Modeli gjermano – francez/ Zbulohet qëllimi i këmbënguljes për ta pranuar Kosova?

Politika

Modeli gjermano – francez/ Zbulohet qëllimi i këmbënguljes për ta pranuar Kosova?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 nëntor 2022 Në ora: 11:47
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Nën trysninë ndërkombëtare Kosova do të duhet të negociojë sërish me Serbinë, për të arritur një marrëveshje përfundimtare, e cila besohet se do të çojë në njohje të ndërsjellë.

Vazhdimi i bisedimeve për një marrëveshje të fundit, me ndërmjetësim ndërkombëtar, është konfirmuar javën e kaluar nga autoritetet në Bruksel dhe, bazuar edhe në marrëveshjen për targat, e cila sipas kryeministrit të Kosovës, Kurti, duhej ta përmbante edhe vazhdimin e bisedimeve për çështjet kryesore.

Sipas vetë Kurtit, marrëveshja ishte e parashikuar të arrihej para marsit 2023.

Për shqiptarët është shqetësuese nëse plani i njohur si franko-gjerman, do të ishte i krahasueshëm me paktin gjermano-gjerman, i cili pat çuar më në fund në ribashkimin e dy vendeve.

Shqiptarët, një ribashkim të mundshëm e duan me Shqipërinë, dhe në asnjë mënyrë me Serbinë.

Ky model mbështetet mbi një propozim që ishte bërë para 15 vitesh nga diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, i cili e kishte propozuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, modelin e dy Gjermanive. Ishte koha kur në Vjenë mbaheshin bisedimet, që njihen edhe si të Ahtisarit, të cilat pas shumë lëshimeve nga Kosova çuan në Shpalljen e Pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se ka një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron t’i japë më shumë fuqi Miroslav Lajçakut, por sipas tij nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare.

Por a duhet pranuar një propozim të tillë?

Mehazi: Modeli franko-gjerman ka synim për stërzgjatje të dialogut Kosove-Serbi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai u shpreh se është ironike dhe nënçmuese për Kosovën, modeli i dialogut franko-gjerman, që e ka simbolikën politike jo të marrëveshjes, por të stërzgjatjes së qëllimshme të dialogut, në dëm të Kosovës.

“Dialogu i stërzgjatur i dy shteteve fqinje, Kosovë-Serbi në vend që të përfundonte sa më shpejt me njohje reciproke dhe ja doli propozimi absurd e i çuditshëm i dy shteteve të BE-së, Francës dhe Gjermanisë me projektin e papërshtatshëm dhjetëvjeçar të njohjes së dy shteteve Kosovë-Serbi, është ironike dhe nënçmuese për Kosovën modeli i dialogut franko-gjerman, që e ka simbolikën politike jo të marrëveshjes, por të stërzgjatjes së qëllimshme të dialogut në dëm të Kosovës e në dobi të Serbisë. Modeli dhjetëvjeçar i Francës dhe Gjermanisë e ka kuptimin e gjykatës para dy të akuzuarve të cilët qe njëzet vjetë nuk mund të merren vesh dhe gjykatësit e Francës dhe Gjermanisë si për inat të Kosovës, dialogun për njohjen reciproke të dy shteteve e zgjasin dhe për dhjetë vjet të ardhshme që Serbia të përfitonte kohë dhjetëvjeçare për mosnjohjen e Kosovës”, u shpreh ai.

Profesori thotë më tej që modeli dhjetëvjeçar franko-gjerman i dialogut përfundimtar në mes të Kosovës dhe Serbisë është i mirëseardhur për Vuçiqin, është dhuratë serbe në dëm të Kosovës.

Më së shumti ky model franko-gjerman i konvenon Serbisë e kurrsesi Kosovës, nëse Serbia qe njëzet vjet radhazi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ja tani një dhuratë tjetër dhjetëvjeçare franko-gjermane për Vuçiqin e Serbisë për të mos njohur Kosovën. Modeli dhjetëvjeçar franko-gjerman i dialogut përfundimtar në mes Kosovës dhe Serbisë është i mirëseardhur për Vuçiqin, është dhuratë serbe në dëm të Kosovës, pasi dhe tani Serbia e pranon Kosovën, por vetëm që nuk e njeh pavarësinë e saj”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Republika e Kosovës është shtet unitar - dy shkallësh

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që modeli që është përcaktuar nga fuqitë e mëdha nuk dihet nëse mund të funksionojë për Kosovën dhe Serbinë.

Image
Muhamet Kelmendi

Modeli gjerman ka qenë i përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha në LDB, përkatësisht nga Anglia, Franca, BRSS dhe SHBA. Tërë Gjermania është e ndarë në katër pjesë. Tri pjesë perëndimore e kanë formuar RFGJ ne vitin 1949 dhe kjo bëhet anëtare e OKB-së. Ndërsa, me marrëveshje, krijohet Gjermania Lindore ( DDR) dhe edhe kjo anëtarësohet në OKB. Të dy këto pjesë i kanë patur të drejtat e barabarta në botë. A është kjo një mënyrë e zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi, është çështje që varet nga UE nga Anglia, nga SHBA-të”, theksoi profesori.

Gjithashtu ai potencon që Kosova nuk duhet ta pranojë asociacionin, pasi i njëjti e dëmton atë, të tjerat gjëra duhet të bëhen me reciprocitet.

Mundet edhe te ndonjë superfuqie tjetër në botë. Zgjidhja si dy Gjermanitë nuk e pengon Kosovën fare, nëse ruhet karakteri unitar dy-shkallës i pushtetit. Në asnjërën Gjermani nuk ka patur asociacion. Ka patur Republika brenda RFGJ, ndërsa në DDR kemi patur pushtet të SED dhe të diktaturës. Kjo nuk i shkon Kosovës. Kosova ka territor të vogël për organizimin e ndonjë republike. Çështjet minoritare pa reciprocitet nuk mund të zgjidhen. Është pabarazi e madhe, pozita e serbëve në Kosovë me pozitën e shqiptarëve në Serbi. Këtu nuk po flas për Sanxhakun. Parimet mbi të cilat është ndërtuar rendi botëror përcaktojnë reciprocitetin e raporteve bilaterale midis shteteve. Asgjë tjetër nuk duhet pranuar Kosova”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat