“Plani shkatërrues i Beogradit”, mësohen prapaskenat për ndarjen e Kosovës – vjen thirrja urgjente për qeverinë Kurti

Politika

“Plani shkatërrues i Beogradit”, mësohen prapaskenat për ndarjen e Kosovës – vjen thirrja urgjente për qeverinë Kurti

Nga: A.Morina Më: 27 janar 2023 Në ora: 22:09
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, foto ilustrim nga "Bota sot"

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një nga temat kryesore që po diskutohet kohëve të fundit.

Bashkësia ndërkombëtare po bënë presion të vazhdueshëm ndaj kryeministrit Kurti për ta pranuar formimin e tij.

Mirëpo, Kurti ka qenë i prerë se nuk mbështet formimin e një Asociacioni që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” komentoi trysnin që ndërkombëtarët po ia bëjnë kryeministrit Kurti për formimin e Asociacionit.

Fillimisht, ai këtë e cilësoi si një presion të pa matur, e që si shkak i kësaj aventure politike planifikohet ndarja territoriale e veriut të Kosovës.

“Kosova dhe qeveria Kurti, gjindet para një presioni të pa matur nga bashkësia ndërkombëtare, që për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë, duhet të pajtohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një asociacion, i cili do ti bashkojë këto komuna: Mitrovicën veriore, Kllokoti, Parteshi, Ranilluga, Graqanica, Zveqani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shterpca.

Ky plan i Serbisë për veriun e Kosovës, si edhe disa dukuri të tjera të këtij lloji, e obligon popullatën shqiptare që të mos pajtohet, sepse në bazë të kësaj aventure politike vjen deri te ndarja territoriale e këtij vendi, që do të thotë, konfliktet ndëretnike në këtë vend nuk do të përfundojnë asnjëherë, por ato do të mbeten çështje të pa zgjidhura, që qojnë në nxitje të konflikteve të përhershme”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Krahas kësaj, Preqi e cilësoi si të papranueshëm formimin e Asociacionit, pasi sipas tij, po veprohet me dredhi e mjeshtëri për t’i bashkuar të gjitha komunat serbe.

Ai konsideron se komunat servo po tentojnë të veprojnë jo me Kushtetutën e Kosovës, por përmes diktatit të Serbisë.

“Kjo që komentohet nuk është një mendim, apo meditim i vetëm i një opinioni, por konsideroj se reagimet janë të shumta dhe të masës së gjerë nga popullata shqiptare, se formimi i Asociacioneve të Komunave serbe në veriun e Kosovës, është i papranueshëm, për faktin se një model i tillë e merr vet pushtetin në dorë, përmes të cilit do t’i vë masat e veta në mënyrë të pavarur nga Prishtina dhe qeveria e Kosovës.

Apo, pse një model i tillë i Asociacioneve të komunave nuk ekzekutohet edhe në Luginën e Preshevës, të Bujanovcit dhe Medvegjës, që përmes një modeli të tillë, do ta kishte më lehtë Beogradi, që ta zbatojë edhe në Kosovë ?...

Nuk ka se si të kuptohet ndryshe, formimi i Komunave, po vepron me dredhi e mjeshtëri për t’i bashkuar të gjitha komunat serbe me kompetenca të veçanta, të cilat do të funksionojnë dhe veprojnë në mënyrë të pavarur dhe jo me Kushtetutën e Kosovës, por përmes diktatit të Serbisë”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, opinionisti u shpreh se serbët në Kosovë kanë të drejta të mjaftueshme të cilat iu sigurohen edhe me Kushtetutë, madje tha se të drejtat që ata gëzojnë nuk përputhen me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Poashtu, mendohet se do të ishte pakëz më ndryshe dhe do ta kishin ndërgjegjen e tyre, sikur serbët e veriut të Kosovës, nuk do ta kishin kundërshtuar deri më tani Kushtetutën dhe ligjet e vendit, njëherazi nuk do t’i barrikadonin rrugët dhe Urën mbi lumin Ibër, është fjala për një receptë të thjeshtë dhe produktive, të cilin e shndërrojnë në një objekt të pa shpirtë, të pa përshtashëm dhe të dhunshëm.

Dëshmitë e tilla nga pala serbe nuk janë bindëse dhe se është vështirë të besohet se ato mund të sjellin ndryshime të reja dhe kjo do të besohej sikur ky popull do të përpiqet të gjejë një bashkëpunim të mirëfilltë me popullin shqiptarë, të cilët janë shumicë në këtë vend, por ndodh e kundërta, me ç’rast në veriun e Kosovës po dikton pakica serbe.

Natyrisht se kanë të drejtë secili popull të kërkojë të drejtat e veta, dhe në Kosovë, qëndron realiteti i njëjtë për të gjitha pakicat si dhe në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, dhe duhet thënë troq, se të drejtat që i ka minoriteti serb në Kosovë, fare pak përputhen me të drejtat që i gëzojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës”, shpjegoi Preqi.

Gjithashtu, ai beson se plani i Asociacionit është hartuar nga Akademia e Shkencave të Beogradit, ku për qëillim ka degradimin e institucioneve të Kosovës.

“Në marrëveshjen e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Brukselit, dhe SHBA-ve, ndër të tjera, po përkrahet marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013, dhe 2015, për Asosacionin e komunave serbe, të cilat në përbërjen e tyre prej dhjetë komunave përfshijnë afër 30% të territorit të Kosovës.

Ata që e mbështesin këtë qasje dhe shohin mundësi të pakufizuara ndikimi në drejtim të demokratizimit dhe hapjes së shoqërisë kosovare, nuk mund të thuhet se ky bashkëpunim mbetet pa kurrëfarë jehone të një plani të diferencuar, i cili është hartuar siapas Akademisë dhe Shkencave të Beogradit, për t’i degraduar institucionet e Kosovës, në këtë formë shkatërruese”, theksoi opinionisti.

Më tej, Preqi kritikoi partitë opozitare, të cilat nuk po e kundërshtojnë këtë asociacion apo vendimin për ‘bosnjizimin’ e Kosovës.

“Heshtja e opozitës në një situatë të tillë është e rëndë, e cila nuk mund të mos shpërthejë, prandaj interesat mbrojtëse të shtetit tonë duken dëshpëruese, për faktin se duhet të jenë të qëndrueshme dhe në kundërshtim me këto vendime, gjegjësisht kundër këtij „bosnjizimi“, apo një „autonomie“ të vogël në Kosovë.

Në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës, në krye me z.Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti, nuk munden t’i mbyllin sytë para këtij problemi madhor të shtetit, në esencë si të gjunëzohen para një kauze të tillë, që bie në konflikt dhe kundërshtim me interesat qytetare dhe teritoriale të Kosovës”, potencoi ai.

Në fund, opinionisti tha se përmes formimit të Asociacionit po tentohet ndarja e Kosovës dhe shkatërrimi ekonomik i vendit.

“Faktet janë të qarta, me formimin e Komunave serbe në veriun e Mitrovicës, në rend të parë qëllimi është që të thyhet kurrizi i shtetit të Kosovës, dhe pastaj mund të bëhet shumë lehtë edhe ndarja territoriale e saj, sepse modelet e tilla e kanë arritë qëllimin e tyre, përmes të cilave vijnë edhe të tjerat mbrapa, sikur që është shkatërrimi ekonomik i Kosovës, sepse buxheti i saj ndahet, dhe në këtë mënyrë mundësohet, apo përgatiten kushtet që shqiptarët në veriun e Mitrovicës, për shkak të ndonjë presioni dhe pasigurie detyrohen të shpërngulen nga kjo pjesë e vendit.

Një politikë e tillë i forcon komunat serbe, sepse të gjitha burimet buxhetore që i marrin nga Serbia, Kosova dhe nga shërbimet doganore, do t’i shpenzojnë në favor të tyre dhe në një mënyrë mund të krijojnë edhe shtigje të reja, duke hapur kolonizime të mundshme brenda këtij territori me formën e një «autonomie serbe», brenda territorit të Kosovës”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat