Shteti nuk duhet të tërhiqet nga terrori serbomadh - Zgjedhjet në veri të mbahen!

Politika

Shteti nuk duhet të tërhiqet nga terrori serbomadh - Zgjedhjet në veri të mbahen!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 dhjetor 2022 Në ora: 08:02
Zyra e demoluar e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut. 7 dhjetor 2022.

Sulmet e bandave kriminale të serbëve në veri, në organizim të plotë nga shërbimet inteligjente të Serbisë, ndaj zyrave të komisioneve zgjedhore kanë vënë në lëkundje institucionet se nëse duhet mbajtur zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet lokale u shpallë nga presidentja Osmani, pas vendeve vakante që mbetën, meqë Serbia e urdhëroi partinë serbe që e kontrollon, që t’i braktisnin institucionet në katër komunat atje, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nga kryetarët dhe këshilltarët komunal.

Po ashtu punën në institucione e kanë braktisur rreth 650 policë serbë, gjykatës e prokurorë etj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë datë.

Por, nga ana tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ajo e cila do të mund të vendosë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, tha për mediat, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit.

Po ashtu edhe Qeveria nëpërmjet zëdhënësit të saj ka deklaruar se është duke pritur informacione nga institucionet e sigurisë për ta vlerësuar situatën.

Kelmendi: Rendi kushtetues dhe integriteti territorial janë të panegociueshme në Republikën e Kosovës

Image
Juristi Muhamet Kelmendi

Lidhur me zhvillimet e fundit që ndodhën në veri të Kosovës, juristi Muhamet Kelmendi për “Bota sot” thotë se është pikërisht presidenti serb Vuçiq, ai i cili bëri thirrje për sulme, me deklarimet e tij, se në veri nuk do të ketë pushtet tjetër.

“Është pritur që në veri të Kosovës të bëhen veprime kriminale dhe terroriste nga serbët. Këtë e ka deklaruar edhe vetë krimineli i luftës, terroristi A. Vuçiq. Ai tha: "Veriu nuk duhet të lejojë pushtet tjetër. Ata (shih: qytetarët serb) duhet të veprojnë me mjete adekuate". Me këtë u bë thirrja për veprime kriminale dhe terroriste në veri të Republikës. Dhe, natyrisht hedhja në erë me bomba dhe me granata të disa qendrave të votimit është pasojë e thirrjes terroriste të Vuçiqit.

Shteti i Kosovës është i rregulluar juridikisht. I ka normat kushtetuese dhe e ka për detyrë ruajtjen e rendit juridik dhe të sovranitetit e të integritetit territorial. Çdo shtet vepron me mjete shtetërore kur kërcënohet me akte terroriste rendi juridik”, thotë ai.

Ai veprimet e tilla u quan kriminale dhe e dëmtojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Sipas tij, këtu duhet të veprojë shteti, t’i hetojë rastet dhe t’i kap terroristët.

“Veprimet në veri janë kriminale. Ato e dëmtojnë rendin kushtetues dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe pasurinë e vendit. Dënimet janë deri me burg të përjetshëm. Normat janë të qarta. Republika kërkohet të veprojë. Shteti kërkohet të hetojë rastet dhe të kapi terroristët. Ata nuk duhet lejuar të veprojnë dhe të dëmtojnë e rrezikojnë jetën dhe pasurinë e shtetit.

U bënë disa akte terroriste. Kudo këto akte luftohen. Edhe në Kosovë nuk duhet lënë pa përgjegjësi. Nuk ka fare rëndësi se kush i kryen”, shprehet juristi.

Derisa, për zgjedhjet që është caktuar dita kur do të bëhen, Kelmendi thotë se duhet të mbahen gjithsesi, përndryshe dëmtohet shteti dhe i bie të fitojë terrori serbomadh.

“Ndërsa, zgjedhjet domosdo duhet të bëhen. Aktet terroriste drejtohen kundër zgjedhjeve dhe ndarjes së kësaj pjese të Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin serb. Këtu nuk duhet të tërhiqet shteti. Vendimi për zgjedhje ekziston dhe ato duhet domosdo të zhvillohen sipas vendimit. Shteti nuk duhet të tërhiqet. Tërheqja e dëmton shtetin. Kështu fiton terrori serbomadh. Këtë nuk duhet lejuar”, përfundon Muhamet Kelmendi.

Shala: Komunat në veri nuk reflektojnë më hapësirë për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale

Image
Njohësi i sigurisë Drizan Shala

Njohësi i sigurisë Drizan Shala, për “Bota sot”, ka deklaruar se që nga vendimi për targa Kosova po kalon në një problem tjetër, andaj ka hy në një rreth të mbyllur sa i përket fushës së sigurisë.

“Kosova tani më ka hy në një rreth të mbyllur duke vazhduar nga hapja e një problemit në tjetrin duke shkaktuar pasoja të rënda në fushën e sigurisë.

Pas fillimit të situatës me targa në shtator 2021 dhe mbajtja në agjendë qeveritare këtë situatë, tani më ajo ka prodhuar një situatë, të cilën e dimë që është një tentativë për një anarki institucionale në atë pjesë”, thekson Shala.

Përkundër juristit, Shala konsideron se për çështje të sigurisë nuk reflekton hapësirë për mbajtjen e zgjedhjeve, duke shtuar se jemi në një situatë që do të diskutohet dhe asociacioni do të zbatohet pas gjithë këtyre incidenteve.

“Situata në 4 komunat në veri të vendit nga situata e datës 06.12.2022 nuk reflekton më hapësirë për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend dhe për këtë do të kemi një situatë ku do të diskutohet në Bruksel që tani më asociacioni do të zbatohet pas këtyre incidenteve duke prodhuar një fakt të ri, i cili do ta shtyjë bashkësinë ndërkombëtare të reagojë gjatë ditëve në vijim”, përfundon Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat