‘Korbat e Zi’ të përgjigjen për vrasjen e Ahmet Krasniqit! Ish-ushtarët e FARK-ut i kundërpërgjigjen Fatos Klosit, ish-kreut të SHISH-it

Politika

‘Korbat e Zi’ të përgjigjen për vrasjen e Ahmet Krasniqit! Ish-ushtarët e FARK-ut i kundërpërgjigjen Fatos Klosit, ish-kreut të SHISH-it

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 7 dhjetor 2022 Në ora: 10:04
Faton Klosi dhe Ahmet Krasniqi

Sipas Fatos Klosit, ish udhëheqës i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, njëherit i akuzuari kryesor publikisht për atentatin ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ahmet Krasniqi, Brigada e FARK-ut ishe dorëzuar në Koshare, pasi ata nuk e kishin në mendje luftën.

“Po të flasim për luftën që tentuan ta bëjnë ata, unë ta them që nuk tentuan me e bë luftën. E kisha shumë të qartë që ishte një ushtri e Qeverisë së Kosovës që quhej FARK dhe që kishte 3-4 baza në Shqipëri, të cilët meqenëse lufta filloi nën emrin e UÇK-së, mbanin uniformat e UÇK-së, të cilët me uniforma kishin qejf me dalë nëpër Tiranë, dhe natyrisht neve në atë periudhë nuk na leverdiste hiç që ata të dilnin me uniformat e UÇK-së nëpër Tiranë. Na bënte përshtypje që ata kishin më shumë oficerë se sa ushtarë”. Ata po përgatiteshin për luftë, por asnjëherë nuk e kishin në mendje. Pastaj, nëse e mbani në mend ngjarja në Koshare. U futën më në fund, e kaluan kufirin si e kaluan, dhe pas tre ditësh u dorëzuan. Një brigadë e tërë i dorëzoi armët. Brigada e FARK-ut që u fut, nuk ia di emrin, se mbaj në mend, por kjo është fakt. Ka qenë komandat Tahir Zemaj i asaj brigade”, deklaroi Klosi.

Dezinformimi i qëllimshëm i Fatos Klosit

Image
Saim Tahiraj

Por ndaj deklaratave të Fatos Klosit, ka reaguar ashpër Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit të kombit, Sali Çekaj.

“Paska dalur prapë ky në skenë Korbi i Zi dhe me shpifjet e tij monotone që sjellë vetëm momente trishtuese skenash. Po përpiqet t'i arsyetojë veprimet e tija që vetëm kob i sollën popullit shqiptar në Kosovë. Kësaj radhe ky korb i zi krrakëllamën e transmetoi përmes emisionit të Adnan Merovcit duke hedhur vrerë të zi mbi FARK-un dhe komandantët institucional. Në kohën që ky drejtonte SHISH-in, ndodhën ngjarjet më tragjike për popullin shqiptar në Kosovë, u vra Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi në mes të Tiranës. Në vend që ta zbardhte këtë vrasje makabre, e mbuloi me arsyetimin se kishte mungesë faktesh. Tani, 24 vite pas vrasjes së ministrit Krasniqi, pa fije turpi përpiqet ta hedhë fajin diku tjetër, në vend që ta tregojë të vërtetën të cilën e din shumë mirë”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, Fatos Klosi qëllimisht e ngatërron kolonel Tahir Zemajn me betejën e Koshares, pasi ishte pikërisht Zemaj komandanti që udhëhoqi betejën e lavdishme të Loxhës.

“Duke dezinformuar në vazhdimësi me shumë të pavërteta, përpiqet ta ulë famën e komandantëve që fituan betejat më të lavdishme të Loxhës dhe Koshares. Qëllimisht i ngatërron këto. Komandant Tahir Zemaj, i cili komandoi atë betejë, dhe sa ishte gjallë edhe vet e komentoi Betejën e Loxhës që me sukses kishte dalur fitues, tani ky far sherifi, në një formë mbrojtës i krimit, qëllimisht e ngatërron me Betejën e Koshares. Betejën më të suksesshme të Koshares, e cila është edhe krenaria jonë, e paraqet si humbje dhe dorëzim pas tri ditëve. Derisa edhe vetë komandantët kriminel serbë e pranojnë humbjen dhe tmerrin që pësuan në Betejën e Koshares, dhe të Loxhës, madje duke e krahasuar edhe me Vietnamin, ky fatkeq nga Tirana e paraqet si humbje!”, shprehet Tahiraj.

Sipas tij, oficerët e FARK-ut gjatë luftës ishin gjithmonë në front përballë armikut serb.

“Korbi i Zi krejt i verdhë në fytyrë, sigurisht nga skenat shtesë të mbytjeve që i din, duke thënë se oficerët dhe ushtarët e FARK-ut të veshur me uniformën e UÇK-së shëtitshin nëpër Tiranë dhe asnjëherë nuk shkuan në luftë. Ka pasur ministra në Tiranë edhe para dhe pas tij që e vërteta mbi luftën e Kosovës, i ka kompromentuar përgjithmonë. Nuk shteret energjia mbi të vërtetën, aq më pak kur disave ju pikojnë duart gjak.. Oficerët e FARK-ut, me uniformën e UÇK-së e cila ishte pjesë përbërëse e FARK-ut, nuk shëtitshin në Tiranë, ata ishin brenda në KOSOVË duke luftuar fyt për fyt me armikun. Në betejat e Loxhës, Lukës, Carrabregut, Koshares e shumë beteja të tjera të lavdishme, të komanduara nga komandantë të lavdishëm si: Adem Ukëhagjaj, Sali Çekaj, Rrustem Bruqi, Tahir Zemaj, Agim Çelaj, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Ukë Bytyçi, Smajl Hajdari, Isuf Haklaj, Skender Rexhahmetaj, komandant “Drini” e shumë e shumë të tjerë. Paska njohuri ky për ta? Dioptria jote sheh vetëm përmes syzave të LPK-së dhe Xhavit Halitit”, thekson Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Më tej, edhe Saim Tahiraj e ka drejtuar gishtin drejt Fatos Klosit, si njeriu kryesor për atentatin ndaj kolonel Ahmet Krasniqit.

“Ky ‘tullumbac’ më mirë është të tregoj se si i bastisët objektet e MMRK-së në Tiranë dhe si i torturuat oficerët dhe ushtarët e tyre? Si e organizuat pusinë ndaj eskortës së ministrit Krasniqi? Pse i ndaluat makinat tjera që e shoqëronin ministrin Krasniqi? Pse e liruat vetëm makinën e ministrit Krasniqi për të shkuar te xhelati i tij që e priste te banesa e tij? Të gjitha këto ishin mirë të organizuara, të koordinuara nga SHISH-i që ju e drejtonit”, deklaron Tahiraj.

“Korbat e Zi jetojnë zakonisht në vendet e vetmuara dhe dihet si ushqehen dhe kur duan të dërdëllisen zgjedhin lisa të tharë dhe të vetmuar. Ti sot zgjodhe studion dhe emisionin e Adnan Merovcit, fatkeqësisht. Krrakëllimat e Korbave të zi sjellin vetëm kob. Nuk asht e drejt, as elasticitet, asnjë kompromis, e as i Merovcit që belbëzon, që e din dhe këto tema të ndjeshme kanë përmbysur dhe do të përmbysin secilin që guxon t’i shtrembërojë këto të vërteta që u lanë në gjak”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, ish- bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Të hetohet Fatos Klosi

Kurse kryetari i degës së LDK-së në Gjermani dhe ish-ushtari i FARK-ut, Osman Ferizi, thotë se Fatos Klosi po dezinformon qëllimshëm për t’i fshehur gjurmët e krimeve të Shërbimit Informativ shqiptar, gjatë kohës që Klosi ishte udhëheqës.

Image
Osman Ferizi

“Kryeshikisti dezinformon qëllimshëm për t’i fshehur gjurmët e krimit të SHISH-it! Deklarata i ish kreut të SHISH-it, Fatos Klosi tregon fytyrën e vërtetë të atyre strukturave shtetërore të kriminalizuara dhe që ishin të dirigjuara nga ish përfaqësues të SHTABIT të UÇK-së, të cilët janë të dëshmuar dhe provuar me pengesat, kërcënimet, marrjen e armatimeve, burgosje dhe vrasjen e ministrit të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, eprorit Sadri Ramqaj...”, deklaron Ferizi.

Sipas tij, Fatos Klosi duhet të hetohet për vrasjet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë kohës së luftës.

“Po të kishim prokuror të pavarur të Shtetit ky do të duhej hetuar, po mos të qëndronte shteti me shërbimet e veta mbrapa planit operativ për likuidim të këtyre figurave ato do të ishin zbardhur shumë shpejt, lidhjet e Klosit, Mejdanit, gjeneralit Kudusi Lame me eksponentë të dyshuar të organizimit të vrasjeve politike në Kosovë e kishin Xhavit Halitin, Azem Sylen, Bislim Zyrapin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin që dirigjonin strukturat e SHIK-ut. Andaj mendoj se shkollën e vrasjeve politike si rrugë dhe metodë revolucionare e marrjes së pushtetit u mor dhe u sugjerua nga shteti shqiptarë si përvojë Sovjetike e enveriste, strukturat e SHIK-ut i ka motivuar, stërvit Shaban Braha dhe kjo është e ditur”, shprehet Ferizi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Fatos Klosi po tenton që ta paraqes si dështim betejën e Koshares.

“Nga goja e këtij ish-krye SHISH-i, Fatos Klosit del një e pavërtetë e madhe se dështoi fronti i Koshares, ky deformim i qëllimshëm për ta anatemuar luftën më të lavdishme të UÇK-së në Koshare ku ushtria serbe me gjithë mercenarët e sjellur rusë, rumun… pësoi rëndë”, thekson Ferizi.

Ashtu si Tahiraj, edhe Ferizi përgjegjës për vrasjen e Ahmet Krasniqit e bëjnë Fatos Klosin.

“Ky njeri përgjegjës për vrasjet në Shqipëri e në veçanti për ish-MMRK-në kolonel Ahmet Krasniqi nëse e përmend dorëzimin e armëve në fshatin Isniq ku ishte mbledhur popullata e pambrojtur, e cila ishte në numër shumë të madh dhe në kushte mizërie, ku kërcënohej të ndodhte Srebrenica e dytë, çfarë kemi të merremi me të. Harron me dashje dorëzimin dhe nënshtrimin e Malishevës ku bëhej tregti në luftë, nga aty ku ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi lëshonte letërnjoftime të Republikës së Kosovës dhe armët u hodhën nëpër ferra, ju do duhej të ishit dëshmitar në procesin gjyqësor në Hagë sepse ju dini për shumë gjëra dhe për implikimin e SHIK-ut në marrjen e armatimeve nga njësitet e FARK-ut dhe shitjen e tyre, ndryshe nuk e keni ndërgjegjen e pastër”, përfundon për “Bota sot”, Osman Ferizi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat