Ibrahim Rugova, personaliteti më i shquar i historisë moderne të shqiptarëve

Politika

Ibrahim Rugova, personaliteti më i shquar i historisë moderne të shqiptarëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 dhjetor 2022 Në ora: 10:04
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Sot është ditëlindja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Dr.Rugova u lind në Cërcë të Istogut, më 2 dhjetor 1944.

Ideator dhe themeltar i doktrinës politike për Kosovën, figurë historike më embelmatike pa të cilin procesi i lirisë dhe pavarësisë nuk do të ishte i mundur, e kanë cilësuar historianët, njohësit e çështjeve ndërkombëtare e bashkëpunëtorët e tij të afërt.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali dhe njohësja e çështjeve ndërkombëtare, Dr.Alma Lama, thotë se pavarësia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa ish-presidentin Rugova.

Figura historike më emblematike e procesit të lirisë dhe pavarësisë, e rezistencës paqësore dhe e krijimit të miqësisë me SHBA-të dhe vendet e BE-së, thotë Lama duke folur rreth figurës së presidentit Rugova.

Image
Dr.Alma Lama

Pavarësia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa ish-presidentin Rugova. Ai është figura historike më emblematike e procesit të lirisë dhe pavarësisë, e rezistencës paqësore dhe e krijimit të miqësisë me SHBA dhe vendet e BE-së. Rugova ishte burrështetas që i priu popullit të vet në momentet më të vështira, gjatë dhunës dhe aparteidit serb në vitet e ’90-ta”, ka pohuar Lama.

Rugova e vuri gurë themelin e shtetit, i pari

Kushdo që mundohet ta fshijë nga kujtesa historike, sipas Lamës, tregon se nuk e njeh as historinë e Kosovës dhe as nuk e respekton pavarësinë dhe shtetin.

“Arsyeja e vetme pse ai nuk arriti edhe formalisht ta shpallë pavarësinë është se vdekja e mori para kohe. Ai vdiq si president dhe lider i pa kontestuar, dhe u shqua për frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit, siç i ka hije një intelektuali dhe humanisti. Kushdo që mundohet ta fshijë nga kujtesa historike, tregon se nuk e njeh as historinë e Kosovës dhe as nuk e respekton pavarësinë dhe shtetin e saj, ku Rugova vuri gurë themelin i pari”, ka theksuar Lama.

Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë demokratike pluraliste në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur thuaj gjithë popullin rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë partiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Sipas historianit Frashër Demajt, Rugova është ideator dhe themeltar i doktrinës politike për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Dr. Ibrahim Rugova është ideator dhe themeltar i doktrinës politike për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Ai është personaliteti më i shquar i historisë moderne të shqiptarëve”, thotë Demaj për “Bota sot”.

Dr. Ibrahim Rugova ishte zgjedhur President i Kosovës, pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2001, në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Që të dyja herët LDK-ja, edhe pse në një sisitem zgjedhor të pafavorshëm, fitoi 47% të zgjedhjeve, e vetme.

Rugova profetik

Kurse, truproja i tij rolin historik të tij e krahason me tipin e profetit.

Xhevat Dajaku duke kujtuar figurën historike të presidentit Rugova, thotë për “Bota sot”, se Rugova i ka njohur shumë mirë rrethanat e kohës dhe pozicionin shumë të disfavorshëm të popullit të Kosovës.

Image
Xhevat Dajaku

“Roli historik i presidentit Rugova është i tipit të profetit (Noah apo Nuhi) që e parasheh kiametin. Por, Rugova anijen biblike e ndërtoi me stafin e elitës intelektuale, duke qëndruar vetë në ballë dhe duke u konsultuar e bashkëvepruar me secilin. Rugova i ka njohur shumë mirë rrethanat e kohës, pozicionin shumë të disfavorshëm të popullit të Kosovës për ndonjë konflikt të armatosur. Besoj që Rugova e dinte planin famëkeq të kishës dhe akademisë serbe për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, gjë që u vërtetua përgjatë luftës së fundit, ku u bë përzënia masovike e popullatës nga ushtria dhe policia serbe, ku në kufi iu konfiskoheshin dokumentet identifikuese”, ka vlerësuar Dajaku.

Sipas tij, Rugova kishte shumë kundërshtarë, por ai nuk është marrë me ata.

Qëllimi i tij, sipas Dajakut, ka qenë të shpëtohej populli prej më të keqes.

Kjo pra lë të kuptohet se qëllimi i makinerisë vrasëse serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës si vazhdimësi e po të njëjtës hegjemoni e gjenocid i kryer dekada më parë ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore, deri tek Danubi, që për shkak të atij terrori e gjenocidi sot pothuajse nuk ekziston asnjë gjurmë shqiptare. Pra, këtë projekt e dinte Rugova dhe për ta shmangur një gjë të tillë iu qasë diplomacisë, "paqes" dhe organizimit demokratik për t’i ikur pretekstit të dhunës dhe që të afrohej me botën demokratike për të bërë miq, të cilët më vonë na u gjenden pranë dhe e shpëtuan popullin dhe ekzistencën e vendit tonë. Rugova kishte kundërshtarë, ashtu siç kishin kundërshtarë të idhtë edhe profetët, por nuk u morë me ta, dhe e kreu detyrimin që ia dha vetes me përkryeshmëri. Qëllimi i tij ishte të shpëtohet populli prej më të keqes, por që të bindemi në politikat dhe në diplomacinë e mahnitshme të tij ishte trokitja që bënte nëpër dyert e shteteve të fuqishme, sidomos në dyert e SHBA-së, d.m.th e dinte se shpëtimi ynë ishte në ato dyer”, ka theksuar Dajaku.

Dr. Ibrahim Rugova përmendet pak nga qeveritarë e titullarë shqiptarë. Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij në mbajtjen e dy kuvendet (Shqipëri- Kosovë), për nder të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk përmendi figurën e Rugovës kur foli për figurat eminente, e sipas historianëve e bashkëpunëtorëve mos përmendja nuk ia humb vlerat atij.

Historiani Frashër Demaj, thotë se mos përmendja nuk ia zhvlerëson personalitetin një burrështetasi të rrallë.

Image
Frashër Demaj

Mos përmendja dhe mohimi i vlerave dhe arritjeve të Presidentit, nuk e zhvlerëson personalitetin e tij prej një burrështetasi të rrallë, por tregon vogëlsinë e bartësve të institucioneve dhe mungesën e traditës shtetërore”, ka theksuar Demaj.

Krahu i majtë ishte vazhdimisht kundër Rugovës

E truproja e presidentit Rugova, nuk e konsideron habi mos përmendjen e tij.

Dajaku thotë se Konjufca është një neomajtist, madje sipas tij, ai është akuzuar edhe si shik-ist.

Sa i përket fjalës së mbajtur të kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e 28 nëntorit nuk është për t'u habitur, dihet se Glauk Konjufca është një neomajtist, atë e kanë akuzuar edhe si shik-ist, ku besoj se ishte një i tillë. Vetë fakti ku njerëzit hezitojnë ta pranojnë se i përkisnin ose vazhdojnë që t'i përkasin atij organizimi të dyshimtë, të lë për ta kuptuar se ai organizim është i dyshimtë. Pra, krahu i majtë ishte vazhdimisht kundër Rugovës, ata shpesh janë deklaruar edhe kundër demokracisë perëndimore, dhe në këtë mënyrë janë munduar ose kanë tentuar, e po tentojnë që ta "eliminojnë" kryediplomatin e të gjitha kohërave. Pra, e kemi një shik-ist, një neo majtist, një defekt serioz ulur në ulësen kryesore të pallatit të demokracisë". Isha duke e parë një film, “Zoti i unazës”, dhe nëna kaloi aty pari, kur e pa një personazh të çuditshëm, na u drejtua: Çka po e këqyrni këtë majmun!... djali im ishte 4 vjeç iu drejtua Nënës: Nuk është majmun, se po flet, e po ec!"... Edhe fjala e kryeministrit ishte puro politike, e zbehtë, nuk përçonte mesazh uniteti, e ndërtuar mbi disa elemente promovimi, asgjë më shumë! E majta famëkeqe se ka pranuar dhe s’do ta pranojë në asnjë mënyrë njeriun që bëri histori brenda historisë!”, ka shtuar Dajaku.

Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në varrezat e Velanisë, me nderimet më të mëdha e të papërsëritshme të popullit shqiptar, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore e diaspora.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat