Nga “ngrohtësia” e Ramës e deri tek mospërmendja e Presidentit Rugova/ Ku gabuan liderët e Kosovës dhe Shqipërisë?

Politika

Nga “ngrohtësia” e Ramës e deri tek mospërmendja e Presidentit Rugova/ Ku gabuan liderët e Kosovës dhe Shqipërisë?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 nëntor 2022 Në ora: 09:26
Pamje nga mbledhja Kosovë-Shqipëri

Nga Vlora nisën festimet për 110 vjetorin e Pavarësisë, ku në Sheshin e Flamurit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit kuqezi.

Ky 110-vjetor i nëntorit të dytë, ka bërë bashkë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, të cilët morën pjesë në ceremoni, ndërsa bënë homazhe edhe në varrin e Ismail Qemalit.

Në ceremoninë festive për ngritjen e flamurit, mori pjesë presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Dritan Leli, si edhe krerët e shtetit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Mirëpo ajo që mori vëmendjen e gjithë kësaj ngjarje ishte fjalimi I krerëve shqiptarë, një ditë më parë, në mbledhjen e përbashktë të dy kuvendeve, Shqipëri-Kosovë, në Tiranë, dhe mos përmendja e presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe mos njohja e asnjë merite për krijimin e shtetit të Kosovës.

Kjo padyshim që ishte një shenjë mjaft e ulët nga ana e qeveritarëve, pasi të gjithë e dimë që kontributi i presidentit Rugova mbetet i pazëvendësueshëm.

Pa dyshim që edhe “mikpritja e ngrohtë” nga kryeministri Rama ishte ajo që mori vëmendjen e opinionit publik, pasi dimë që raportet me Vuçiqin vazhdon t’i ketë të afërta.

E gjithë kjo të bën të mendosh nëse ai organizim ishte një dështim, nëse mund ta quajmë për qeverinë e Shqipërisë?

Mehmeti: Të injorosh njërin apo tjetrin është e pafalshme, qoftë me apo pa vullnet

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai u shpreh se ka pasur iniciativë që për hir të pavarësisë së Shqipërisë të jemi unik, mirëpo që dallimet në këtë u vërejtën që në fillim, pasi të njëjtit nuk kujtuan kontributin e presidentit Rugova.

Pavarësisht përpjekjeve për tu shfaqur unik para shqiptarëve, ekzistojnë divergjenca të thella mes liderëve në Shqipëri dhe Kosovë. Po ashtu edhe brenda kufijve të njërit apo tjetrit shtet shqiptar ekzistojnë dallime. Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryeministri, pse jo edhe Presidentja e kanë obligim të nderojnë figurat markante të vendit tonë, padyshim Ibrahim Rugova me Adem Jasharin qëndrojnë në piedestal”, u shpreh analisti.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe Ramën që u mundua sipas analistit të luaj rolin e “Babait të Kombit”.

Të injorosh njërin apo tjetrin është e pafalshme, qoftë me apo pa vullnet të jetë injoruar. Në anën tjetër Edi Rama tenton të luaj rolin e “Babait të Kombit”, me fytyrën e tij të vërtetë të demaskuar me kohë. Sa për mos pjesëmarrjen e Presidentes dua të besoj në protokollin, jo të ketë diçka tjetër. Më mirë do të ishte të jenë të gjithë unik, kur është në pyetje atdheu, dallimet personale e politike të dalin në rend të dytë”, nënvizoi Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Të largojmë barrierat politike mes vete

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kemi nevojë me qenë së bashku në festime të këtilla, në mënyrë që të përafrohemi ashtu siç na takon si shqiptarë që jemi.

Image
Leon Duhanaj

“Për sa i përket organizimit të mbledhjes së përbashkët të të dyja kuvendeve, mendoj që ka qenë një akt simbolik i mirë. Mendoj që kemi nevojë me qenë së bashku në festime të këtilla, në mënyrë që të përafrohemi ashtu siç na takon si shqiptarë që jemi. Mendoj që në ditë të këtilla duhet të tregohemi solidarë, jo vetëm me llafe por edhe me vepra, qoftë edhe me simbolika siç janë vizitat tek figurat me ndikim historik”, theksoi ai.

Analisti në fund, shtoi që në këto vizita duhet të zgjerohet lista dhe të heqim barrierat e ndasive politike.

“Në këtë kontekst mendoj se nëse veç ndodhin vizita, atëherë do të duhet të zgjerohej lista dhe të mos anashkalohet asnjëri, sepse vetëm kështu heqim barrierat e ndasive politike. Vetëm kështu i shërbejmë unitetit të kombit. Për sa i përket pjesëmarrjes së dy presidentëve, mendoj që kishte me qenë një garë protagonizmi kundrejt dy kryeministrave, së këndejmi më mirë që nuk kanë marrë pjesë”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat