“Politikën si mision e jo aventurë”, në 17 vjetorin e vdekjes si kujtohet presidenti Rugova

Politika

“Politikën si mision e jo aventurë”, në 17 vjetorin e vdekjes si kujtohet presidenti Rugova

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 janar 2023 Në ora: 08:10
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Sot (21 janar) bëhen 17 vjet që nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Rugova ka vdekur në moshën 61 vjeçare, pas diagnostikimit me kancer të mushkërive.

Në vitin 2002 u bë president i Kosovës, ndërsa ai vazhdon të kujtohet si një ndër personalitetet më të veçantë që ka pasur vendi, me veprimtarinë e tij politike si mision e jo aventurë për interesa vetanake.

E nisi misionin e politikës me synim njerëzor

Politologu shqiptar, Xhenis Sulimani, thotë se Ibrahim Rugova nisi misionin e politikës me synim njerëzor, duke thyer idetë e mbrapshta për dhe rreth politikës.

“Për çka duhet kujtuar Rugovën? Aristoteli te vepra “Politika” e ka sqaruar më së miri qenien politike dhe domosdoshmërinë e njeriut të merret me politik (me punët e polisit/qytetit/shtetit). “…ai që nuk është i aftë të jetojë në shoqëri ose që nuk ka nevojë për të, pasi mjaftohet me vetveten, duhet të jetë ose një shtazë ose një Zot: ai nuk është pjesë e shtetit. Natyra ka rrënjosur te çdo njeri një instinkt shoqëror, dhe ai që krijoi i pari shtetin ishte bamirësi më i madh”, shkruan Aristoteli. Shembull i teorisë së mësipërme në praktik shumë lehtë e gjeni te Presidenti historik Ibrahim Rugova. Ai nisi misionin e politikës me synim njerëzor, duke thyer idetë e mbrapshta për dhe rreth politikës, të cilat fatkeqësisht aso kohe ishin ngulitur në mendësinë shqiptare. Kuptohet duke u ndihmuar nga pushteti i atëhershëm, i cili e donte shqiptarin provincialist politik, jo mendje-hapur e të mençur, dhe forconte idenë e “të parit të fisit” larg institucioneve dhe jetës shoqërore. “Megjithatë, politika e tanishme serbe dëshiron që të mbetemi një etnikum i mbyllur, në një kuptim më tepër fisnor””, pohon Sulimani.

Rugova duhet kujtuar për thyerjen e barrierave për shqiptarin, për veprimtarinë që shqiptari të jetë pjesë e “polisit” aktiv në politikë, thotë Sulemani, gjersa shton se ai veprimtarinë politike e bëri mision dhe jo aventurë për interesa vetanake.

“Rugova duhet kujtuar për thyerjen e barrierave për shqiptarin, për veprimtarinë që shqiptari të jetë pjesë e “polisit”, aktiv në politikë, në institucione shtetërore, për individin mendje-hapur, intelektualin në politikë, e mbi të gjithë për njerëzoren në politikë. “Njerëzit nuk dëshirojnë të vdesin pa lidhje. Edhe ne jemi njerëz. (…) Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi”, thoshte dikur Rugova. Argument ky që Presidenti përvoli mëngët dhe iu përkushtuar punës, politikës, duke e bërë veprimtarinë politike mision dhe jo aventurë për interesa vetanake. Duhet kujtuar për kultivimin e njeriut të lirë. Për bindjen se politika e liron njeriun, e ngre në shoqëri dhe e bën të dobishëm. Ai vet ishte i dobishëm. Së pari, liroi individin, pastaj e ofroi me institucionet, duke forcuar institucionet mëtonte forcimin e Republikës. Ai ndoshta në fund nuk e gëzoi, por e la me bazë të fortë, por edhe me vizion”, thekson politologu.

Na duhet vizioni dhe urtësia e tij sa herë...

Sipas Sulimanit, veprimtaria e tij ishte progresive dhe la gjurmë.

Rugova vazhdon të jetë frymëzim, itinerar edhe sot, shprehet Sulemani, gjersa shton, se leksionet e tij duhen.

“Veprimtaria e tij ishte progresive dhe la gjurmë. Dhe vazhdon të jetë frymëzim, itinerar edhe sot. Edhe sot është sfidë njerëzorja në politikë, prandaj leksionet e tij duhen. Duhen sa herë që shqiptarët bëhen “pikë e pesë”. Ai duhet sa herë që shqiptarët mendojnë se i pari i fisit është më i fortë se institucioni/shteti. Duhet vizioni dhe urtësia e tij sa herë që shqiptarët i kthehen provincializmit politik. Duhet Rugova pranë nesh sa herë që garën politike e shndërrojmë në mejdan matjesh të muskujve dhe jo të mençurisë. Gabojnë rëndë shqiptarët, kur thonë se ka mbaruar koha e tij, e po vijnë kohëra tjera. Për një personalitet politik që më së miri të jep shembullin konkret se si aplikohet njerëzorja në politikë nuk mbaron koha kurrë, është a nuk është mes nesh”, shton Sulimani.

Image
Xhenis Sulimani

I kishte qëndruar pranë në rast rreziku, ndërsa tani truproja i Ibrahim Rugovës, thotë se ai do të kujtohet si ndër personalitetet më të veçanta.

Xhevat Dajaku në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se Rugova ishte larg pamës dhe e kishte studiuar në mënyrë të stërholluar rrugëtimin e procesit dhe proceseve të daljes nga një gjendje tepër e rrezikshme që gjendej populli.

“Rugova përgjatë gjithë kohës edhe sot kujtohet si një ndër personalitet më të veçanta dhe ndër të veçantit, më i veçanti kisha me thënë në historinë tonë të re. Ishte po them tepër larg pamës, dhe e kishte studiuar në mënyrë të stërholluar rrugëtimin e procesit dhe proceseve të daljes nga një gjendje tepër e rrezikshme që gjendej populli i ynë, për të arritur aspiratat e kamotshme sa me më pak viktima dhe humbje të çfarëdo natyre qofshin ato. Për ta organizuar jetën politike, në rrethanat dhe kohën e vështirë që ishte, mblodhi përreth vetes figura të ndritura, intelektual, atdhetar e kontribuues të pakursyeshëm për t'u përballë me proceset e vështira drejt të ardhmes së vendit. Si shpëtim për popullin dhe vendin e shihte perëndimin dhe kryesisht SHBA-të, ku e tërë fuqia politike e tij ishte që sa më shumë të depërtonte në dyert e kancelarive të këtyre shteteve. Kuptohet rruga e tij edhe pse diplomatike ishte shumë e vështirë, ngase ishim në një gjendje aparteidi, të penguar në të gjitha format e mundshme. Ai e bëri sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar në mënyrë të përkryer dhe ky ishte misioni i tij i shenjtë që e kreu me përkryeshmëri!”, pohon Dajaku.

Sipas tij, Rugova lutej vazhdimisht dhe me ikjen e tij nuk ka një personalitet të një kalibri të tij.

“Lutej vazhdimisht për popullin e Kosovës, lutej për popullin amerikan dhe për shtetin e tyre, lutej ashte edhe për evropianët, për të gjithë miqtë që thuaja i bëri miq "detyrimisht"!... Idetë e presidentit Ibrahim Rugova edhe sot e kësaj dite janë aktuale dhe të pa tjetërsueshme: Shteti bëhet me miq, Kosova e pavarur, Kosova e hapur ndaj shteteve fqinje, në mbikëqyrje euro-amerikane, e integruar ne bashkësinë evropiane, në vendet euroatlantike, në NATO,.... por me ikjen e tij në amshim nuk ka një personalitet të një kalibri të tij dhe proceset janë dëmtuar shpesh, janë bërë hapa të dëmshëm, sidomos që kur partia e tij filloi të filtrojë dhe ua zgjati dorën njerëzve të krimit të cilët, ndoshta ishin të shantazhuar nga elemente relevante dhe u bënë dëme që do të riparohen me vështirës në të ardhmen!”, deklaron Dajaku.

Image
Xhevat Dajaku

Gjersa, flet për rugovizmin Dajaku thotë se është lehtë të kuptohet, por vështirë të aplikohet.

Sipas tij, rugovizmi në LDK ka kohë që ka mbetur një kujtim i të kaluarës sa i përket jetës politike.

“Rugovizmi të kuptohet është më lehtë, por të aplikohet në jetën politiko-shoqërore është një ndër vështirësitë thuaja të pakapërcyeshme! Rugovizmi ndërthuret në vete me këto veçori: Urti, durim, maturi, filozofi, besim, këmbëngulësi, largpamësi, njohuri, unitet, pastërti, ndershmëri, dashuri, mirënjohje, vendosmëri, shqiptarizëm, demokraci, përgjegjësi,... zgjidhje e të gjitha problemeve vetëm nëpërmjet rrugëve institucionale. Rugovizmi në LDK ka kohë që është mbetur një kujtim i të kaluarës sa i përket jetës politike, e për t'u thirrur në Rugovizëm kanë filluar edhe kundërshtarë të tij herë pas here, ta përmendin në raste kur iu duhet për interesa të politikave ditore! Për momentin përpos lirisë Kosova është shumë keq në raport me ata që na kanë bërë shtet, në politikat e jashtme sidomos, e kemi humbur atë mbështetjen e hapur, atë gatishmërinë për të na përkrahur me çdo çmim!.... “, thekson Dajaku.

Me Rugovën do të kishim një shtet normal

Nëse do të dëgjohej Rugova gjithçka do të ishte më mirë dhe shteti i Kosovës do të ishte një shtet normal, shprehet Dajaku, gjersa shton se pengesat që i janë bërë atij janë humbje gati të pariparueshme.

“Sikur të dëgjohej Rugova gjithçka do të ishte më mirë dhe shteti i Kosovës do të ishte një shtet normal ashtu si e kanë ëndërruar qytetarët e saj. Pengesat që i janë bërë Rugovës dhe humbjet gati të pariparueshme janë: -Shtyrja e nënshkrimit në Ramboille! -Bërja e qeverisë së përkohshme njëanshëm, faktikisht uzurpimi i saj, dhe nën hijen e asaj qeverie i kanë ndodh shumë të zeza vendit!.... -Mos pranimi i institucioneve të atëhershme nga majtizmi i mllefosur tej mase! -Atentate kundër njerëzve të Rugovës si dhe ndaj tij disa herë! -Vendosja e njerëzve të inkriminuar, të paaftë, nëpër pozita kyçe të institucioneve të shtetit! -Kalimi nga bisedat teknike në ato politike me Serbinë! -Nënshkrimi i shumë marrëveshje në dëm të vendit, që sigurisht e kanë bëre njerëzit, të cilët nuk e kanë merituar të jenë në ato pozita!... Ka një mal defekte që Rugova s’do të lejonte që të ndodhnin”, përfundon Dajaku.

Zoti Rugova kaloi pjesën e parë të karrierës së tij duke punuar në kohën në të madhe në Institutin Albanologjik të Kosovës, gjatë së cilës kohë kryen magjistraturën dhe doktoratën. Po ashtu do të ndjek një kurs shkencor në Paris, të cilin e udhëhiqte shkencëtari e filozofi i shquar Rolan Bart, njëri nga themeluesit e semiotikës. Ai hyri në politikë në vitin 1989, duke u zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Para hyrjes në politikë ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, gjatë së cilës kohë ishte shquar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve.

Ai ishte laureat i shumë çmimeve, ndër të cilit edhe i atij Saharov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat