Veriu dhe Asociacioni: “Ja kush mund ta shmangë Kosovën nga një luftë të re me Serbinë?”

Politika

Veriu dhe Asociacioni: “Ja kush mund ta shmangë Kosovën nga një luftë të re me Serbinë?”

Nga: Nehat Shaqiri Më: 28 janar 2023 Në ora: 13:12
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ambasada amerikane në Prishtinë, më 31 janar ka ftuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, opozitën, shoqërinë civile dhe politikanë për një takim ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Mirëpo, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të dërgojë një përfaqësues nga kabineti i saj në takimi ka njoftuar këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani do ta dërgojë një përfaqësues të Kabinetit të saj në këtë takim”, tha Kupina.

Ndërsa, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka thënë se nuk është ftuar në këtë takim.

Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, profesori dhe analisti politik Sadri Ramabaja ka folur për krijimin e Asociacionit.

Ai thotë se, Serbia duhet të shkëputet nga Rusia.

Sipas tij, Asociacioni sipas kërkesave të Serbisë është ‘bombë me sahat’, duke shtuar se vetëm ndërkombëtarët mund të shmangin një luftë të re të Kosovës me Serbinë.

Image
Sadri Ramabaja

Sipas tij, për të bërë këtë duhet dy parakushte, e ato janë Asociacioni i komunave në Kosovë dhe Malin e Zi.

Ramabaja shon se, parakushti i parë përmblidhet në këtë paragraf të deklaratës të ambasadorit të SHBA-ve në Beograd, Kristofer Hill.

“Nëse e lexoni tekstin me kujdes, gjashtë pikat e para kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit dhe ky është një element thelbësor për të ecur përpara. Kjo duhet të trajtohet në radhë të parë, pasuar nga ajo që thuhet në propozimin franko-gjerman i cili gëzon përkrahje nga BE. Ky dokument ka të bëjë me ide më të gjera që kërkojnë më shumë kohë”, citon Ramabaja ambasadorin Hill.

Sipas tij, në përplasjen gjeopolitike për Europën Juglindore (me theks të veçantë ish hapësirën e Jugosllavisë dhe Shqipërinë), pas luftës në Ukrainë, është rikthyer edhe SHBA-ja.

“Në këtë rikthim energjik, sinjifikativ është pozicionimi i ambasadorit Kristofer Hill në Beograd. Administrata shetërore amerikane, për fat të keq, ndërkohë, sërish dominohet nga diplomatë që kanë kultivuar miqësinë tradicionale me Beogradin që nga zanafilla e Luftës së ftohtë. Këtyre qarqeve duket se as plani Frëngo-Gjerman, që përvion një lloj paqe të ndërmjetme, nuk ju konvenon. Prandaj ambasadori Hill dhe jo vetëm ai, mbështet kaq fuqishëm kërkesat serbe për krijimin e Asociacionit fillimisht, duke i dhënë mundësi reale Serbisë për thellimin e kërkesave në fazën pasuese, që defakto e federalizojnë Kosovën, si uverturë e aktit final - aneksimit të veriut”, thotë ai.

Ramabaja potencon se, veriu si pozicion gjeostrategjik i duhet Serbisë në betejën për rikthimin e Malit të Zi nën flamurin e një Konfederate të re, si parakusht për "shkëputje" nga Rusia.

“Rikthimi i Malit të Zi si parakusht i dytë i Serbisë për "shkëputje" nga Rusia, është pjesë e strategjisë së re serbe për kompenzim nga humbja e Kosovës, meqë Republikën Srbska në Bosnjë e konsiderojnë tashmë si pjesë të "Botës Serbe" në krijim. Vetëm një betejë shtetërore e koordinuar me lobim të fuqishëm në Uashington, jo vetëm brenda qarqeve diplomatike dhe të administratës, por mbi të gjitha me studiuesit e raporteve Perendim: Lindje dhe strategët ushtarak, ka gjasa t'na nxjerrë nga skenari i federalizimit të Kosovës dhe të shmangë një luftë të re me Serbinë”, pohon Ramabaja.

Ai shton se është Serbia ajo që duhet të ndryshojë kushtetutën pasi e cilëson ende Kosovën si pjesë integrale të saj.

“Asociacioni do ta çonte pashmangshmërisht drejt një lufte të re Kosovën me Serbinë. Asociacioni sipas kërkesave serbe është një bombë me sahat, por nuk është parakusht vetëm asociacioni, por edhe një parakusht tjetër i kërkuar nga Vuçiq”, përfundon Sadri Ramabaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat