Escobar mos ta lejojë krijimin e “Serbisë së vogël“ brenda Kosovës

Politika

Escobar mos ta lejojë krijimin e “Serbisë së vogël“ brenda Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 janar 2023 Në ora: 15:58
Gabriel Escobar

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kategorikisht kundër formimit të asociacionit siç e quan ai me kompetenca ekzekutive.

Por, kundër qëndrimit të tij ka dalur sërish i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili ka thënë se formimi i asociacionit do të ndodhë dhe se Kosova duhet të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse janë marrëveshje të bëra nga institucionet e Kosovës.

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, kishte deklaruar ai gjatë një interviste.

Në javën që shkoi ishin për të biseduar me kryeministrin Kurti një delegacion i nivelit të lartë perëndimor, i kryesuar nga ndërmjetësi i BE-së, Mirosllav Lajçak, emisari amerikan Eskobar, dhe këshilltarët special të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Ndërmjetësi Lajçak, edhe në Prishtinë, por veçmas në Beograd është përpjekur ta fajësojë kryeministrin e Kosovës për pengim në procesin e arritjes së marrëveshjes, ndërsa duke shprehur mirëkuptim për Vuçiqin prorus, dhe duke anashkaluar pranimet e tij me kusht, që pjesë të propozimit të pranoheshin nga qeveria dhe Kuvendi i Serbisë.

Disa opinionistë mbështesin idenë se përpjekjet që të bëhet një asociacion me kompetenca ekzekutive, lë vend për të pasur konflikt dhe madje luftë më vonë.

Mehmeti: Asociacioni i 2013-ës ka vdekur me vendim të kushtetueses, e Kurti duhet ta përdor si argument për mos ta pranuar

Image
Faton Mehmeti

 

Analisti Faton Mhemeti në një përgjigje për “Bota sot” thotë se asociacioni nuk mund të bëhet pa miratimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, asociacioni i vitit 2013 nuk duhet të formohet, ndryshe çdo formim i asociacionit mund të jetë bombë me sahat për të ardhmen.

“Asociacioni s’mund të bëhet pa miratimin e qeverisë, pa një marrëveshje me të. Andaj, deklaratat e Escobarit më tepër janë kërcënim, shantazh përmes blofit, gjë që nuk besoj se "shitet" te Albin Kurti. Asociacioni nuk duhet të jetë ai i vitit 2013, por vetëm me parametër të një OJQ-je, ndryshe do të jetë bombë me sahat për të ardhmen. Escobar duhet të jetë i vetëdijshëm, mos të lejoj të krijohet "Serbia e vogël" brenda Kosovës, në të kundërtën lufta do të jetë e pashmangshme në të ardhmen”, thotë ai.

Sipas tij, kushtetuesja e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, andaj duhet gjetur një mënyrë tjetër dhe të jetë brenda normave kushtetuese të vendit.

“Asociacioni i 2013-ës ka vdekur me vendim të Kushtetueses, të cilin Kurti duhet ta përdor si argument për mos ta pranuar. Duhet bërë një alternativë tjetër, tërësisht brenda normave kushtetuese të vendit, pa i mundësuar Beogradit të ketë qasje”, nënvizon ai.

Ndërkohë janë shfaqur ide apo modele, të cilat mund të rrezikojnë të ardhmen e shtetit të Kosovës, si statusi i gjermaneve në “Belgjikën Lindore”, apo i atyre në Tirolin jugor të Italisë.

Modelet e reja duken madje edhe më kërcënuese se vet nenet antikushtetuese të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, të kualifikuara si të atilla nga vetë Gjykata jonë Kushtetuese.

Kelmendi: Një status autonom “i pashpallur”

Image
Muhamet Kelmendi

 

Për juristin Muhamet Kelmendi është e papranueshme, që qytetarët ende nuk e dinë se çka përmban plani franko-gjerman, dhe se ai plan nuk e parasheh formimin e asociacionit.

“Opinioni publik ende nuk e dinë planin franko-gjerman se çka përmban. Qëndrimi i Kosovës është bërë si bazë e diskutimit, duke kërkuar që njohja reciproke të jetë në qendër. Pas presionit të 5-së nga UE dhe nga SHBA edhe krimineli Vuçiq e ka pranuar si opsion për arritjen e marrëveshjes sipas planit franko-gjerman. Kjo deklaratë është opsionale, që nënkupton edhe të kundërtën, mos aprovimin e planit franko-gjerman, në bazë të dialogimit”, thotë Kelmendi në një bashkëbisedim për “Bota sot”,.

Po ashtu ai e evidenton se plani franko-gjerman nuk e parasheh njohjen reciproke. Në plan, aq sa kemi mundur të kuptojmë del vetëm pranimi i gjendjes faktike. “Megjithatë, plani franko-gjerman nuk e parasheh asociacionin. Nuk dihet pse!”, shprehet juristi.

Sipas një mediumi serb, plani franko gjerman ka 10 nene aktualisht, dhe se bën thirrje për paqe, mospengim të proceseve integruese të asnjërit shtet, por habit fakti, se në nenin 2 u bëhet thirrje palëve për respektim “të autonomisë...” “Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mos diskriminim” thuhet në Neni 2.

Prandaj, Kelmendi frikësohet se disa kompetenca të asociacionit, siç parashihet të ketë, një kryetar dhe një këshill me përfaqësues të komunave, i jep ngjashmëri asaj që nënkupton një status autonom, dhe që republikën e Kosovës do ta bënte jofunksionale.

“Asociacioni me a pa kompetenca ekzekutive, vetëm me kompetencat e komunave, që janë jashtëzakonisht të gjera, kur bashkohen nënkuptojnë një subjekt të ri juridiko-politik brenda Republikës.

Asociacioni parashihet të ketë një kryetar dhe një këshill me përfaqësues të komunave. Parashihen tërë kompetencat t’i ketë që i ka komuna.

Kjo e bënë Republikën jo funksionale, pavarësisht se organizohet mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës. Kjo, për faktin, se kur bashkohen në një qendër kompetencat e komunave, si në asociacion, ndërtohet de-jure një subjekt i ri me autonomi në fushën e arsimit, të kulturës, të administratës, të pronës, të ekonomisë, të planifikimit territorial etj. Një asociacion pa këto kompetenca është ligjor”, thotë Kelmendi.

Juristi dhe politikani me përvojë Kelmendi, vlerëson se me ato kompetenca, “as autonomia politiko-territoriale nuk ka më shumë fuqi politike, se nga bashkimi në asociacion”.

Këtej del se pse kemi një pranim opsional të shtetit serb për planin franko-gjerman. Asociacioni ia hapi rrugën Beogradit për të shkuar në dialogim mbi bazën opsesionale, pa njohje reciproke dhe me asociacionin serb në Kosovë. Këtu ka humbur Kosova shumë nga parimi i shtetit të mbështetur në sovranitet e në integritetit territorial. As në raport me jashtë nuk kemi më reciprocitet”, përmbylli Kelmendi.

Takimi i radhës ende nuk është caktuar për dialogun, por anëtarët e delegacionit kanë premtuar se së shpejti do të ketë takime të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat