Paralajmërimi i Lajçakut dhe formimi i Asociacionit – Cili është hapi i Albin Kurtit pas këmbëngulësisë së tij?

Politika

Paralajmërimi i Lajçakut dhe formimi i Asociacionit – Cili është hapi i Albin Kurtit pas këmbëngulësisë së tij?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 26 janar 2023 Në ora: 22:14
Albin Kurti, Miroslav Lajçak

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, mbrëmë është takuar me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Lajçak ka thënë se në takimin me Kryeministrin Kurti janë pajtuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Një nga këto marrëveshje është edhe formimi i Asociacionit.

“U ktheva në Kosovë për diskutimet e sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi për hapat e mëtutjeshëm drejt normalizimit të raporteve me Serbinë. Po ashtu, u pajtuam që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në Dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajcak.

Ndërsa, sot gjatë ditës, Lajçak ka dhënë edhe një paralajmërim të fortë në drejtim të dyja palëve të përfshira në dialog.

Ai ka thënë se në rast se njëra palë tërhiqet nga marrëveshja në këtë fazë atëherë kjo do të nënkuptonte zvogëlim të mbështetjes ndërkombëtare.

Gjatë ditës për takimin me Lajçakun është deklaruar edhe kryeminitri Kurti.

Kurti ka thënë se ka përmirësim të atmosferës për Kosovën në raport me njohjet por nuk ka hapa konkret.

Sipas tij, as Kushtetuta e Kosovës e as pavarësia e saj nuk mund të durojnë më që të ketë një Asociacion një etnik.

“Kushtetuta jonë nuk e duron një asociacion një etnik. Unë jam për respektimin e të drejtave të komunitetit serb por nuk mund të ketë një asociacion një etnik. Kushdo që insiston që të ketë një asociacion të tillë dëshiron që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, por unë them se Kushtetua e Serbisë duhet të ndryshohet ku aty thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë”, tha Kurti.

Për formimin e Asociacionit ka folur juristi dhe analisti politik Blerim Burjani.

Ai thotë se, gjendja politike dhe emocionale e Kurtit është konfuze.

“Kurti po përballet me problemin që është i komplikuar ideologjikisht dhe kushtetues. Përgjegjësia që rëndon mbi të është e madhe”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, Kurti duhet të zgjedh dëmin më të vogël.

“Një asociacion jo etnik, nëse ka këtë emër, atëherë herët a vonë Kosova mundet të ndahet, pasi që është e kuptueshme që Serbia e do këtë situatatë, njëherë do asociacion pastaj ndarjen, ose së paku gjithmonë konflikte me Serbinë”, thotë Burjani.

Ai tutje shprehet se Serbia duhet të nënshkruaj në këtë dokument se nuk ka interesa kundër territorit të Kosovës.

“Kurti mund të themelojë vetëm asociacionin jo etnik, modeli tjetër atë e çon në dorëheqje dhe kjo është e logjikshme. Zgjedh e merr ai e ka situatës, ose le të vendos vet. Edhe ashtu me askënd nuk u merr vesh, prandaj në këtë situatë vetën e ka lën të vetmuar”, shprehet ai.

“Tutje, duhet të gjendet emërtimi i cili nuk e prek etninë, sepse Kosova është shtet shumë etnik dhe në momentin kur thuhet se Kosova mund të ketë edhe asociacione etnike, atëherë e hap rrugën e shumë asociacioneve të tjera etnike. Nuk është një problem që ne të merremi me serbët si pakicë, por problemi më pas është edhe tek pakicat e tjera, sepse kjo e hap rrugën, apo derën për të gjitha pakicat që të kërkojnë një asociacion të mundshëm etnik”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat