ndërkombëtare dhe të zhvillojë një diplomaci negociuese më alternative dhe jo vetëm refuzuese. Nuk është në interesin e Kosovës të tensionoj gjendjen por as të lejoj Serbinë që të arrijë synimet e saj. Pra, nevojitet një strategji efektive, të cilën nuk është që po e shohim se ekziston. Veprimet duhet të materializohen, ndryshe do të kthehen në penalizim për ne, ashtu siç u kthye në penalizim për Serbinë tërheqja e pastaj rikthimi i Listës Serbe në Kuvend duke treguar që janë të paaftë në këtë lloj presioni”, theksoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndër të tjera, ai parashikoi se nga takimi në Bruksel mund të dal një riafatizim për çështjen e targave ilegale.

Madje, dha edhe një propozim se si mund të arrihet një gjë e tillë.

Nga takimi Kurti-Vuçiq mund të dalë një riafatizim për çështjen e targave, një marrëveshje e llojit të targave provuese apo pa marrëveshje. Kosova duhet të ofroj një marrëveshje ku targat aktuale mbulohen me stikera RKS dhe kjo të ndodh jo më gjatë se një muaj, pastaj për 5 muaj të tjerë të jetë koha kur këta stikera kthehen në targa të vërteta dhe pas kësaj periudhe të fillojë penalizimi. Mirëpo, gjatë kësaj periudhe Kosova duhet ta materializoj vendimin e saj në shumë sfera dhe jo vetëm të marrë vendime duke qenë e papërgatitur t’i materializoj dhe pastaj të dalin bandat në veri më të organizuara se sa Policia”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat