Hakmarrje apo fshehje e krimeve të tjera, pse u vra Nusret Cena? Paralajmëron ish-agjenti: Vrasjet do të shpeshtohen

Politika

Hakmarrje apo fshehje e krimeve të tjera, pse u vra Nusret Cena? Paralajmëron ish-agjenti: Vrasjet do të shpeshtohen

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 janar 2023 Në ora: 20:31
Ish-ushtarit të UÇK-së, Nusret Cena i vrarë më 24 janar

Vrasja e ish-ushtarit të UÇK-së, Nusret Cena, mund të jetë për shkak të hakmarrjeve familjare apo klanesh, por është mundësia të jetë vrarë edhe nga urdhëruesit e vetë atij, thonë analistët politikë.

Sipas tyre, kjo nuk mund të jetë një vrasje politike apo ideologjike dhe vrasjet e tilla parashihen të ndodhin në vazhdimësi.

Nusret Cena, ish-veteran Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në moshën 48 vjeç, është vrarë të hënën në një atentat në Kaçanik.

Hetuesit e Policisë së Kosovës kanë zbuluar se Cena është ekzekutuar me breshëri plumbash nga një distancë e afërt, derisa po voziste me veturë në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, në vendin e njohur si Kaçaniku i Vjetër.

“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shtënë breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, tha Policia e Kosovës në një komunikatë për media të martën.

Jo larg vendit të ngjarjes, në fshatin Soponicë të Kaçanikut, policia ka njoftuar se është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka.

S’ka të bëjë me vrasje ideologjike

Nusret Cena nuk është i panjohur për publikun, ai ka qenë ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brigada 162 “Agim Ramadani” në Zonën Operative të Nerodimës dhe pas luftës emri i tij ishte përmendur për afërsinë me politikën, konkretisht me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se vrasja e Cenës ka të bëjë më shumë me hakmarrje familjarësh apo klanesh, grupesh kriminelësh të Kaçanikut sesa vrasje politike e ideologjike.

Image
Sulejman Mehazi

 

Sipas tij, Cena e ka shfrytëzuar PDK-në si mbrojtëse për të bërë disa vrasje e krime të njohura në Kosovë.

“Historia njerëzore tregon se vrasjet, atentatet, kidnapimet çdoherë e përherë bëhen për qëllime të pista të: hakmarrjeve, interesave klanore-politike, zhvatjeve gjyqësore, shtetërore ekonomike, korruptive, zënkave familjare, shoqërore, bizneseve e tregtive të pista mallrash: të drogave, armëve, kamatave etj. Edhe atentati i vrasjes së veteranit të UÇK-së të Brigadës 162 "Agim Ramadani", Nusret Cenës, në Kaçanik ka të bëjë më shumë me hakmarrje familjarësh apo klanesh, grupe kriminelësh të Kaçanikut sesa vrasje politike e ideologjike. Ish-ushtarit të UÇK-së, Nysret Cena, edhe pse ka qenë i PDK-së, megjithatë këtë parti e ka konsideruar si mbrojtëse për të bërë disa vrasje e krime të njohura në Kosovë”, pohon Mehazi.

Nusret Cena njihej edhe si i implikuar në rastin e vrasjes së trefishtë që tronditi Kaçanikun rreth 16 vjet më parë, në vitin 2007.

Cena dyshohej se kishte gisht në shpërthimin që ndodhi në kafenenë “Sekiraqa”, me 27 shtator të 2007-ës. Por, me të nisur procesi gjyqësor Nusret Cena ishte liruar nga akuzat.

Sipas Mehazit, veprime vrastare e kriminele të Nysret Cenës argumentojnë se atentati i vrasjes së tij është bërë me qëllime hakmarrëse familjarësh e klanesh të qytetit të Kaçanikut e kurrsesi vrasje politike.

“Rrjedhshmëria e proceseve gjyqësore tregon se i vrari, Nysret Cena, nga Kaçaniku edhe vetë ka qenë i akuzuar për pjesëmarrjen e disa vrasjeve në Kosovë. Se në lokalin "Sekiraqa" më 2007, Nysret Cena, ka marrë pjesë në vrasjen e dy personave dhe të njëmbëdhjetë të plagosurve, dhe se ka shpëtuar nga burgu duke paguar gjykatësin me 300 mijë euro. Vrasjet dhe plagosjet në lokalin "Sekiraqa" besojmë se nuk kanë të bëjnë me vrasje partiake politike, por me grupe klanesh të rrezikshme korruptive. Pastaj emri i Nysret Cenës, përmendet për të keq edhe me vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik më 2019. Të gjitha këto veprime vrastare e kriminele të Nysret Cenës argumentojnë se atentati i vrasjes së tij është bërë me qëllime hakmarrëse familjarësh e klanesh të qytetit të Kaçanikut e kurrsesi vrasje politike. Lloji i vrasjeve, ke vrarë të vrasin është lloji i vrasjeve hakmarrëse”, thekson Mehazi.

Deri më tani nuk është identifikuar asnjë i dyshuar për vrasjen e tij. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë të mërkurën se hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive.

Kryeprokurori Shukri Jashari zbuloi se tabelat e veturës Mercedes, e cila u gjet e djegur pasi u vra Nysret Cena, janë identifikuar se i takojnë një veture të tipit Passat. Kryeprokurori tha se dihet kujt i takojnë ato tabela dhe sot pritet të gjendet personi dhe të pyetet se si i kanë humbur tabelat dhe a kanë qenë të lajmëruara në polici.

Ai tha se për këtë vrasje disa hetues janë angazhuar për të kryer hetime edhe në Prishtinë.

“Lidhur me rastin në fjalë kemi autorizuar policinë, hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive. Disa hetues janë angazhuar kah Prishtina disa kah regjioni ynë. Janë vetëm tabelat e veturës që kanë qenë të vendosura në veturën e djegur Mercedes i takojnë një veture Passat, është identifikuar kujt i takojnë. Policia do ta gjejë personin me ditë qysh i kanë humb tabelat, a kanë qenë të lajmëruara në polici”, tha Jashari.

Pjesë e vrasjeve seriale

Ndërsa, ish agjent i ShIK-ut dhe tashmë analist politik, Naim Miftari, thotë se vrasjet do të shpeshtohen.

Image
Naim Miftari

 

Sipas tij, edhe nëse dikush nuk është hakmarrë ndaj Cenës, vetë urdhëruesit e tij e kanë vrarë.

“Këto vrasje do të shpeshtohen është koha kur mbyllet goja me një vrasje që hetimet i vazhdojnë edhe 50 vjet... domethënë nuk zbardhen kurrë. Ky ish-veteran i luftës nuk ishte sekret, ishte ‘Hitmen’ i nëntokës, i SHIK- ut dhe i disa komandantëve të PDK- ës, i implikum sipas hetimeve edhe zyrtare në disa dhjetëra vrasje të tjera, normalisht edhe nëse nuk i është hakmarrë dikush, vetë urdhëruesit e tij e vrasin, pasi paraqet rrezik potencial që në të ardhmen, sidomos tani dhe pas ndonjë VETINGU në drejtësi të Kosovës të jetë dëshmitar i rrezikshëm kundër bosëve të tij”, deklaron Miftari.

Ai parashikon vrasje edhe në rajonin e Mitrovicës.

“Këto vrasje jenë bërë rregullisht si në rajonin e Drenicës, Dukagjinit, Llapit, e tani edhe në atë të Kaçanikut e Ferizajit. Pritet të ndodhin edhe në rajonin Mitrovicës, së shpejti, sidomos ylli i vrasjeve në atë rajon e gjetiu do të jetë në shënjestër. Nuk ju duhen më bosëve të tyre, sidomos tani kur disa bosa janë në burgun e Hagës!”, përfundon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat