Veriu nuk gjen paqe nga sulmet ndaj policisë shqiptare dhe bombat serbe – Dyshohet se edhe Rusia ka ‘gisht’ në këto krime!

Politika

Veriu nuk gjen paqe nga sulmet ndaj policisë shqiptare dhe bombat serbe – Dyshohet se edhe Rusia ka ‘gisht’ në këto krime!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 dhjetor 2022 Në ora: 13:26
Policia e Kosovës

Mbrëmë një polic shqiptar mezi i ka shpëtuar plumbave të bandave kriminale serbe në veri të vendit.

Nga e marta më 6 dhjetor kur u tentua që të organizoheshin zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, serbët të orkestruar nga shërbimet sekrete të Serbisë, të mbështetura edhe nga agjentura ruse, kanë kryer sulme të vazhdueshme duke kërcënuar jetën e zyrtarëve të shtetit dhe të policëve.

Sulmet filluan të kryheshin me armë zjarri dhe me granata, ndërsa mbrëmë në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, u sulmua me armë zjarri një patrullë e policisë së Kosovës nga një automjet në lëvizje.

Nga sulmet kërcënuese në plagosje të policëve

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, ka pohuar se polici shqiptar nga Ferizaji është plagosur në kraharor, por e ka vlerësuar gjendjen e tij stabile, dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

“Zyrtari policor është pranuar në ora 1:40 në Spital. Është nis rreth orës 08:20 për në QKUK. Gjendjen e ka stabile. Është i plagosur me një plumb rreth zonës së kraharorit. Është nga Ferizaji dhe është i moshës 40-vjeçare”, ka deklaruar Zhubi për media.

Policia ka njoftuar se mbrëmë rreh orës 23:00, në fshatin Serbovc deri sa njësitet policore po i kryenin detyrat e tyre të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.

Me sulmin e mbrëmshëm ku u plagos polici shqiptar, situata po shkon me shpejtësi drejt përshkallëzimit, pasi serbët nga provokimet e vazhdueshme, kanë kaluar në sulme të vazhdueshme.

Fillimisht të martën grupe bandash serbe, shumë nga ta edhe të maskuar, sulmuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore me shok-bomba, pastaj edhe me bomba lufte, dhe me të shtëna me armë zjarri për të krijuar panik dhe pasiguri tek stafi zgjedhor.

Po ashtu, kishte tentim të plaçkitjes së Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Autoritetet në Kosovë i cilësuan këto incidente si “sulme terroriste” dhe thanë se pas tyre qëndrojnë “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia.

Pas incidenteve të 6 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi shtim të prezencës policore në veri për shkak të “krimeve dhe sulmeve” në këtë pjesë të shtetit.

Policia e Kosovës tha se ka kapacitete që të menaxhojë dhe të kontrollojë situatën e sigurisë në mbarë vendin.

Mirëpo, këtu hidhen edhe disa dyshime në rast se Rusia mund të ketë ‘gisht’ në këto sulme dhe shpërthime me bomba-shok.

Qarri: Rusia ka dorë në sulmet e fundit me bomba në veri të Kosovës

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” i komentoi këto sulme në veri të vendit tonë.

Fillimisht, ai u shpreh se hedhja e këtyre mjeteve eksplozive nuk është diçka e re, pasi është vazhdimësi e ngjarjeve të shatorit të kaluar.

“Sulmet me bomba dhe hedhja e mjeteve eksplozive në veri, nuk janë diçka e re dhe e panjohur për Kosovën as Bashkësinë Ndërkombëtare, madje ato janë vazhdimësi e ngjarjeve që nga shtatori i vitit të kaluar,k ur pas vendosjes së reciprocitetit për targa nga Qeveria e Kosovës, u dogj Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmua me bomba Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, incidente që pa shkas dhe arsye, vijuan për disa ditë me radhë”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Qarri tha se qytetarët e Kosovës me të drejtë mund të mendojnë se në ngjarjet e fundit kriminale në veri të Kosovës, nuk kanë më vetëm Serbia dhe Rusia, por edhe elementët dekonstruktiv të opozitës së inkriminuar.

“Por “risi” fatkeqe, në këto momente të rënda që po kalon Kosova, është fakti se gjithnjë e më tepër, tek qytetarët e vendit, me të drejtë, po krijohet jo vetëm përshtypja, por edhe bindja e njëmendtë se dorë në ngjarjet e fundit kriminale në veri të Kosovës, nuk kanë më vetëm Serbia dhe Rusia, por edhe elementët dekonstruktiv të opozitës së inkriminuar, të cilëve qeveria Kurti, duket se ua ka prishur bizneset me udhëheqësit e bandave kriminale serbe në veri, e veçanërisht me kriminelët Millan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin të vendosur edhe në Listën e Zezë të SHBA-ve”, thotë ai.

Një vit pas, edhe Britania e Madhe, i ka shpallur kriminelët Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin në listën e re të zezë të saj.

Qarri thotë se më së miri, “dëshmohet me sjelljet tërësisht të çoroditura dhe atakimet e pakuptimta e skrupulloze të eksponentëve të partive të inkriminuara PDK-së, AAK-së e madje edhe LDK-së, që pas çdo sulmi kriminal nga banditët e njohur në veri, i sulen kryeministrit Kurti dhe në vend se të insistojnë në gjetjen e autorëve të krimit, atakojnë drejtpërsëdrejti kryeministrin Kurti, sikur ai të ishte autor i hedhjes së bombave "shokuese", që po e shokojnë gjithë Kosovën”.

Në vazhdim, ai vlerësoi se gjithë këto trazira po bëhen për shkak që kryeministri Kurti po e lufton krimin dhe korrupsionin në këtë pjesë të vendit.

“E gjithë kjo, vetëm pse, që nga ardhja në krye të Qeverisë, kryeministri po bënë çdo gjë të mundshme, për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar kudo në vend, përfshi edhe veriun e Kosovës, gjë që bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Milan Radojçiqit me shokë, dhe partive që kanë nënshkruar dhe miratuar marrëveshjen renegate për formimin e "Zajednicës" kundërkushtetuese serbe, mospranimi i kësaj krijese të shpifur dhe luftimi i krimit dhe kriminelëve, po u dhemb shumë më tepër, se sa vet fati i veriut dhe shtetit të Kosovës.

Klanet dhe partitë e inkriminuara, të cilat në bashkëpunim me Vuçiqin dhe bandat e krimit të organizuar të dirigjuara prej tij, tash e mbi dy dekada e kanë krijuar gjendjen e tillë të të jetuarit në veri, vetëm që bizneset e tyre, të mbulohen dhe të mos bie në sy, e hetohet efekti i bashkëpunimit me kriminelët e veriut edhe pas më tepër se dy dekada të çlirimit të Kosovës nga Serbia fashiste, shihet hapur, se ata vazhdojnë ta parapëlqejnë frikësimin, sjelljet e dhunshme dhe aktet kriminale, në zhvillimet impulsive që serish po ndodhin me porosi të Beogradit, nga bandat serbe në veri , në mënyrë që ti krijojnë sa më shumë probleme Qeverisë aktuale të Kosovës, për mos arritjen e shtrirjes së rendit e të ligjit, në këtë pjesë të territorit të Kosovës, as përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, votime me të cilat do të niste një proces i ri i zgjimit dhe nxjerrjes së kandidatëve të pavarur, me votën e lirë të qytetarëve të pandikuar nga Beogradi dhe krijesa kriminale e Vuçiqit si “lista serbe””, nënvizoi Qarri.

Image
Gani Qarri

Gjithashtu, analisti përmendi edhe planet e Listës serbe që po i bën në koordinim me Beogradin e Vuçiqit.

“Ata të cilët bashkë me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë dhe krijesën patramilitare të kriminelit Vuçiq, për parandalimin e shtrirjes së shtetësisë së Kosovës edhe në veri, të ashtuquajturën "lista serbe", vazhdimisht janë marrë me kurdisje grupore, vjedhje votash dhe dallavere zgjedhore për fabrikimin e "fituesit", për gjithë këto vite, duke qenë në krye të partive të inkriminuara të Kosovës kanë tjetërsuar me forcë dhe presion të vazhdueshëm psikik e politik edhe vullnetin e qytetarëve të pakicës serbe në Kosovë, vetëm që "lista serbe" me çdo kusht të jetë e vetmja forcë që dirigjon, sipas diktateve të Beogradit, me pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë”, potencoi ai.

Po ashtu, theksoi faktin se Rusia po e ndihmon shtetin serb në luftën e tij kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

“Në anën tjetër, siç dihet botërisht, edhe Rusia që nga shpallja e pavarësisë e këndej, vijon ta luftojë shtetësinë e Kosovës nga brenda dhe jashtë, me përpjekjet që përmes bandave kriminale serbe , bashkë me qeverinë e Serbisë, ta parandalojë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës dhe rendit e ligjit në veri të vendit, si dhe pengimin nga jashtë, duke filluar nga pengesat që i bëhen Kosovës për pjesëmarrje në forume dhe institucione ndërkombëtare, deri te pengesat për tu njohur dhe pranuar në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare përfshi edhe vet OKB-në”, shpjegoi analisti.

tej, Qarri tha se më së miri përfshirjen ruse në ngjarjet në veri e vërteton dëbimi i disa zyrtarëve rus nga Kosova si dhe arrestimin dhe dëbimin e bashkëpunëtorit rus të UNMIK-ut, Mikhail Krasnoschenkov.

“Fakti se Rusia dhe Serbia kanë dorë dhe janë dy protagonistët kryesor, inspiruesit dhe donatorët e involvuar drejtpërsëdrejti gjatë gjithë kohës dhe në të gjitha zhvillimet kriminale në veri të Kosovës, e dëshmon edhe dëbimi i disa zyrtarëve rus nga Kosova si dhe arrestimin dhe dëbimin e bashkëpunëtorit rus të UNMIK-ut, Mikhail Krasnoschenkov, për bllokimin e rrugës me automjetin zyrtar të UNMIK-ut, në maj të vitit 2019, për pengimin e kryerjes së detyrave ligjore të policisë së Kosovës në veri, akte për të cilat institucionet tona më të larta shtetërore, kanë reaguar në vijimësi, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos i injorojë, siç po bënë tani dhe në vazhdimësi, aktet e dhunës, të cilat shihen botërisht, se si dhe nga kush, vazhdojnë të nxiten e orkestrohen në veri të Kosovës.

Kështu që përveç arrestimit dhe dëbimit të zyrtarit rus të UNMIK-ut, Mikhail Krasnoschenkov për shkak të bashkëpunimit me bandat serbe në veri dhe pengimit të policisë së Kosovës në kryerjen e punëve dhe detyrave të saj ligjore, Presidentja e vendit, në fundtetor të vitit 2021, u detyrua të urdhëroi dëbimin dhe shpalljen persona "non grata" edhe të dy diplomatëve rusë, të cilët ishin dërguar në të ashtuquajturën "zyrë ndërlidhëse" të Rusisë në Kosovë, aktiviteti i të cilëve, është dëshmuar se nuk kishte të bënte me mision diplomatik, por ishte pjesë e ambicieve destablizuese të Rusisë, me aktivitet për rrënimin e arritjeve të Kosovës, ShBA-ve, NATO-s, e BE-së, duke cenuar hapur sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit tonë”, shtoi ai.

Në fund, analisti tha se shteti rus po synon të hap edhe një front të ri lufte, në Ballkanin Perëndimor me tendencën ekspansioniste për arritjen e qëllimeve të tyre okupuese në dëm të vendeve fqinje.

“Pra, Rusia përveç se është e involvuar drejtpërsëdrejti dhe dihet publikisht që ka dorë edhe në sulmet e fundit me bomba në veri të Kosovës, vet zhvillimet në këtë territor të pandashëm të vendit tonë, janë përzierje flagrante në çështjet e brendshme, si pjesë e projektit serbo-rus kundër shtetit të Kosovës, që përmes destabilizimit të veriut dhe rajonit, jo vetëm ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës, por mundësisht ta destabilizojnë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, dhe pas Ukrainës, të hapin edhe një front të ri lufte, në Ballkanin Perëndimor me tendencën ekspansioniste për arritjen e qëllimeve të tyre okupuese në dëm të vendeve fqinje, tendenca, të cilat nuk kanë pushuar asnjëherë dhe janë aktuale, më tepër se kurrë më parë edhe sot, në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi, si pjesë e pretendimeve të Vuçiqit, që përveç Rusisë së madhe të krijohet edhe Serbia e madhe, e prezantuar së fundi nga Vulini dhe Vuçiqi si “bota serbe””, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Mulliqi: Në intensifikimin e dhunës në veri, ka ndikuar edhe lufta në Ukrainë

Edhe, analisti tjetër politik, Skënder Mulliqi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se sulmet me bomba në veri nuk janë veprime të reja, pasi që nga pas lufta ka pas sulme dhe provokime në këtë pjesë të vendit.

“Sulmet me bomba të strukturave kriminale serbe, në veri të Mitrovicës, nuk janë të reja. Sulme të tilla për të mbajtur këtë pjesë të vendit të destabilizuar kemi pasur gjithë pas luftën. Shërbimet sekrete serbe me kriminelët “Rojat e Urës” të dirigjuara nga pushtetet shoviniste te Beogradit, pareshtur vendosën barrikada mbi lumin Ibër, ku shpesh rrahën dhe keqtrajtuan shqiptarë duke ua pamundësuar atyre të jetojnë në shtëpitë e tyre në veri. Kishim shpesh edhe shpërthime me bomba. Ngjarjet më të fundit, ku këto struktura kriminale serbe po veprojnë me shpërthime dhe gjuajtje armësh, për t’i penguar zgjedhjet lokale atje, po bëhen nën direktivat e Vuçiqit dhe të Putinit”, deklaroi ai.

Image
Skender Mulliqi

Sipas Mulliqit, të gjitha këto shteti serb po i bënë me qëllim të ndarjes së Kosovës dhe formimin e Serbisë së Madhe, përmes themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Përveç kësaj, u shpreh i bindur së Putini po e ndihmon shtetin serb në realizimin e këtyre qëllimeve ndaj vendit tonë.

“Gjatë kërcënimeve të vazhdueshme me luftë me forca të armatosura në veri nga Serbia, janë parë edhe oficerë rus, dhe së fundi edhe 300 mercenarë në ndihmë këtyre strukturave, të cilët po përdorin çdo lloj të provokimeve më dhunë për të bërë faktike ndarjen mbi bazat etnike të Kosovës, për çka është duke synuar Serbia fashiste e presidentit Vuçiq. Sigurisht se në intensifikimin e dhunës në veri nga këto struktura, ka bërë edhe lufta në Ukrainë. Serbia dhe serbët e rebeluar në veri, po e shohin këtë si mundësi të mirë, që me aksione të tilla të shpërthimit të detyrojnë faktorin ndërkombëtar, që t’ua bëjë të mundur realizimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, që është një hap drejtë autonomisë së gjerë, dhe për të ardhmen jo të largët do të thotë formim i një Republika Srpska në Kosovë, që do të ishte rrënim i pavarësisë, dhe hap shumë i madh në formimin e Serbisë së Madhe, të cilën gjë e synoi edhe Millosheviqi me luftë. Prandaj, të thuhet se në ngjarjet në veri mos të këtë dorë diktatori rus, Putin është iluzionare. Ai është duke e humbur luftën në Ukrainë dhe po e sheh si rast të mirë që zjarrin e luftës ta shpërndajë në rajonin e Ballkanit ende të pa stabilizuar”, vlerësoi analisti.

Në fund, ai kërkoi nga të gjithë shqiptarët që të bashkohen përballë Serbisë dhe propagandës së saj kundër Kosovës, pasi sipas tani ka ardhur koha që të zhbëhen strukturat kriminale serbe në veri.

“Shqiptarët duhet të rreshtohen për t’i bërë ballë çdo agresioni të mundshëm në veri, për të mos lejuar ndarjen e Kosovës. Fort besohet që pasi është bërë investim i madh edhe nga ndërkombëtarët e veçmas nga Amerika mike, në projektin e pavarësisë, nuk do të lejohet një tjetër aventurë ushtarake serbo-ruse në rajon, ku në planet ekspansioniste të Putinit dhe Vuçiqit, janë edhe Bosnja dhe Mali i Zi. Minoriteti serb sipas planit të Marti Ahtisarit, ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botë. Prandaj, është koha e fundit që organet tona të shtetit, të cilat janë duke punuar mirë, të shtrijnë ndikimin në çdo cep të vendit. Është koha që të zhbëhen këto struktura kriminale serbe. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, i pranuar ndërkombëtarisht, dhe legjitimuar edhe nga GJND-ja”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat