Skenari që po ndodhë / Celulat e “Wagner” në veri të Mitrovicës – ja i dërguari i Putinit

Politika

Skenari që po ndodhë / Celulat e “Wagner” në veri të Mitrovicës – ja i dërguari i Putinit

Nga: Petrit Rudi Më: 12 dhjetor 2022 Në ora: 20:53
Simbol në luftën e Ukrainës, serbët vendosin “Z” ruse në Veri të Kosovës

Përveç sulmeve me armë të gjata dhe më shok bomba ndaj Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të EULEX-it, në veri të Kosovës kanë filluar të shfaqen simbolet ruse “Z”, simbole këto që përdorën nga Rusa në luftën e Ukrainës me synimin për të pushtuar këtë vend.

E pas shfaqjes së këtyre simboleve, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, thotë se këto janë edhe një dëshmi se parapa bandave kriminale në veri, qëndron Serbia dhe Rusia.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

 

“Është e padiskutueshme që ngjarjet në veri të Mitrovicës kanë regjisor Serbinë dhe Rusinë. Askush nuk mund ta kontestojë faktin se ato i drejton presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe i dërguari i Moskës në krye të BIA-s, Aleksandër Vulin. Vetëm kryeministri i Shqipërisë nuk do ta shohë e ta njohë këtë fakt, kur i bën thirrje Beogradit të ndikojë te serbët në veri që situate të qetësohet. Pra, vetëm ai dëshiron ta amnistojë këtë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të vëllait të tij, Aleksandër Vuçiq, në këto ngjarje. Sepse serbët e Kosovës nuk veprojnë vetë. Madje serbët e Kosovës janë lodhur dhe nuk janë në rrugë kundër institucioneve të shtetit të Prishtinës”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ata që janë në rrugë e me maska, janë të dërguarit e Aleksandër Vulin dhe të grupit Wagner në Kosovë.

“Që kur miku i Putin, pra ky shefi i BIA-s u zgjodh në atë detyrë, dihej se gjithçka në Kosovë e në Ballkan do të bëhej sipas skenarit që harton dhe e dërgon Moska në Beograd. Është shërbimi i fshehtë i Kremlinit, ai që gjendet prezent në ngjarje të tilla. Politikisht i menaxhon po ashtu miku i Putin, presidenti i Serbisë, Vuçiq. Nuk ka asnjë akt që ndodh, ku të mos jetë prezent Rusia. Jo rastësisht Grupi Wagner ka ngritur në Beograd një qendër “kulturore“! Se çfarë kulture realizojnë terroristët e këtij grupi, vetëm Vuçiq dhe Vulin mund ta dinë. Në fakt ky grup transmeton kulturën e dhunës e të luftës, të urrejtjes dhe të hakmarrjes në rajonin tonë”, shprehet Bytyçi.

“Ndërkaq simboli rus „Z“ që shihet gjithandej te grupet kriminale që sillen rrugëve të Mitrovicës së Veriut dhe komunave tjera aty, është shenjë besnikërie ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, është shprehje e mbështetjes që Serbia i jep agresionit rus në Ukrainë, është mohim i sovranitetin shtetëror të Ukrainës, madje është hakmarrje për gjoja atë që ka ndodhur me Kosovën. E la thënë hapur Aleksandër Vuçiq këtë. Ai ka pohuar se Ukraina duhet të dijë se Serbisë i është cenuar gjithashtu sovraniteti”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se për dallim nga Ukraina, Serbia në Kosovë ka ushtruar gjenocid.

“Por me Kosovën është krejt ndryshe. Në Kosovë Serbia ushtroi dhunë e gjenocid. Është i njohur fakti që kur një shtet ushtron gjenocid ndaj qytetarëve të tij për shkak të etnisë ndryshe, siç bëri Milosheviçi me shqiptarët e Kosovës, atëherë njihet e drejta e shkëputjes, pra e pavarësisë, por jo edhe e drejta e bashkimit të këtij territori me një shtet tjetër. Kështu që pavarësia e Kosovës është pasojë e gjenocidit serb. Për pasojë është e bazuar në të drejtën ndërkombëtare, siç e ka njohur edhe GJND në Hagë. Vuçiq sillet sikur në Kosovë nuk ka ndodhur asgjë. Dhe kjo është arsyeja pse ai nuk kërkon ndjesë për krimet genocidiale ndaj Kosovës. Nëse kërkon ndjesë humbet të drejtën të luftojë kundër saj”, deklaron Bytyçi.

Sipas tij, Vuçiq dëshiron fitoren e Rusisë në Ukrainë, në mënyrë që një të tillë pastaj ta arrij edhe në Ballkan përmes Serbisë.

“Ukraina nuk ka ushtruar dhunë etnike kundër asnjë pakice, as kundër rusëve. Por Vucciq spekulon me Ukrainën. Në thelb e dëshiron fitoren e Rusisë në këtë luftë. Sepse fitorja e Rusisë e bën Serbinë faktor në Ballkan. Një Serbi nën ombrellën e një vendi Fuqi e Madhe si Rusia, gjithmonë ka qenë faktor dominimi e njëkohësisht destabiliteti në rajonin tonë. Vuçiq e dëshiron përsëri këtë pozitë të vendit të tij. Pa Rusinë as që bëhet fjalë që të realizohet kjo. Edhe pse presidenti I Serbisë ka në krah të tij kryeministrin e Shqipërisë dhe mbështetjen e pakufi të tij, përsëri nuk mund ta bëjë vendin e tij hegjemon në Ballkan përmes Open Ballkan”, shprehet Bytyçi.

Profesor Bytyçi thotë se celulat e “Z”-së ruse janë edhe në veri të Mitrovicës.

“Për këto arsye bashkëpunon me Kremlinin, pranon që Grupi terrorist rus Ëagner të stacionohet në Beograd, Prej gati një dekadë ka pranuar dhe vazhdon të shumëfishohet prezenca e qendrës ruse të spiunazhit në Nish. Ajo tashmë ka ngritur dhjetëra celula në të gjithë Serbinë dhe në vende të tjera të rajonit. Celulat e “Z”-së ruse janë edhe në veri të Mitrovicës. Portreti i Vladimir Putin gjendet në zyrat e bandave dhe politikanëve të veriut. Madje aty janë edhe fotot e Milosheviç, Mlladiç e Karaxhiç. Po ashtu të ish-shefit të presidentit të sotëm, Sheshel”, thekson Bytyçi.

“Shqiptarët në Kosovë nuk përballen vetëm me Serbinë dhe presidentin e saj apo shefin e BIA-s. Ata përballen edhe me praninë ruse në Serbi e në veri të Mitrovicës. Këtë fakt e njohin, por nuk e kritikojnë dhe qortojnë perëndimorët, evropianët. Ndërsa Tirana zyrtare as që ka ndërmend të intervenojë as nga pikëpamja diplomatike për këtë gjë. Edhe opozita e Kosovës pak e trajton një temë të tillë, sepse është fokusuar te lufta kundër qeverisë Kurti, me shpresën se bie dicka nga ato të dashit! Është turp, nëse edhe një shqiptar i Kosovës në këto kushte i bashkohet korit të korbave anti-shqiptarë të serbëve, vetëm e vetëm për të përfituar politikisht e rrëzuar qeverinë legjitime të zotit Kurti”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat