Rama “i mirë” me shokë të inkriminuar, rastësi apo mënyrë qeverisjeje?!

Politika

Rama “i mirë” me shokë të inkriminuar, rastësi apo mënyrë qeverisjeje?!

Armira Shaqiri  Nga Armira Shaqiri Më 27 janar 2023 Në ora: 08:08
Edi Rama

Ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal janë ngritur akuzat se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve dhe zyrtarë të shteteve të tjera.  

Kurse, në këtë skandal aludohet të jetë i përfshirë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.  

Sipas aktakuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani, Agron Neza.  

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mohuar kategorikisht një lidhje me përfshirjen e tij në këtë skandal.  

Në aktpadinë konkluzive nuk ka absolutisht asnjë gjë që të lidhet me mua dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përveç faktit që jemi takuar këtu e atje. Drejtësia amerikane ka hetuar plotësisht dhe ka ngritur akuzë ndaj personit, për konflikt interesi për një borxh të marrë nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në New York”.  

Ndërsa, për Agron Nezën, i përfshirë në skandal tha se “nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish zyrtarit të lartë të FBI-së”.  

Me këtë skandal, a duhet që Rama të shpallet non grata nga Amerika?  

Zaimi: Shoqëria e Ramës me njerëz të korruptuar apo të kriminalizuar nuk është rastësi, por mënyrë qeverisjeje  

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria, Arbër Zaimi, për gazetën “Bota sot” ka thënë se kjo është shqetësuese dhe dëmton imazhin e Shqipërisë, që emri i kryeministrit Edi Rama të lakohet me një figurë të FBI-së që po hetohet për korrupsion nga oligarkët rusë.  

Image
Arbër Zaimi

Është shqetësuese që në agjencitë më serioze të shtypit ndërkombëtar lakohet emri i kryeministrit të Shqipërisë në lidhje me një figurë të FBI-së që po hetohet për korrupsion nga oligarkët rusë.  

Kjo gjë dëmton jo vetëm imazhin e Shqipërisë në sensin simbolik apo abstrakt, por dëmton edhe mirëqenien e vetë shqiptarëve. Në vende të ndryshme evropiane ka vite që po rritet një bindje e gabuar, kinse shqiptarët janë popull problematik, i paqytetëruar dhe me prirje kriminale. Këto bindje ushqehen nga racistët dhe ksenofobët, por kohët e fundit i kemi parë edhe nga zyrtarët, si në rastin e ministrave anglezë. E tash, në vend se shteti shqiptar dhe zyrtarët tanë të angazhohen për kundërshtimin e këtyre bindjeve të gabuara dhe diskriminuese, del lajmi se kryeministri i Shqipërisë ka mbajtur shoqëri me zyrtarë të lartë amerikanë të korruptuar nga rusët. Kjo shoqëri e keqe, vetëm sa i përforcon bindjet antishqiptare, të cilat ne duhet t’i rrëzojmë me shembuj të mirë”, shprehet ai.  

Më tutje, ai shton se shoqëria e Ramës me njerëz të korruptuar apo të kriminalizuar nuk është rastësi, por është mënyrë qeverisjeje.  

“Është fatkeqësi që, pikërisht në kohën kur Amerika po investon maksimalisht për forcimin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit në Shqipëri, kryeministri i Shqipërisë shkon e bën miq të korruptuarit në Amerikë.  

Dikush mund të thotë “kjo është rastësi, Rama s’e ka ditur me kë po shoqërohet”, por duke parë se sa shumë shokë të Ramës janë dënuar ose presin dënimin, nga ministrat e tij Tahiri e Koka, e deri te kryebashkiakët si puna e Gjushit etj., atëherë patjetër mund të thuhet se shoqëria e Ramës me njerëz të korruptuar apo të kriminalizuar nuk është rastësi, por mënyrë qeverisjeje. Kjo duhet dënuar, pasi këta njerëz janë arsyeja e vërtetë pse shqiptarët emigrojnë, arsyeja e mos-zhvillimit dhe e dëshpërimit të Shqipërisë”, përmbylli Zaimi.  

Bytyçi: Ka qenë shumë e qartë se Edi Rama ka lidhje të forta me Rusinë  

Lidhur me këtë çështje, profesori Enver Bytyçi ka shpjeguar rrjedhën e këtij skandali, duke thënë se në vitin 2017 ishte vit i kanabizimit në Shqipëri, e një gjë e tillë u tolerua nga ndërkombëtare e po ashtu nga shqiptarët opozitarë, duke shtuar se asokohe “Mos flisni për këtë fenomen”, u thoshin ambasadorët e huaj opozitarëve shqiptarë!  

Image
Enver Bytyçi

Profesori këtë skandal e krahason edhe me situatën në veri të Kosovës, për të cilën thotë se bandat kriminale veprojnë me lejen dhe kujdestarinë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, derisa në Shqipëri këto banda veprojnë në të gjitha skutat me lejen e Edi Ramës.   

Skandali më i ri i publikuar me arrestimin e një zyrtari të lartë të FBI-së, McGonigal, në të cilin përfshihet dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është i fundmi në radhën e dhjetëra skandaleve. Në Shqipëri jehona e skandalit më të madh zgjat tri ditë. Sepse ky vend jeton në moçalin e skandaleve të qeverisjes së Edi Ramës. Por le të kthehemi te ky arrestim.  

Mediet amerikane dje kanë njoftuar gjerësisht rreth këtij skandali. Përfshirja e një zyrtari të lartë të FBI-së në Nju Jork në afera të shumta, kryesisht me rusë dhe afishimi i emrit të kryeministrit të Shqipërisë në këto afera nuk është rastësi. Viti 2017 ishte viti i kanabizimit masiv të vendit tonë. Ai vit mbahet mend si viti i trukimeve dhe mashtrimeve elektorale dhe pazareve të ndyra të ndikuara nga mafia e drogës brenda e jashtë vendit. Me vitin 2017 lidhen plot ngjarje dhe afera të qeverisë shqiptare. Sepse u krijua infrastruktura dhe baza ekonomike, financiare e sociale për të patur afera të tilla.  Kanabizimi i të gjithë Shqipërisë, pra mbjellja e kanabisit në vend të bimëve bujqësore dhe përhapja e tij, u bë nën kujdesin dhe kujdestarinë e qeverisë dhe policisë shqiptare. Këtë fakt e njohin shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Por kjo avernturë e organizimit dhe gjizjes së mafies me shtetin u tolerua nga ndërkombëtarët e po ashtu nga shqiptarët opozitarë. “Mos flisni për këtë fenomen”, u thoshin ambasadorët e huaj opozitarëve shqiptarë! Kjo situatë nuk kishte si të mos sillte situatën, të cilën e shohim nga aktet anti-ligjore të McGonigal.   

Çdo ndërkombëtar joshej asokohe dhe joshet edhe sot nga paratë e drogës që posedonte dhe posedon kryeministri i Shqipërisë, ministrat e tij dhe bashkëpunëtorët e organizuar me leje shtetërore në bandat mafioze e kriminale. Shikoni si funksionon: Në veri të Kosovës bandat kriminale veprojnë me lejen dhe kujdestarinë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Në Shqipëri këto banda veprojnë në të gjitha skutat me lejen e Edi Ramës. Veçse ata në veri të Kosovës kryejnë dhe akte dhune në emër të nacionalizmit serb. Këta në Shqipëri kanë marrë fuqi dhe janë bashkuar me bandat mafioze serbe për llogari të këtyre të fundit”, shpjegon profesori.  

Më tej, ai shton se në këtë aferë ka qenë shumë e qartë se Edi Rama ka lidhje të forta me Rusinë dhe ka siguruar mbështetje financiare nga manjatët rusë të lidhur me Vladimir Putin  

“Oficeri i lartë i FBI-së amerikane akuzohet për qindra mijë dollar amerikanë, të cilat ai i ka marrë nga njerëzit e kryeministrit të Shqipërisë. Në akuzë thuhet gjithashtu se ky zyrtar i lartë amerikan ka ndikuar te kreu i ekzekutivit shqiptar për të favorizuar kompani ruse në Shqipëri. Në fakt është folur shumë për atë që kompani ruse dhe serbë të lidhura me rusët operojnë lehtësisht në tregun shqiptar, sepse ato kanë support qeveritar. Por kjo aferë e bën publike akuzën e lëshuar pak a shumë pa informacion të detajuar.  Për mua ka qenë shumë e qartë se Edi Rama ka lidhje të forta me Rusinë dhe ka siguruar mbështetje financiare nga manjatët rusë të lidhur me Vladimir Putin. Afrimiteti i tij me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov, lidhja shumë, shumë e ngushtë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe lidhje të tjera, kanë çuar doemos në favour financiare përmes lëshimeve reciproke ekonomike e financiare. Ndërkaq këtë mendim ma ka përforcuar përpjekja e jashtëzakonshme e Edi Ramës për t’ia faturuar opozitës lidhjet me rublat ruse! Ishte kjo përpjekje e tij një mjet mbrojtjeje për lidhjet e tij me rublat dhe segmentet e Rusisë. Askush nga e djathta nuk e ka pasur babanë, dajën e të tjerë njerëz në farefis të lidhur me Rusinë, siç i kishte Edi Rama. Dhe për shërbimet sekrete është i njohur parimi i besnikërisë bazuar në trashëgimi. Prej spiunit serb e rus duhet të presësh pinjollë spiunësh të tillë brez pas brezi”, deklaron Bytyçi.  

Ai shton se Rma është munduar t’i mbajë fshehtë lidhjet e tij me Rusinë, duke e lidhur këtë edhe me rrjedhën e ngjarjeve në vitin 2022.  

Profesori, deklaron se ajo që u zbulua në SHBA me zyrtarin e lartë të FBI-së, është vetëm një episod i aktivitetit pro-rus dhe pro-serb të kryeministrit të Shqipërisë.  

Ajo që mund të thuhet ka të bëjë me faktin se Edi Rama lidhjet me Rusinë është përpjekur t’i mbajë të fshehta, ndërsa ato me Serbinë i ka shpërfaqur hapur. Megjithatë, fakti që në vitin 2022 lejoi anijet ruse në port e madje trafikun ilegal të mallrave ruse, së bashku me Abazoviç në Mal të Zi! Fakti që Rama nuk pranoi të heqë vizat turistike për qytetarët rusë! Si dhe fakte të tjera na bëjnë me dije se lidhjet e Ramës me Rusinë vazhdojnë të jenë të qëndrueshme. Kësaj kauze i shërbëjnë në të vërtetë edhe akuzat e njëpasnjëshmë kundër Bashkimit Evropian. Duket se kryeministri i Shqipërisë është i pasionuar pas përçarjeve brenda evropiane, madje më shumë sesa Vladimir Putin dhe të tjerë liderë perendimore e lindore.   

Unë jam i sigurt se edhe kur luan rolin e politikanit anti-rus, e bën këtë me regji dhe skenar të maskimit! Sepse Rusia thuajse asnjëherë nuk ka rreaguar kundër qëndrimeve të tij. Dhe ndërkaq politikanët serbë i kanë rekomanduar Kremlinit që të mbajë lidhje të ngushta me Edi Ramën, për ta mbajtuar atë gjithnjë në lidhje të ngushtë me Beogradin.   

Ajo që u zbulua në SHBA me zyrtarin e lartë të FBI-së, është vetëm një episod i aktivitetit pro-rus dhe pro-serb të kryeministrit të Shqipërisë. Nëse një ditë do të hapen arkivat dhe do të publikohen dokumentet e këtyre dhjetë viteve të lidhjeve Rama-Vuqiç, publiku do të tmerrohet nga ato që do të shohë, do të dëgjojë e do të mësojë!”, përfundon profesori për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat