Të pathënat e planit franko-gjerman që sollën mospajtime në Kosovë- A do të jetë asociacioni “Kali i Trojës” në dokumentin final?

Politika

Të pathënat e planit franko-gjerman që sollën mospajtime në Kosovë- A do të jetë asociacioni “Kali i Trojës” në dokumentin final?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 janar 2023 Në ora: 18:39
Aleksandar Vuçiq, Emannuel Macron, Albin Kurti, Olaf Scholz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kategorikisht kundër formimit të asociacionit siç e quan ai me kompentenca ekzekutive.  

Por, kundër tij së fundi ka dalë i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili ka thënë se formimi i asociacionit do të ndodhë dhe se Kosova duhet të përmbush detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëjë këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit.

Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese.

Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’ pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, kishte deklaruar ai gjatë një interviste.  

Mehmeti: Asociacioni i vitit 2013 ka vdekur me vendim të Kushtetueses, e Kurti duhet ta përdorë si argument për të mos e pranuar  

Analisti Faton Mhemeti, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se asociacioni nuk mund të bëhet pa miratimin e Qeverisë së Kosovës.  

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, asociacioni i vitit 2013 nuk duhet të formohet, ndryshe çdo formim i asociacionit mund të jetë bombë me sahat për të ardhmen.  

“Asociacioni s’mund të bëhet pa miratimin e qeverisë, pa një marrëveshje me të. Andaj, deklaratat e z. Escobar më tepër janë kërcënim, shtanazh përmes blofit, gjë që nuk besoj se "shitet" te Albin Kurti. Asociacioni nuk duhet të jetë ai i vitit 2013, por vetëm me karakter të një OJQ-je, ndryshe do të jetë bombë me sahat për të ardhmen.  

Escobar duhet të jetë i vetëdijshëm, mos të lejojë të krijohet "Serbia e vogël" brenda Kosovës, në të kundërtën lufta do të jetë e pashmangshme në të ardhmen”, ka thënë ai.  

Sipas tij, Kushtetuesja e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, andaj duhet gjetur një mënyrë tjetër dhe të jetë brenda normave të kushtetueses së vendit.  

“Asociacioni i 2013-tës ka vdekur me vendim të Kushtetueses, të cilin Kurti duhet ta përdorë si argument për të mos e pranuar. Duhet bërë një alternativë tjetër, tërësisht brenda normave kushtetuese të vendit, pa i mundësuar Beogradit të ketë qasje”, nënvizon ai.  

Kelmendi: Kosova është “dele në pazar”  

Image
Muhamet Kelmendi

Juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim për “Bota sot”, shprehet se qytetarët ende nuk e dinë se çka përmban plani franko-gjerman, duke shtuar se ai plan nuk e parasheh formimin e asociacionit.  

“Opinioni publik ende nuk e dinë planin franko-gjerman se çka përmban. Qëndrimi i  Kosovës është bërë si bazë e diskutimit, duke kërkuar që njohja reciproke të jetë në qendër. Pas presionit të 5-së nga UE dhe nga SHBA edhe krimineli Vuçiq e ka pranuar në opsion të arritjes së marrëveshjes sipas planit franko-gjerman. Kjo deklaratë është opsionale, që nënkupton edhe të kundërtën, mos aprovimin e planit franko-gjerman, në bazë të dialogimit.  

Duhet thënë gjithashtu se plani franko-gjerman nuk e parasheh njohjen reciproke. Në plan, aq sa kemi mundur të kuptojnë, del vetëm pranimi i gjendjes faktike. Megjithatë, plani franko-gjerman nuk parasheh asociacionin. Këtij plani ia ka futur asociacioni si aneksë Uashingtoni. Nuk dihet pse!”, shprehet juristi.  

Tutje, Kelmendi deklaron se një asociacion parashihet të ketë një kryetar dhe një këshill me përfaqësues të komunave do me thënë me kompetenca që i ka komuna, e që e bënë Republikën jo funksionale.  

Asociacioni me a pa kompetenca ekzekutive, vetëm me kompetencat e komunave, që janë jashtëzakonisht të gjera, kur bashkohen nënkupton një subjekt të ri juridiko-politik brenda Republikës.  

Asociacioni parashihet të ketë një kryetar dhe një këshill me përfaqësues të komunave. Parashihen tërë kompetencat t’i ketë që i ka komuna.  

Kjo e bënë Republikën jo funksionale, pavarësisht se organizohet mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës. Kjo, për faktin, se kur bashkohen në një qendër kompetencat e komunave, si në asociacion, ndërtohet de-jure një subjekt i ri me autonomi në fushën e arsimit, të kulturës, të administratës, të pronës, të ekonomisë, të planifikimit territorial etj. Një asociacion pa këto kompetenca është ligjor.  

Ndërsa, me këto kompetenca, as autonomia politiko-territoriale nuk ka më shumë kompetenca se këto që bashkohen në asociacion. Këtej del se pse kemi një pranim opsional të shtetit serb për planin franko-gjerman. Asociacioni ia hapi rrugën Beogradit për të shkuar në dialogim mbi bazën obsesionale, pa njohje reciproke dhe me asociacionin serb në Kosovë. Këtu ka humbur Kosova shumë nga parimi i shtetit të mbështetur në sovranitet e në integritet territorial. As në raport me jashtë nuk kemi më reciprocitet”, përmbylli Kelmendi. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat