A është e gatshme Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid / Ky është paralajmërimi për institucionet e vendit!

Politika

A është e gatshme Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid / Ky është paralajmërimi për institucionet e vendit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 nëntor 2022 Në ora: 10:02
Foto ilustrim

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, respektimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kosova me 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Nëse Kosova arrin sukses me aplikimin që të bëhet anëtare në Këshillin e Evropës, kjo do të sillte shumë përfitime për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës u mundëson qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kohën kur ata konsiderojnë se shteti i caktuar ua ka shkelur të drejtat. Kjo gjykatë trajton çdo rast kur ankuesi është personalisht dhe drejtpërdrejt viktimë e shkeljes së të drejtave dhe garancive të përcaktuara në protokollet e saj.

Por, kur do të jetë e gatshme Kosova ta padisë Serbinë për gjenocidet që ka kryer ndaj shqiptarëve, veçanërisht në luftën e fundit dhe sa kohë nevojitet për ta përgatitur dosjen profesionalisht?

Burjani: Duhet përgatitje superiore, se a do të padisë Serbinë kjo është çështje teknike

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai u shpreh se duhet mbledhur fakte dhe dëshmi në mënyrë që kur të bëhet padia të ketë prova të mjaftueshme.

Duhet bërë një analizë paraprake të konventave ndërkombëtare, për të kuptuar gjasat për të siguruar triumfin në proces, dhe duhet të mblidhen fakte, dëshmi që ofrojnë bazën se është bërë gjenocid”, u shpreh juristi.

Ndër të tjera, ai thotë që për ta paditur Kosovën duhet vullnet, koordinim dhe punë të palodhshme.

Pra, duhen fakte të shumta argumentuese që dëshmojnë qëllime të shfarosjes etnike, pra duhet përgatitje superiore se a do të padisë Serbinë kjo është çështje teknike, pra mjafton vullneti, puna, tjetër, koordinimi me faktor të shumtë duhet të ndodhë, nuk është proces i thjeshtë”, tha Burjani për “Bota sot”.

Ahmeti: Duhet kohë për të parë rezultatet finale

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kosova ende nuk është e përgatitur për një padi të tillë ndaj Serbisë.

Image
Hidajet Ahmeti

Kosova si shtet nuk është e përgatitur akoma ta padisë Serbinë për gjenocid. Është imperativ i kohës që shteti i Kosovës ta bëj një gjë të tillë, por duhen hapa konkret, përkushtim, profesionalizëm, por mbi të gjitha duhet të ketë vullnet politik”, theksoi analisti.

Në fund, ai thotë që Kosova nuk e ka luksin të heshtë, mirëpo duhet kohë për tu finalizuar pasi edhe Qeveria e Kosovës ka bërë hapa konkret për këtë çështje.

Kosova nuk e ka luksin të heshtë, pasi ka fakte të mjaftueshme që Serbia ka kryer krime në mënyrë sistematike për të pushuar ekzistencën e shqiptarëve në Kosovë. Qeveria e Kosovës ka bërë hapa konkret në këtë drejtim, por duhet kohë për të parë rezultatet finale”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat