Ish-zyrtari i Departamentit Amerikan nxjerr dy burimet e tensioneve Kosovë-Serbi: Ky ishte ngërçi më i madh!

Politika

Ish-zyrtari i Departamentit Amerikan nxjerr dy burimet e tensioneve Kosovë-Serbi: Ky ishte ngërçi më i madh!

Arbnora Zhushi Nga Arbnora Zhushi Më 27 nëntor 2022 Në ora: 21:02
David Phillips; foto ilustrim nga "Bota sot"

Drejtori i Programit për paqen dhe të drejtat e njeriut në institutin respektiv në Universitetin e Columbias, David Philips, ka thënë se problemi për tensionet e fundit në Kosovë, është që Serbia nuk e përfill faktin se Kosova është e humbur për të.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, ish-zyrtari i lartë në Departamentin Amerikan, ka kritikuar Serbinë si burim tensionesh, për shkak se nuk i respekton marrëveshjet ekzistuese me Kosovën.

“Problemi qëndron në mospërfilljen dhe dështimin e Serbisë për të njohur se Kosova është e humbur dhe nuk do t'i bashkohet më Serbisë. Mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese është gjithashtu një burim tensioni”, ka deklaruar ekseperti amerikan.

Ai ka vlerësuar se çështja e fundit për targat e automjeteve, ishte ngërçi më i madh ndërmjet të dyja vendeve. Sipas Phillips, Kurti kishte të drejtë me afatin për targat.

“Qëndrimi i kryeministrit Kurti për targat nxjerr në pah ngërçin më të gjerë mes Serbisë dhe Kosovës për një sërë çështjesh. Kurti ka të drejtë të vendosë një plan orar, por ka një kosto reputacioni për Kosovën”, është shprehur David Phillips.

Megjithëse Serbia po fajësohet për tensionet, sipas ekspertit, tani situata ka ndryshuar. Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të korrë suksese pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por sipas tij, mbështetja e Uashingtonit nuk është e pakushtëzuar.

“Serbia është fajësuar gjithmonë për marrjen e qëndrimeve që përkeqësonin tensionet. Tani Beogradi ka kthyer tavolinat dhe diplomatët ndërkombëtarë po fajësojnë Kosovën për mungesë progresi. Kurti mund të mbetet i popullarizuar në mesin e kosovarëve, megjithëse sondazhet sugjerojnë se mbështetja popullore po zvogëlohet. Megjithatë, ai është bërë i pafavorshëm me komunitetin ndërkombëtar. Kosova nuk mund të ketë sukses pa mbështetjen e SHBA-së. Mbështetja e Uashingtonit nuk është e pakushtëzuar. Kurti duhet të vlerësojë se ka probleme të tjera në botë që i tejkalojnë për nga rëndësia marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, ka thënë Phillips, për “Bota sot”.

Kosova dhe Serbia arritën dakordim për targat, të mërkurën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja në mes të dyja vendeve parasheh që Serbia të ndalojë regjistrimin e targave, kurse Kosova do t’i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me regjistrimin e automjeteve.

Dakordimi për targat erdhi dy ditë pas dështimit të negociatave ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kryeministri Kurti nuk pranoi propozimin e kryediplomatit evropian Josep Borrell, të tërhiqet nga zbatimi i vendimit për targa, me arsyetimin se në takim nuk ishte planifikuar edhe negociimi për një marrëveshje finale me Serbinë.

Pak orë më vonë, Kurti u pajtua të shtynte zbatimin e vendimit për targat për 48 orë, pasi këtë e kërkoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Brenda këtyre orëve, marrëveshja në Bruksel është arritur mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve. Zyrtarët e Kosovës falënderuan ambasadorin amerikan në Kosovë, për rolin dhe mbështetjen e tij për arritjen e marrëveshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat