Opozita thirrje qeverisë: Të mos bëhet gabimi i madh historik me nënshkrimin e marrëveshjes sipas planit të Serbisë

Politika

Opozita thirrje qeverisë: Të mos bëhet gabimi i madh historik me nënshkrimin e marrëveshjes sipas planit të Serbisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 janar 2023 Në ora: 09:38
Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë temë e diskutimit i një grupi divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve.

Ky diskutim organizohet nga Ambasada amerikane në Prishtinë, më 31 janar.

Një diskutim i tillë do të bëhet pas mos arritjes së një koncezusi për Asociacionin, kjo pasi që Serbia kërkon formimin e tij, ndërsa Kosova deklarohet kundër një asociacioni një etnik.

Derisa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në takimin që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, opozita këtë takim e konsideron të një rëndësie të madhe.

Ndërsa, analistët politikë thonë se Amerika nuk do të lejojë të vihet në peshore statusi politik i Kosovës.

Të mbrohet shteti i 17 shkurtit 2008

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, nuk ka treguar nëse ata kanë marrë ftesë nga ambasada amerikane për të diskutuar për Asociacionin.

Por, Lekaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, takimin e 31 janarit e quan të një rëndësie të madhe.

“Takimi i datës 31 Janar është i një rëndësie të madhe sepse do të debatohet çështja e asociacionit me shoqërinë civile dhe spektrin politik të vendit. Asociacioni në një formë apo tjetër ka të bëjë me sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës, prandaj është mirë që SHBA është pjesë e dialogut dhe elementeve të tij mes Kosovës dhe Serbisë. Sa kemi njohuri, ambasada do ta trajtojë dhe analizojë temën e asociacionit me përfaqësues të shoqërinë civile dhe të politikës. Urojmë dhe besojmë që edhe Amerikanët por edhe pjesëmarrësit e Tryezës, do ta mbrojnë shtetin e 17 shkurtit 2008”, ka deklaruar Lekaj.

Image
Pal Lekaj

Në rast të nënshkrimit të marrëveshjes, Lekaj, ka thënë se dorëheqja nuk ia mbulon gabimin Qeverisë.

“Qeveria nuk duhet të sjellë në Kosovë Asociacion me Kompetenca ekzekutive. Dorëheqja e Qeverisë nuk e mbulon gabimin e madh historik nëse nënshkruhet kjo marrëveshje e dëmshme sipas planit të Serbisë”, ka shtuar Lekaj.

Nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk janë përgjigjur për gazetën “Bota sot” lidhur me pjesëmarrjen ose jo të tyre në diskutimin e 31 janarit.

Kearns: Nuk duhet të krijohet asnjë entitet i stilit “Republika Srpska

Asociacioni është në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare e nënshkruar më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Ndërkombëtarët vazhdimisht bënin thirrje për formimin e tij, madje, tani në projektin franko- gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, paraqitet pika që Kosova duhet t’i respektojë marrëveshjet.

Këtë, shqetësuese e quan deputetja britanike që drejton edhe Komitetin për Punë të Jashtme, Alicia Kearns.

Pas draftit të përditësuar, Kearns u shpreh se asnjë etnitet në stilin e “Republika Srpskas” s’duhet të krijohet.

“Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës. Shumë e shqetësuar nga implikimet e propozimeve sipas nenit 7. Askush nuk duhet të kërkojë të rrënjos, e lëre më të projektojë me qëllim, çdo formë të “vetëqeverisjes” në vijat etnike brenda Ballkanit. Nuk duhet të krijohet asnjë entitet i stilit “Republika Srpska”, ka shkruar ajo.

Mulliqi: Të mos i iket thirrjeve të Ambasadës amerikane

Analisti politik, Skënder Mulliqi, e quan interesant faktin sesi bashkësia ndërkombëtare me kërkimin e implementimit të marrëveshjes, bie ndesh edhe me qëndrimet e veta për multicitetin e Kosovës.

Sipas tij, asociacion me kompentenca ekzekutive apo edhe ndonjë variant i ngjashëm është i papranueshëm për Kosovën.

“Lufta ne Ukrainë i ka ndryshuar politikat gjeopolitike në botë, kështu edhe në rajonin ende të pa stabilizuar të Ballkanit. Më së shumti janë intensifikuar përpjekjet nga BE-ja , e sidomos Amerika, për përmbyllje të procesit të bisedimeve maratonike më palën serbe, për normalizim të marrëdhënieve. Vetëm ditëve te fundit kemi pasur disa vizita të përfaqësuesve special për Kosovën, të cilët kanë qëndruar në Prishtinë dhe në Beograd, ku në tavolinë është hapur tema e planit franko-gjerman, dhe si e pa kalueshme ishte edhe tema e Asociacionit, e cila nga BE-ja , po kërkohet më ngulm të implementohet marrëveshja e vitit 2015 e nënshkruar në Bruksel. Zatën Asociacioni edhe është bërë tema qendrore e cila edhe ka hapur debate të shumta. Shpesh është thënë së Asociacioni më kompetenca ekzekutive, por edhe të ndonjë varianti tjetër të ngjashëm, është i pa pranueshëm për Kosovën. Është shumë i çuditshëm fakti se si bashkësia ndërkombëtare me kërkimin e implementimit të marrëveshjes, bie ndesh edhe me qëndrimet e veta për multietnicitetin e Kosovës, në bazë të planit të Marti Ahtisarit. Këtu natyrisht paragjykohet nëse mendohet seriozisht edhe nga Amerika që të zbatohen dy marrëveshjet e Brukselit, e që nuk ishte dashur të ndodhë”, ka pohuar Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, pjesëmarrja në debatin e organizuar nga Ambasada është në interes të Kosovës.

“Tashmë kanë dalë në opinion 10 pika të planit franko-gjerman, të cilët pika edhe po komentohen në mënyra të ndryshme, disa pika aty janë të diskutueshme për Kosovën, por bazë e mirë për bisedime. Këtë plan është duke e shqyrtuar se a do të pranon edhe Serbia , e cila duket së më shumti do të ngul këmbë, që mos të pranon që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së, që është pjesë e planit. Në kuadër të te gjitha këtyre, është duke u hapur edhe një debat publik, nga Ambasada Amerikane në Prishtinë lidhur më zbërthimin e temës të Asociacionit më 30 të këtij muaji. Me duket së është në interes pjesëmarrja e të gjithë akterëve tanë politikë. Mjaft është që diskutimet që do të mbahen, do të paraqesin edhe qëndrimet zyrtare dhe jo zyrtare të shtetit të Kosovës. Nuk do të ishe mirë që t’i ikim thirrjeve, kësaj radhe të Ambasadës Amerikane, se nëse neve na duket se po na bëhet presion, mendoj, se më shumë do të jetë, kjo një lloj shkopi dhe karotë për Serbinë e Vuqiqit për ta futur në lojë.”, ka theksuar Mulliqi.

Analisti Mulliqi nuk beson që Amerika mund të lejojë të vihet në peshore statusi politik i Kosovës dhe kësisoj sipas tij, aty ku është ajo, janë edhe shqiptarët.

Sipas tij, BE ka bërë premtime boshe, por pa Amerikën proceset në rajon mbeten në gjysmë të rrugës.

“Amerika fortë besoj edhe pse disa deklarime të Escobarit nuk ishin të mira, nuk do të lejojë Asociacion ku vihet në peshore statusi politikë i Kosovës, për çka Amerika ka dhënë kontribut të madh. Nuk do të lejojë një Republika Serpska tjetër në Kosovë, të cilën nuk ja lejuan as Millosheviqit më luftë në vitin 1999. Autonominë e gjerë të cilën po kërkon Serbia për serbët, është për ndarje të Kosovës , mbi baza etnike, të cilën gjë nuk e lejojnë pa luftë as shqiptarët. Apetitet e Serbisë, kur dihet së ajo nuk e ka hequr nga preambula kushtetuese Kosovën si pjesë përbërëse të saj, janë shumë më të mëdha se sa një asociacion, dhe këtë gjë duhet elabaoruar mirë edhe bashkësia ndërkombëtare. Ky shtet po të dëshironte marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, moti do të kishte pranuar pavarësinë e Kosovës, dhe do të kishte kërkuar falje për krimet e luftës. Prandaj, mendoj së çdo lloj diskutimi edhe ky që do të mbahet në fund të muajit, është në interes për Kosovën. Aty ku është Amerika, janë edhe shqiptarët. Nuk do t’i lëshohet terren Putinit dhe Vuqiqit, dy luftënxitësve në rajon, duke i nëpër këmbur kështu interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjke, por edhe investimin kapital më luftë në Kosovë. Diçka është pa shumë qartë kohën e fundit, se pa Amerikën proceset në rajon mbeten në gjysmë të rrugës. BE-ja ka mbetur më shumë duke bërë premtime boshe, se nuk është duke zgjeruar që shumë kohë. Madje pas BREX-it, të Anglisë ajo sikur e ka humbur rrugën në oborr. Serbia është mashtruese dhe manipuluese e madhe, që nuk i mban kurrë premtimet dhëna, e që bota demokratike nuk ishte dashur të bie në grackën e saj”, ka përfunduar Mulliqi.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat