“Askush si Ibrahimi”, publicisti nga Shqipëria tregon çka do të ndodhte po të ishte Rugova gjallë

Politika

“Askush si Ibrahimi”, publicisti nga Shqipëria tregon çka do të ndodhte po të ishte Rugova gjallë

P.Rudi Nga P.Rudi Më 21 janar 2023 Në ora: 16:08
Dr. Ibraim Rugova.

Sot janë bërë 17 vite që kur kaloi në përjetësi presidenti historik i Kosovës, arkitekti i shtetësisë, Dr. Ibraim Rugova.

E në 17 vjetorin e vdekjes, homazhe tek varri i tij kanë bërë presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e shumë qytetarë e politikanë tjerë në Kosovë.

Kurse sipas publicistit, Rexhep Shahu, Kosova ka mbetur si fëmijë jetim me vdekjen e Rugovës.

“17 vjet pas vdekjes së Rugovës Kosova është ku e ka lënë Rugova e në disa aspekte ka mbete si jetime. Kosova sa ishte Rugova kishte fytyrën e Rugovës, autoritetin e seriozitetin e tij, solidaritetin që ai e frymëzonte”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Shahu thotë se shteti i Kosovës nuk po mund ta merr veten që nga vdekja e presidentit Rugova. Ai shton se në politiken aktuale, nuk ka më asnjë lider siç ishte Rugova.

Image
Publicistit, Rexhep Shahu

“Kishte adhurim bota për Rugovën e po njëjtë për Kosovën e Rugovës, të cilit miqtë i shtoheshin, armiqtë i hutonte e i gjunjëzoheshin. Kosova vazhdon të jetë në hutim pa Rugovën, nuk po e merr veten, nuk po i afrohet askush në drejtim si Rugova i urtë, trim, i dijshëm, imponues me dije e urtësi, një profet real i gjallë i pranuar nga njerëzit më të fuqishëm të botës, të cilët e çmonin si shenjt. Nuk po i afrohet Kosovës një i dytë si ai që bënte thirrje të votonin njerëzit partitë e opozitës, se Kosovës i duhet pluralizmi. Nuk po vjen një tjetër si ai i paqortueshëm në dije, ne qëndresë, në trimëri, në udhëheqje të vendit”, shprehet Shahu.

Por si do të ishte Kosova sot po të ishte gjallë Rugova?

“Po të ishte Rugova Kosova e kishte mbyllë me kohë dialogun e debatin pasi ai nuk bënte lojëra, ai impononte, atë e nderonin krerët e botës, i besonin sepse në gjallje pati mbërri atë që nuk e mbërrijnë të zakonshmit, që bota ta njohë si njërin nga tre të shenjtët e shqiptarëve pas Skënderbeut e Nënë Terezës. Sepse Rugova i donte njerëzit, i donte shqiptarët, nuk i shihte kurrë si votues partiake pasi ai ishte lideri shpirtëror i shqiptareve”, nënvizon Shahu.

“Rugova është ëndrra e bukur e çdo shqiptari që nuk e do komunizmin dhe nuk e do Kosovën nen Serbi, por e do të lirë e demokratike. Lum ne shqiptarët që e patëm të Rugovën e mjere ne që sot nuk e kemi dhe nuk e dëgjojmë, pasi ai e ka të gatshme përgjigjen për çdo problem shqiptar. Është simboli ynë, ikona jonë. Nderim përjetë Presidenti Rugova”, përfundon për “Bota sot”, publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat